Kaso Kosa: – Zoti President, keni kohë pa u prononcuar për situatën e vendit, ndaj erdhëm për këtë intervistë…
Bujar Nishani: – Edhe të mos ma kërkoje ti, Kaso, do të ta kërkoja vetë këtë intervistë se kam aq shumë për të thënë sa nuk m’i mban më shpirti. Jemi në prag të katastrofës dhe më duhet të jap alarmin: O sot, o kurrë!
– Nuk po ju kuptoj, zoti President…
– Epo, nëse jetoni këtu, të gjithë duhet ta keni ndjekur kurbën e luftës ndërinstitucionale që ka kohë që zien në vendin tonë. Kundër institucionit të Presidentit kemi një qeveri të tërë dhe në krye, vetë kryeministrin, zotin Rama. Nuk e di se kur një shtet mund të jetë më keq sesa kur plas kjo lloj lufte…
– Më falni, po a mund të jeni më konkret?
– Ku ka më konkrete sesa telefonata që më bëri Rama para disa ditësh, ku më kërcënoi se do të më heqë kafshatën e gojës, do të më flakë në rrugë e shumë e shumë fjalë të tjera kërcënuese që nuk guxoj t’i përmend në këtë iuntervistë? Më bërtiti, siç i thonë fjalës popullore, “si evgjiti të shoqes”. Mua me këtë gjuhë nuk ka guxuar të më flasë as Doktori, sidomos qëkur më emëroi president, e jo më një kryeministër apo deputet i thjeshtë. Ai ulërinte dhe hakërrehej sa për një çast, mendova: “Shyqyr që nuk ishte në zyrë përballë meje se mund edhe të më kishte qëlluar, siç ka bërë me shumë e shumë të tjerë”. Të dyja duart për një kokë janë, ndaj e bëra atë letër ku ia numërova të tëra…
– Thuajeni sinqerisht, pse nuk e emëruat zotin Visar si ambasador?
– Janë disa arsye që do t’jua rendis një e nga një. Së pari, zoti Zhiti, si me shaka, më ka ofenduar kur u bë ministër, duke aluduar me mustaqet e mia se gjasme më kishte kaluar jo një mi, por shumë minj nën mustaqe, siç më ofendoi përpara tij edhe zoti Ndreca. Kjo më revoltoi shumë. Unë jam burrë me sedër dhe nuk mbaj dot fyerje, qofshin këto edhe me shaka, sidomos tani që jam president dhe simbol i unitetit të kombit. Inatit tim të drejtë iu bashkua edhe Doktori, i cili kur mori vesh se Rama kishte propozuar Visarin për në Vatikan, u shqetësua shumë dhe më dha urdhër të prerë që në asnjë mënyrë të mos e miratoja, sepse Rama po emëronte ambasadorë të gjithë mbështetësit e tij, duke ia kundëvënë, me synim krijim diversiteti në parti. U pajtova me këtë kërkesë, sepse nuk mund të lejoja unë si simbol uniteti, përçarjen e PD-së.
– Këto nuk më duken argumente për mos të dekretuar një ambasador …
– Nuk kam mbaruar, sepse një sinjal më erdhi nga ata të kishës katolike, një tjetër më erdhi nga Sandri, ku të dy përputheshin në faktin se duhej një katolik e jo një mysliman në Vatikan. Në fund të fundit, ne e kishim një të ngarkuar me punë atje, motrën e Sandrit, e cila bëri të mundur edhe vizitën e Papës në shtator në vendin tonë… Pse duhej një emërim tjetër e në rang më të lartë? Nga ana tjetër, Rama nuk u konsultua me mua dhe në këtë rast, e bëri me qëllim që të vinte në vend talljen, se mua më shkon miu disa herë nën mustaqe.
– Zoti President, a keni ndikuar ju në vendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me kthimin e pronës dhe prishjen e kishës në Elbasan?
– Ndershmërisht, nuk kam ndikuar fare. “Ju e dini vetë se ç’vendim do të merrni, u thashë, por nderi jua do që pronën ta vlerësoni si në të gjithë botën perëndimore, drejt së cilës duam të vemi, si të shenjtë. Edhe kisha, edhe xhamia, një tokë që nuk u takon, e quajnë tokë “haram” dhe çdo objekt i ngritur mbi të nuk ka bekimin e Zotit, është haram. Ç’faj kam unë që trupa gjykuese mori vendim në favor të vjehrrës sime? E theksoj me forcë se gruaja ime nuk ka prona në Elbasan.
– Kohët e fundit, ka patur tronditje të jetës publike, pasi kanë ndodhur disa aksione me tritol dhe vjedhje bankash e dyqanesh, për të cilat ju nuk jeni prononcuar…
– E kam studiuar thellësisht këtë fenomen dhe, pasi u konsultova me këshilltarët e mi, dola në konkluzionin se të gjitha këto janë tregues se qeveria dhe në veçanti, Ministri i Rendit, është i lidhur keq me krimin dhe, në raste të tilla, krimi ngre krye duke bashkëpunuar me qeverinë që kërkon të mbjellë destabilizim dhe terror mbi qytetarët e thjeshtë. E gjitha kjo sepse po afrojnë zgjedhjet dhe qeverisë i intereson klima e terrorit e pasigurisë, që të vjedhë votat, siç bëri në vitin 2009, më falni, doja të thosha, në vitin 2013.
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)