Këtë herë në Këngën Magjike, Erik Lloshi ka sjellë një dashuri të pamundur mes dy të rinjve. “Diku të kam parë” është justifikimi që përdor Eriku shpesh për t’iu afruar vajzës që i pëlqen, por kështu është edhe titulli i këngës për krijimin e së cilës ai ka bashkëpunuar me bashkëpunëtorët e tij të pandashëm, Flori Mumajesi dhe Kledi Bahiti. Mjafton të dëgjosh titujt e këngëve të ttij: “Si dukem unë pa ty”, “Jeta ime mban emrin e saj”, “Ajo është ajo”, “Diku të kam parë”, për të kuptuar që tema së cilës i këndon Eriku, është dashuria. Ndërkohë që lexoni intervistën me Erikun, përveç të tjerash, do të mësoni edhe të vërtetën e marrëdhënies së tij me Xhulin (ish-banoren e Big Brother) për të cilën u fol aq shumë…
Mia.B: – Parë nga ti, cila është e veçanta e këngës “Diku të kam parë”?
Erik Lloshi: – Tematikën që ka në lidhje me dy të rinj, dashuria e të cilëve është e pamundur për shkak të rrethanave, edhe pse duhen marrëzisht.
– Ti, prej kohësh, bashkëpunon me Threedots dhe duket se kjo ka qenë frytdhënëse. Çfarë të bind për të punuar me ta?
– Thjesht, ndihem komod dhe më është bërë si një shtëpi e dytë, gjej veten në produksionet që më ofrohen. Bashkëpunimet me Kledi Bahitin dhe Flori Mumajesin janë gjithmonë frytëdhënëse dhe të ndjera në çdo detaj. Jam me fat që bashkëpunoj me ta. (Buzëqesh)
– Titujt e këngëve të tua janë interesantë… Përmendim “Si dukem unë pa ty”, “Jeta ime mban emrin e saj”, “Më ndiq në faj” apo e fundit, “Diku të kam parë”. Janë zgjedhjet e tua?
– Patjetër që janë edhe zgjedhjet e mia, në bazë të materialeve muzikore që më ofron Kledi Bahiti dhe Endrit Mumajesi për tekstet që shkruan. Unë bëj zgjedhjen time në atë që më pëlqen më shumë dhe më përshtatet.
– Në jetën e përditshme, sa herë e ke përdorur shprehjen “diku të kam parë”, për të hyrë në bisedë me një vajzë?
– (Qesh) Kjo është një pyetje shumë e lezetshme dhe faktikisht, shumë reale, sepse të gjithëve; edhe femrave, edhe meshkujve, na ka ndodhur ta përdorim në situata të ndryshme. Sa herë e kam përdorur nuk e di, por që e kam përdorur, kjo është e sigurtë. (Buzëqesh)
– Çfarë të tërheq veçanërisht vëmendjen në takimin me një vajzë?
– Në përballjen e parë është bukuria që ka një femër ajo që të tërheq. Pastaj, në qoftë se në bisedë e sipër zbuloj pjesë të tjera që s’më pëlqejnë, bukuria që ka, kthehet në diçka pa vlerë.
– Çfarë e bën Erikun të dashurohet?
– Duhet shumë për të më bërë të dashurohem, por disa prej gjërave janë: të jetë besnike, karakteri i fortë dhe sensualiteti.
– Besohet se një këngëtare dhe një këngëtar që bashkëpunojnë, lidhen edhe sentimentalisht. Është e vërtetë?
– Ne jemi artistë dhe në qoftë se ka një lidhje sentimentale, ajo është vetëm për ato minuta që është kënga në skenë. Të paktën unë flas për veten në bashkëpunimin me Olta Bokën me një produksion të Adrian Hilës dhe tekst të Rozana Radit, të cilët i falënderoj pa masë. Në këtë bashkëpunim me Oltën, ne quheshim “të dashur” vetëm në ato minuta që ishim në skenë sepse donim që t’i transmetonim publikut të gjitha emocionet që të jep ai tekst dhe ajo melodi.
– Cilat kanë qenë disa nga ngjarjet e shënuara në jetën tënde?
– Kur kam fituar shkollën e lartë për Kanto në Akademi të Arteve dhe më pas, në momentin e parë që kam hyrë në tregun e muzikës së lehtë me një bashkëpunin me Mariza Ikonomin. Një këngë shumë e bukur, e shkruar nga Adrian Hila.
– Si feston Eriku për sukseset?
– Me familjen time dhe me shoqërinë time, në mënyra të ndryshme. (Buzëqesh)
– Disa nga prapësitë më të mëdha që ke bërë kur ke qenë adoleshent?
– Kam bërë shumë prapësi, por do të veçoja xhirot e gjata nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë me biçikletën që e kam patur një ndër gjërat më të çmuara. (Buzeqsh)
– Ke ndonjë shenjë të mbetur që të kujton diçka nga atëherë?
– Faktikisht, kam shumë shenja, se kam rënë pa fund nga biçikleta.
– Një kritikë apo këshillë që ta jepnin prindërit gjithmonë?
– Nuk ka prindër në botë që nuk e bëjnë diçka të tillë. Një ndër detyrat më kryesore të prindërve është të kritikojë dhe të këshillojë fëmijën e vet për hapat që hedh në jetë.
– Me cilin prej tyre je më i lidhur?
– Unë jam i lidhur me të dy, por më shumë me mamanë.
– Çfarë mendojnë ata për karrierën tënde muzikore?
– Ata janë personat që më kanë shtyrë drejt kësaj rruge dhe jo pa arsye, sepse babai im luan në kitarë dhe ka kënduar dikur. Edhe mamaja ime, në moshë të vogël, ka kënduar në festivalet e fëmijëve dhe ëndrrën e tyre që nuk e çuan deri në fund, ata po e realizojnë me mua.
– Çfarë distance duhet të mbajë një mashkull nga një femër që t’i shpëtojë joshjes?
– Faktikisht, ky është një fenomen shumë i vështirë për t’u evituar, por gjithsesi, kur një mashkull ka një femër që e do shumë, është shpërfillës ndaj çdo gjëje. Në qoftë se është beqar dhe një femër e bukur e josh, s’u shpëton dot kthetrave. (Qesh)
– Sa herë ke rënë në dashuri?
– Njëherë kam rënë.
– Nga eksperienca jote, mbi ç’baza funksionon një lidhje?
– Në bazë të sinqeritetit, të mënyrës së komunikimit dhe besimit që parterët duhet të fitojnë te njëri-tjetri.
– Çfarë kujton nga lidhjet e tua?
– Asgjë! Jam natyrë që çfarë e lë mbrapa, nuk e kujtoj më.
– Beson në femrën e ëndrrave?
– Jo, nuk besoj! Më pëlqen më shumë realiteti sesa ëndrrat. (Buzëqesh)
– Ke qarë për dashurinë?
– Po, kam qarë.
– Kur e kupton se është ajo e duhura?
– Kur ka virtytet që unë dua dhe më përshtatet në çdo detaj.
– Me cilën nga këngët e tua do zgjidhje t’i propozoje një femre?
– Kënga “Ajo është ajo”, ka fjalët më të zgjedhura…
– Meqë jemi te kjo këngë, një nga vajzat që e shpreh vazhdimisht simpatinë ndaj teje është edhe Xhuli (ish-banore e Big Brother), madje ajo është shprehur se ti i ke kushtuar këngën që sapo përmende. Më mirë se ti, nuk mund të na e thotë askush të vërtetën…
– Shiko, unë e kam shpjeguar edhe më parë që lidhja ime me Xhulin nuk është lidhje dashurie dhe s’ka qenë kurrë. Thjesht, e njoh ngaqë shpeshherë ka ardhur me shoqërinë e saj në lokalet ku unë kam kënduar. Përsa i përket dedikimit të këngës “Ajo është ajo”, të gjithë e dinë që ka qenë një dedikim personal, por jo për Xhulin. Ka qenë për dikë tjetër, përpara se Xhuli të futej në Big Brother…
– Cila është gjëja më e mirë që ke bërë në jetë për veten ose për të tjerët?
– Gjëja më e mirë që kam bërë për veten është lidhja me Threedots, domethënë, gjetja e vetes në produksionet që më ofrohen nga Kledi Bahiti dhe Flori Mumajesi që i përshëndes dhe i falënderoj pa masë. Për të tjerët, kam bërë shumë gjëra të ndryshme.
– Cilat janë rregullat në të cilat je mbështetur për të qenë i suksesshëm?
– T’u japësh njerëzve atë që ti bën më mirë dhe, përsa më përket mua, nuk kopjoj asnjë këngëtar, thjesht u servir fansave Erikun e vërtetë. Në profesionin tonë duhet të jesh i vërtetë dhe unik, që të kesh sukses. (Buzëqesh)
– Komplimenti më i mirë që ke marrë nga një femër…
– Je si llokum me arra. (Qesh)
– Çfarë ka ndryshuar te ti, me kalimin e kohës?
– Kanë ndryshuar shumë gjëra. Përgjithësisht, shumica e njerëzve janë bërë shumë të egër dhe nuk mund të qëndrosh pasiv ndaj gjërave që të çon jeta në momente të ndryshme. Gjithsecilit duhet t’i japësh vendin që i takon dhe ashtu si e mendoj më të arsyeshme për të mirën e jetës sime. Siç e thashë edhe pak më parë, kam bërë shumë në përgjithësi, por nuk më ka shërbyer për asgjë, përkundrazi…
– Si e sheh të ardhmen?
– Synimet e mia për veten, si të gjithë, janë më të mirat. Plane ka shumë dhe shpresoj që koha të na lejojë t’i realizojmë të gjitha. Të ardhmen e shoh në mënyrën më pozitive të mundshme.
– Veç frutave, çfarë të pëlqen më shumë nga stina në të cilën ndodhemi?
– Më pëlqen shumë kur fillon shiu dhe unë jam duke luajtur në piano në dhomën time. (Buzëqesh)
– Ku do të doje të ishe në këtë moment?
– Me këtë frymëzim që më erdhi, do jem në pianon time duke luajtur, ju siguroj. (Buzëqesh)

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *