edi 1Nëse këtë javë do të intervistonim kryeministrin tonë, Edi Ramën, patjetër që do ta nisnim intervistën me foton që ai publikoi të premten në Facebook, në rubrikën e tij, të emërtuar në anglisht “Photo of the day” (Fotografia e ditës). Është kjo foto ku tregohet një grua e një fëmijë pas një xhami makine. Gruaja e fëmija duket që derdhin lot, që përzihen me shiun e rrëmbyer e bien mbi tokën ku atyre, ndofta, nuk u ka mbetur asgjë, sepse Vjosa u ka rrëmbyer çdo gjë. Kjo është ajo që duket. Ajo që nuk duket, është zoti Rama, përballë tyre, pas xhamit, rehatuar në kolltukun e fuoristradës, me kondicionerin në maksimumin e nxehtësisë, duke shkrepur Iphone 6 me ekran të madh e, më pas, duke buzëqeshur, ua tregon foton të tijve në makinë: “E bukur, ë?!”. A nuk ju duket shumë cinike kjo foto, zoti Rama?! Si ju shkon mendja në ato momente të zbaviteni duke bërë foto me atë grua e fëmijë në mes të shiut?! E menduat për një çast se ai fëmijë mund të ishte Zaho juaj? Si do të ndjeheshit ju sikur dikush, në të njëjtat pozita që ishit ju, t’i kishte bërë një foto Zahos, të lagur nga lotët dhe nga shiu njëkohësisht, duke u dridhur nga të ftohtët, në krahët e Lindës? Ja, kjo ishte pyetja e parë që do të donim t’i bënim zotit Rama…

Më pas do të donim t’i kujtonim një nga premtimet që bëri në ditët e para të qeverisjes e që ka lidhje me ngjarjet e këtyre ditëve gjithë reshje. Të gjithë e mbajmë mend se, kur mori pushtetin, ai tha që: “një nga emergjencat e qeverisë është administrimi i territorit”. Dhe kishte të drejtë. Por, çfarë bëri ai për këtë deri tani? Në vend që ta fillonte nga fshati më i rrezikuar, apo më i lënë pas dore, e filloi rregullimin e territorit nga zyra e tij e më pas kaloi te lulishtja e Kryeministrisë, pastaj te Ministria e Mbrojtjes, e Kulturës dhe në fund… vazhdoi me pastrimin e kanaleve kulluese. Ai u mburr se gjatë qeverisjes së tij janë pastruar me shumë kanale kulluese sesa janë pastruar në këto 20 vitet e fundit, por a është kjo gjithçka, zoti Rama? Sa do të ishin pastruar sikur ta kishit nisur nga kanalet e jo nga kryeministria e ministritë?! Sa toka e shtëpi “ do të ishin shpëtuar” po të ndodhte kështu? Sa toka, shtëpi e bagëti nuk do të ishin tani nën ujë, sikur paratë e palmave të autostradës, zbukurimeve me drita të Kryeministrisë, Bunkerartit e Shtëpisë me Gjethe, të ishin harxhuar për argjinaturat e digat?! Për çdo qeveri, dihet që ka emergjenca dhe paratë në fillim duhen harxhuar për to. Kështu thotë teoria e administrimit të shtetit. Apo jo, zoti Rama?!
Zotin Rama këtë javë deshëm ta pyesnim edhe për dëmshpërblimet e atyre që e kanë pësuar nga përmbytjet. Pse ngurron ai të thotë saktë se sa e si do dëmshpërblehen ata? Mos vallë nuk ka para? Mos është e vërtetë ajo që thuhet, se për emergjencat civile të këtij viti janë planifikuar nga buxheti vetëm 550 mijë euro?! Mos vallë, prandaj nuk shpallet gjendja e jashtëzakonshme? Sepse, nëse do të shpallej ajo, qeveria do të detyrohej ligjërisht të jepte dëmshpërblimin e plotë dhe nëse nuk do ta mbante fjalën, atëhere secili i dëmtuar mund të fitonte me gjyq kompensimin financiar për dëmin, madje sipas vlerës së pretenduar… Duke vepruar kështu, zoti Rama, nuk keni frikë se do të përfundoni si Berisha, që i la me gisht në gojë të përmbyturit e Veriut?
Dhe, meqë jemi te dëmshpërblimet, nuk mund të rrimë pa i bërë një pyetje zotit Rama, në lidhje me bankat. Të premten ai përsëriti atë që tha disa ditë më parë Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, se u kanë kërkuar të gjitha bankave që të pezullojnë pagesat e kësteve të kredive për bizneset agro-ushqimore dhe për fermerët e prekur nga përmbytjet për 1-2 vjet, si dhe heqjen e penaliteteve për vonesat e pagesave. A e dinë zotërinjtë Rama dhe Panariti se bankat janë kompani private dhe se ato humbin para kur nuk shlyhen kreditë? Po bankat, kush do t’i ndihmojë në rast se do të kenë humbje nga mosshlyerja e këtyre kredive? Apo atëhere qeveria do t’u kërkojë fermerëve të ndihmojnë bankat e falimentuara…
Dhe pyetja e fundit që do donim t’i bënim zotit Rama, kishte të bënte me rezervat e shtetit. Ai deklaroi këtë javë se rezervat e shtetit i kishte gjetur bosh, se nga 30 mijë kilogramë fasule që duhet të ishin te rezervat e shtetit, kishin gjetur 0 kilogram, se në arkën e emergjencave civile kishte numëruar vetëm 57 mijë lekë, ose 570 dollarë, se Berisha fondin prej 1.2 miliardë lekë (1.2 milion dollarë) të planifikuar për emergjenca civile për të gjithë vitin 2013 e kishte shpenzuar në 8 muajt e parë, para dhe gjatë fushatës, se ish-kryeministri i kishte lënë në kurriz edhe një borxh prej 37.4 miliard lekësh (37.4 milion dollarë) për personat e dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore etj. etj. Nuk i vëmë fare në diskutim këto që thotë zoti Rama dhe i marrim si të mirëqena, por deshëm ta pyesnim atë: Me aq sa i njeh ligjet, nuk i duket se këtu ka vepër penale minimumi shpërdorim detyre dhe maksimumi vjedhje?! Të dyja këto dënohen me burg që shkon sipas kodit penal deri në 7 dhe 10 vjet. Pse nuk po dënohet asnjë njeri, zoti Rama?!
Ja, këto ishin pyetjet që deshëm t’i bënim zotit Edi Rama këtë javë dhe nuk mundëm. Shpresojmë, javën tjetër…

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *