Zotin Spartak Braho e takuam në sallën e parlamentit kur po bënte prova me aparatin e projeksionit për të shfaqur një video për deputetët.

Kaso Kosa: – Zoti Braho, e bëtë shfaqjen e videos suaj të famshme?
Spartak Braho: – Mos më pyet, Kaso! Kam dy javë që e mbaj në gatishmëri këtë aparat, por nuk po e shfaq dot videon sepse situatat po precipitojnë vrullshëm. Më ngelën videokasetat në çantë sepse s’po gjej rastin e volitshëm. Ditën që e pata gati gjithçka, Berisha ma drodhi, nuk erdhi fare në seancë. Duket u tremb për vdekje nga ajo video që ishte posaçërisht për të. Veç kot e ka, sepse ky aparat që montova, këtu do ngelet deri ditën që do krijohen kushtet për ta shfaqur e për ta parë ai dhe të gjithë shqiptarët.
– Çanta juaj e zezë është bërë e famshme, sepse thuhet se atje ruani dosje e video kompromentuese të politikanëve shqiptarë. E vërtetë është kjo?
– Është e vërtetë sepse kam një seri dosjesh dhe videosh për të gjithë politikanët. Për shembull, kam për një politikan, i cili në rininë e tij ishte kamerier në Rinas dhe bënte shejtanllëqe me turistët në turnin e dytë apo të tretë. Dhe ai e di që unë kam fakte, ndaj asnjëherë nuk më ka atakuar gjatë këtyre viteve që po merret me politikë. Për një politikan tjetër kam një kasetë që tregon se është kapur me drogë në Itali dhe është edhe sot i skeduar si trafikant droge…
– Para dy javësh, Meta i tha Doktorit se nuk mund ta jepte dorëheqjen dy herë për Zenin. I zuri në gojë pularinë, u fol për një video me seks…
– Në të vërtetë, unë e kam bërë bllofin me dosjen për pularinë dhe me seks të Priftit. Ai i ziu e hëngri dhe e pranoi që ka një video të tillë. Pse, ç’u bëra unë, Sali Berisha, që merrte një të dhënë nga Gazidede apo Visho Lika dhe e jepte në konferencë shtypi si zbulimin e mendjes së tij gjeniale? Ose tani që i kanë rrjedhur trutë hiqet sikur i di të gjitha, kur në fakt nuk di asgjë; vetëm shpif ose lexon qyfyret e çunave e vajzave në Facebook dhe i trumbeton si idetë e tij. Jo, jo! Unë kam ato që më duhen dhe do t’i ekspozoj në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Për atë çantë të zezë, shumë deputetë po më marrin çdo ditë në telefon dhe me takt më kërkojnë, larg e larg, të mësojnë diçka më shumë për videot e mia të pafundme.
– Ama, duket se edhe Doshi është mjeshtër i këtyre videove, pasi thuhet se ka filmuar edhe prokurorët nëpërmjet orës së dorës kur ata e merrnin në pyetje…
– Edhe mua kështu më duket, por hallall i qoftë nëse ka arritur të filmojë prokurorët, sepse tregon që kursin e filmimeve me Dritanin e ka bërë të plotë. Nganjeherë, nxënësi del më i mirë se mësuesi dhe Doshi hyn te këta të suksesshmit. Për Fufin, më vjen inat se ai jo vetëm nuk ka bërë asnjë video si të gjithë deputetët shqiptarë, që në këtë pikë po ua kalojnë edhe kameramanëve të televizioneve, por as nuk i është ndjerë zëri fare…
– Mirë e kujtuat… Për vrasjen e Mhill Fufit, nuk u fol fare. Pse kjo heshtje?
– Mhilli është shumë i revoltuar dhe me të drejtë. Madje, edhe më i revoltuar se Doshi, pasi ka tri arsye të forta për t’u rervoltuar. Së pari, u revoltua me të vëllanë që, pasi mori vesh se do ta vriste Meta, nuk e prishi fare terezinë t’i tregonte që të merrte masa për t’u mbrojtur me badigardë, siç bëri Doshi. Pse t’ia bënte këtë i vëllai me të cilin kishte shkuar shumë mirë? Ka filluar të dyshojë se i vëllai nuk e paska dashur kurrë dhe kjo e trishton më shumë se ç’e revolton. Po ta keni vënë re, ka një rënie të madhe morale, që e reflekton në çdo qëndrim të tijin.
– E kemi vënë re dhe menduam se mos e ka me ata të partisë së tij…
– Me ata i ka ndarë urat e komunikimit dhe nuk u flet fare. Jo vetëm është revoltuar që kishin mbi tre muaj që e dinin dhe nuk e paralajmëruan, por duket prisnin që ai të vritej dhe me gjakun e tij të ngrinin fitoret e partisë. Sidomos me zotin Berisha është i revoltuar e i zemëruar. “Nuk zemërohem me Edi Palokën, më tha, se ai është një copë mishi që bën vetëm ç’thotë Doktori, por jam i revoltuar me Doktorin për të cilin arrita deri atje sa vramë një njeri në Laç që të frikësonim votuesit pro Metës dhe ajo vrasje, sipas kanunit që ka bekuar Doktori, më është faturuar mua. I bie që po më la gjallë Meta, të ma marrin jetën laçianët. Pikërisht për këtë sakrificë timen në fushatë duhej të më paralajmëronte Doktori, e jo të rrinte pa vajtur as në Prokurori e as të më njoftonte mua!”.
– Po arsyen e tretë, e ka me Doshin?
– Jo, jo! Të tretën e ka me Ilir Metën. Në takimin që bëri me mua për atentatin që i kishte kurdisur Meta, m’u ankua dhe më tha se me Metën e lan vetëm Kanuni, pasi e ka fyer më rëndë se Berisha, Paloka dhe i vëllai së bashku. “Të më vriste Meta dhe ta kishte hallall, por ama të vinte për kokën time të njëjtën shumë si për Doshin dhe jo të më fyente duke më ulur 5 herë. Për atë vuri 500 mijë euro e për mua 100 mijë?! Kaq pa vlerë jam unë? Të gjithë ata që nuk më duan në PD e sidomos këta deputetët e Lulit, më thërrasin “Ej, pesë me njëshi!””.
– Ju, ç‘mendoni për gjithë këtë zhurmë për vrasjet?
– Unë jam i revoltuar me Metën edhe më shumë se Doshi dhe Fufi të marrë së bashku nëse kjo është e vërtetë. Si mundi të porosiste dy vrasje dhe nuk mori mendimin tim që i kam qëndruar aq pranë për çdo problem që i ka dalë duke e ndjekur me dosje e çantën e zezë nga prapa? Së pari, me ato gjashtëqind mijë euro unë e vrisja vetë edhe Doshin, edhe Fufin dhe hidhja festen mbi sy.
– Parmbrëmë, u bë arrestimi i Doshit dhe Frrokut, por opinionistët thonë se arrestimet janë të pamotivuara…
– Kanë të drejtë, por ka një hollësi që këta opinionistë, nuk e dinë. Marku dhe Toma ishin shumë miq e shokë të ngushtë dhe do të ishte shumë e rëndë për Doshin të ikte i vetëm në burg. I shoqëruar nga miku i tij do t’i bëhet burgu më i lehtë. Pastaj, mos harroni se ky arrestim është një lloj demonstrimi force nga ana e prokurorisë e cila po bën prova gjenerale për arrestime akoma më të bujshme në të ardhmen. Do të jenë pikërisht këto, arrestimet e bujshme, për të cilat kryeprokurori ynë trim deklaroi para disa kohësh në mes të Evropës se do të ndryshonin fatin e Shqipërisë. Dhe e them me bindje se fati i Shqipërisë për të hyrë në BE është në dorën e Llallës.

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *