Zhgënjim

Vij mbi dete, male e qiej
Rreziku e harrese,
Që veç ftohtësisë,
Dashuri nuk gjen,
E i befasuar ndjej që e gjithë
Dhimbja, dashuria
Dhe nostalgjia,
Qenka vetëm e imja
Dhe e fijes së barit
Që e bleroja në shpirt
Për ju! Miltiadh Davidhi

Unë dhe Deti

Kur jam pranë teje, unë jam vetvetja,
Një djalë i heshtur me laps dhe letër.
S’më frikëson më, as jeta as vdekja,
Më mjafton që vargjet t’i bëj vepër.

Tek eci vetmuar bregut tënd
Ndjej erën që flokët m’i ledhaton,
Shikoj perëndimin që m’lë pa mend
Dhe lapsi veç shkruan, nuk ndalon!

Unë, qetësisht, drejt teje afrohem
E Ti, furishëm, me dallgë më godet,
Sa më shumë që nga toka largohem,
Aq më shumë zëri yt më flet.

Filloj dalngadalë për t’u larguar,
Me mall, detin, me dorë e prek.
E ndjej që me mua është zemëruar
Tek më nxjerr me vrap në breg.

Po ndahemi sot, por po t’lë k’të letër
Që ta përkëdhelësh me nostalgji.
Mirupafshim Det! Rishihemi nesër!
Kur dielli t’na përshëndesë përsëri. Izmir Todaj

FJALË NËNE…
Dhe të tretem porsi guri, që e tret një pikë.
Dhe të zhdukem, porsi dielli do të lind përditë.
Dhe të thahem, porsi druri që nuk merr ushqim.
Si alkooli dhe të digjem, përsëri ka kthim.
Do të çohem, nuk do ngelem lëndinë e helmuar.
Muri i shembur, akt i kohës të jem shkatërruar.
Prapë do rritem, do shpërthej sythfjetur diku.
Sa hap dielli, kokën do ngre prapë të jem me ju.
Më vadisni, më ushqeni, jeta juaj burim.
Nuk humbas, jam fare mirë, do të çel mëmësinë.
Pranë më keni si ogur, rrugën çani lehtë.
Kur të jesh në udhëkryq, ”O nënë ” thirr i qetë.
Jam aty ku zgjidhja s’është, të hap derën tënde.
Kush lëndim provoi në jetë, dhe s’rënkoi ”Oh nënë”.
Jam e ndarë në copëza jete, copëza të kristalta.
Rrugë e errët po ju doli, nxjerr rrezet e arta.
Jam në shpirt, jam në zemër, ndër vena notoj.
Gjak i pastër drithërim, të keqen sfidoj. Arta Hysenaj

Pak mbi dashurinë

Dashurinë në di ta njohësh
S’mund t’i vësh kufij me trarë
Se me vrull vërshon nga zemra
Mbahet deti me litarë?!

Dashurinë në di ta prekësh
E t’i jepesh tërësisht.
Lumturi pa fund do t’presësh.
Dhe do t’vuash ëmbëlsisht…

Dashuria s’pranon kushte.
S’është e shkruar asgjëkund
Kërkon jetë, shpirt dhe vuajtje
Edhe zemrën, ta përkund.

Kërkon jeta dashuri
A dashuria të jep jetë
Nga dy anët, mrekulli
E më mirë nuk mund të ketë! Bledi Ylli

Mendon çdokush…

Mendojnë ”ata” që janë të zgjuar
Të gjithë kanë të drejtë në dituri.
Ulin kokën për të mësuar.
Edhe çdokush me aq sa di.

Mendojnë që janë të dashuruar.
Çdokush ka të drejtë të dashurojë.
Japin gjithçka për ta provuar.
E çdo njeri me çfarë provoi.

Mendojnë se dinë gjithçka nga jeta
Çdokush ka të drejtë të thotë “unë di”
Kur çuditshëm, e vërteta
Ka gënjeshtrën për karshi!

Mendojnë “ata” që janë të zgjuar.
Ndaj është edhe mendja, të mendojnë
Kur çuditërisht duke jetuar
Të gjithë harrojnë që të jetojnë!

Sikur ata të mendoheshin aq sa duhet!
Në fakt, ajo që duhet, nuk ekziston në logjikë. Bledi Ylli

MESDHEU VARREZË MASIVE

Shpresa t’pashpresa hidhen n’dallgë
prej zjarrit të barotit që ndezi dheun
foshnja t’akullta që galëxhojnë si algë
trupa t’pafrymë që mbushin Mesdheun.

Ëndrra të vrara lundrojnë mbi valë
mbyten pa puthur anën tjetër të bregut
dikush, diku, dikur i ëndërroi i gjallë
sot janë mbuluar, me ftohtësinë e ajsbergut.

Shpirtrat klithin t’pashpirt, kujshëm
shkulmet kthehen në jehonë, n’zëra që qajnë
përplaset n’brigjet e Mesdheut bujshëm
tronditet fundi detit e ngrihet cunam!

Shpresat e pashpresa, ëndrrat e vrara, shpirtrat e pashpirt
në detin Mesdhe, në atë varr masiv, u varrosën përjetësisht! Skënder Laze Trebeshina

Brenga e Shpirtit Tim

Zemra e lënduar gjak pse pikon
Kush ty të mërziti e me sy e kërkon,
Çdo gjë e vdekur nuk ngjallet, e di?
Jeto me kujtime që s’t’i prek asnji.

Ditët pa ty nuk kanë kuptim
Të përgjërohem më dërgo një shkrepëtimë,
Më jep një sinjal që për ne mendon
Fati i ynë i keq na ndau përgjithmonë.

Pak nga pak, tre marsi po vjen
Sytë e mi të përlotur, ty nuk po të gjejnë
Shumë jam munduar të të harroj
Kujtimet e bukura vetëm te ti më çojnë.

Të lutem, Zot, më jep një drejtim
Të më largosh nga ky mall-përvëlim,
Vallë pse kalova në nostalgji,
Mos ka faj shiu, ngjason me lotët e mi.

Festat e fund vitit po afrojnë
E unë më shumë e ndjej vetminë
Malet dëbora i mbuloi
Po ashtu edhe shpirtin tim… Luljeta Gjosha Pashollari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *