Nuk di ta bësh drejt vijën e syve apo të zgjedhësh njgyrën e duhur të kremit-pudër? Nuk ka grua që të mos bëjë gabime aty-këtu me grimin, kështu që nuk je e vetmja. Zbulo si mund t’i rregullosh gabimet duke ndjekur këshillat e grimieres sonë:
1. Nuk arrij të bëj drejt vijën e syrit sepse më dridhet dora. Si t’ia bëj?
– Edhe unë nuk bëj dot një vijë të drejtë, as në letër, as në sy, por kam zbuluar se mund të bëj një vizë të drejtë nëse e mbështes bërrylin e dorës që bën vijën në tavolinë dhe me tjetrën, mbaj qepallën. Për të rregulluar dridhjet e mundshme, hedh pak pluhur lapsi përsipër ose nganjëherë e bëj vijën me ton sysh dhe një penel, pasi kështu e kam më të lehtë ta kontrolloj.
2. Puçrrat duken, edhe kur mundohem t’i mbuloj me krem-pudër. Çfarë të bëj?
– Përdor një korrektor që ka të njëjtën ngjyrë me lëkurën tënde (jo më të hapur). Mendoje veten si piktore të famshme dhe aplikoje me lëvizje të vogla të furçës. Më pas, përdor gishtat për ta shtrirë.
3. Dua t’i bëj sytë misteriozë, por pasi i lyej, duket sikur më ka gjuajtur njeri me grusht. Ndihmë!
– Mos përdor tone shumë të errëta. Në vend të tyre, përdor ngjyra me tone të buta, si gri apo kafe. Duke ndjekur vijën e qerpikëve, lyej me ton afër syrit, duke lënë të kalojë pak cepin e jashtëm të syrit. Pastaj, apliko një ton me ngjyrë lehtësisht më të hapur në të gjithë qepallën dhe shtrije mirë. Bëj një vijë edhe në qepallën e poshtme, me tonin me ngjyrë më të hapur.
4. Kur përdor xixa, më duket sikur më japin shumë shkëlqim. Cila është mënyra më e mirë për t’i përdorur ato?
– Këshillë: Zgjidh vetëm një tipar, mos e kthe fytyrën në një top diskoje! Përdor tone sysh me xixa, me buzëkuq mat ose anasjelltas. Ose jepi shkëlqim fytyrës, duke përdorur pak përgjatë kockës së faqes dhe poshtë qendrës së hundës. Nëse ke vënë shumë, hidh sipas pak pudër për të eliminuar tepricën.
5. Gjithmonë zgjedh ngjyrat e gabuara… Pse?
– Gjithë ai ambalazh plastik bën që ngjyrat të jenë më të zbehta se ç’janë në të vërtetë. Në këtë rast, është mirë të zgjedhësh ngjyrat më të zbehta, sepse mund të vësh disa shtresa, për të përforcuar ngjyrën.
6. Cila është mënyra më e mirë për të eliminuar një njollë që kam bërë mbi manikyr?
– Nëse e vë re dëmin para se të thahet manikyri, atëhere hidh pak vaj kutiklash mbi njollë dhe lëmoje me gisht. Nëse e vë re njollën pasi është tharë manikyri, lyeje përsipër me një shtresë shkëlqyesi mat.