– Florim, ti ke kaq shumë vite në skenën e muzikës. Cila është arritja që do të doje ta veçoje?

– Si fillim, më lejoni t’u uroj të gjithë lexuesve të gazetës “Intervista” një vit të mbarë. Unë kam shumë vite që merrem me muzikë dhe megjithëse një këngëtar nuk mund t’i ndajë këngët e tij, unë e dua shumë këngën time me titull “Ah moj xhan”. Ndërsa, para dy javësh kam publikuar edhe klipin tim më të ri “A e din”, i cili është pëlqyer shumë. Uroj të vazhdojë kështu.

– Si e gjeti muzikën Flori?

– Muzikën e kam patur pasion që në fëmijëri dhe me kalimin e viteve u rrit dhe u kthye në gjithë jetën time. Unë nuk e shikoj dot jetën time pa muzikë.

– A ke shumë këngë në repertor?

– Si këngë kam shumë, por si klipe, pesë. Shumë shpejt do sjell për adhuruesit e mi një super bashkëpunim që besoj do jetë një këngë që do të qëndrojë gjatë te publiku.

– I qëndron besnik rrymës tënde?

– Po, jam këngëtar që i qëndroj besnik një lloj rryme ose zhanri… Unë e dua shumë këngën popullore dhe që në fillim të karrierës sime i jam përkushtuar kësaj rryme.

– I ripunon këngët që bën apo i lë ashtu siç i ke lançuar?

– Po, e kam bërë shpesh, sepse jo vetëm në muzikë, por kudo, gjërat me kalimin e kohës duan përmirësim.

– Sa e ndjen një këngëtar suksesin e tij?

– Nëse kënaqen ata që më ndjekin kudo ku performoj dhe nëse mezi presin të nxjerr një këngë të re, atëherë jam shumë i kënaqur nga puna që bëj.

– Si mendon, ka ndryshuar shumë muzika shqiptare?

– Ka ndryshuar sepse tani muzika shikohet, nuk dëgjohet më dhe kjo është një e metë e madhe.

– Po prodhohen kaq shumë klipe në tregun muzikor. Çfarë mendon për to?

– Është një mundësi e mirë që secili të ketë hapësirën e tij e të tregojë talentin. Pastaj, se sa i talentuar je, e vendos publiku.

– Ç’do të thotë për ty të jesh një artist i mirëfilltë?

– Për mua, të jesh artist do të thotë të jesh në fillim një njeri i sinqertë dhe të dish të duash e respektosh ata që të pëlqejnë, duartrokasin dhe të vlerësojnë.

– Çfarë bën ti për t’i treguar publikut kush është Flori?

– Mundohem të jem korrekt në gjithçka që bëj dhe sjell në publik, por edhe në shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë me shoubizin.

– Pse këndon, për përfitime financiare apo sepse e do muzikën?

– Unë mendoj që çdo koleg i imi këndon për përfitim financiar, por unë këndoj edhe për pasion. (Buzëqesh)

– Për çfarë do të hiqje dorë nga kënga?

– Vetëm dhe vetëm për familjen, për asnjë arsye tjetër, edhe pse uroj të mos jem asnjëherë në atë pozitë.

– E ke të vështirë të përqendrohesh në muzikë e në familje pa e lënë veten pas dore?

– Unë rrjedh nga një familje që e do shumë muzikën dhe muzika është gjithçka për ne, kështu që nuk e kam të vështirë t’i bashkërendoj.

– Çfarë pret nga e ardhmja?

– Të jem i suksesshëm dhe të arrij të realizoj synimet e mia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here