Të arredosh shtëpinë sipas stilit tënd apo sipas trendit të fundit? A arrihet përshtatja ideale e hapësirave të disponueshme që ke, me idetë e tua? Si të bësh një arredim të bukur nga njëra anë, por edhe funksional, nga ana tjetër? Të gjitha këtyre pikëpyetjeve dhe kokëçarjeve, do t’i jepte fund “punësimi” i një arkitekti. Eksperienca e sotme na ka mësuar se puna e arkitektit tashmë nuk është luks, por domosdoshmëri. Të tillë e konsideron edhe Seldi, një arkitekt i ri, por me shumë eksperiencë, me të cilin kemi biseduar në lidhje me këto çështje dhe të tjera…
– Përshëndetje Seldi! Në redaksinë tonë kanë ardhur shumë pyetje që kanë lidhje me punën që bëjnë arkitektët sot. Është iluzion nga ana jonë, apo vërtet ju arkitektët po mbizotëroni në tregun e punës?
– Profesioni i arkitektit ka qenë gjithnjë një nga ato profesione, që mund të quhen të elitës. Për shembull, të ishe arkitekt para 8 vjetësh, kur ishte kulmi i ndërtimeve në Shqipëri, besoj se me të vërtetë do të mbizotëroje tregun, por edhe sot, ju them me siguri se gjithnjë e më shumë njerëzit po ndërgjegjësohen se, të “punësosh” një arkitekt për projektin e shtëpisë tënde të ardhshme, është po aq e domosdoshme sa të punësosh një ndërtues apo një ekspert të çdo lloj profesioni tjetër…
– Ju vetë, merreni me ambientet e brendshme apo të jashtme?
– Unë kam mbaruar Fakultetin e Arkitekturës, duke fituar master shkencor në Arkitekturë, ku nuk është bërë ndarja për eksterior apo për interior.
– Ama duhet të keni një fushë të preferuar…
– Unë kam projektuar objekte banimi dhe shërbimi e vila, ndërsa për momentin, jam fokusuar në arredimin e ambienteve të brendshme. Të preferuar nuk kam; me të njëjtin pasion i bëj të dyja… (Buzëqesh)
– Ku konsiston puna juaj në arredim dhe si bashkëpunohet me klientin?
– Si në çdo projekt, fillimisht, zgjidhet hapësira. Për ta bërë më të thjeshtë, po marrim rastin e një dhome fëmijësh ku vendosen krevatet, dollapi i rrobave, tavolina e punës etj. Më pas vijojmë me kombinimin e ngjyrave dhe vendosjen e aksesorëve. Përgatis nje projekt ide ku lihet mundësi për ndërhyrje dhe më pas, projektin përfundimtar.
– Këtu te ne, tendenca për ta arreduar shtëpinë me një profesionist është një trend i ri dhe, rrjedhimisht, kam frikë se mund të mos kuptoheni mirë me klientët tuaj… apo jo?
– Jo domosdoshmërisht… (Buzëqesh) Nëse klienti nuk ndërhyn në projekt (jo te pjesa e ngjyrave sepse ajo bëhet në bashkëpunim), puna del shumë më bukur, se, në përgjithësi, të gjithë tentojnë të fusin diçka nga vetja, duke të kushtëzuar në idetë e tua.
– Sepse secili ka një vizion të vetin për bukurinë; në fund të fundit, ajo është shumë subjektive… si mund të gjendet një e mesme e artë; që diçka të jetë e bukur, edhe për arkitektin, edhe për klientin?
– Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po ju jap një shembull konkret. Po punoja me një klient, i cili kishte parë një shtëpi të bukur në Greqi dhe tha: “E dua shtëpinë si kjo!”. Edhe unë, sigurisht,kam parë shtëpi të bukura (buzëqesh), por në projektin që bëj, kam idetë e mia, me linja më moderne dhe bashkëkohore, gjithmonë duke iu përshtatur ambientit për të cilin flitet, por gjithsesi, që të gjendet një e mesme e artë, idetë e klientit duhet të shpalosen patjetër në projekt…
– Mos ndoshta sepse klienti ka gjithmonë të drejtë?
– Po, gjithmonë! (Qesh)
– Cili ka qenë klienti më i keq me të cilin keni punuar?
– Gjatë punës mund të ndodhë ndonjë pakënaqësi, por në fund, jua them me bindje se, të gjithë kanë mbetur të kënaqur…
– Po më i miri? Në fund të fundit, çfarë është një klient i mirë?
– Ai që të lë dorë të lirë për të shpalosur të gjitha idetë e tua, pa ndërhyrë në projekt.
– Po një arkitekt i mirë?
– Një arkitekt i mirë është ai që krijon hapërisa të miroganizuara dhe të rehatshme, ku ke kënaqësinë të jetosh dhe të punosh. Është shumë e rëndësishme të krijosh një hapësirë ku njerëzit të ndihen rehat.
– Kam përshtypjen se nuk është shumë e lehtë të zgjedhësh personin që do të projektojë shtëpinë tënde dhe, sipas shijeve të tua… Çfarë u këshilloni atyre që janë në kërkim të një arkitekti?
– Çdo njeri dëshiron ta projektojë shtëpinë e tij më së miri dhe, për përzgjedhjen e arkitektit, mendoj se mjafton të shikoni portofolin e tij e punët e kryera dhe, nëse idetë tuaja përkojnë me punët e realizuara nga ai. Mendoj se kaq mjafton…
– Ama, në zgjedhje ndodhesh edhe para një dileme tjetër: Të zgjedhësh një arkitekt të ri, që nuk ka shumë eksperiencë, por është më afër modernes, apo një tjetër, që ka eksperiencën, por ndoshta ka një stil jo shumë bashkëkohor?
– Është e vërtetë që eksperienca bën të sajën dhe unë mendoj se, nëse nuk e ka eksperiencën, është më mirë të mos e zgjidhni fare, por, unë do të theksoja një gjë: Një arkitekt i ri, i përkushtohet punës më shumë, sepse dëshiron të bëjë përpara, do që të zhvillohet dhe, sigurisht, është më bashkëkohor e më afër tendencave…
– Konkretisht, pse një person që do të bëjë arredimin e shtëpisë së tij, duhet t’ju zgjidhte juve?
– Unë kam që në vitin 2009 që ushtroj profesionin si arkitekt. Gjatë këtyre viteve kam punuar në studio arkitekture dhe, së fundi, në mobilieri, në sektorin e interierit, duke arreduar ambiente të brendshme. Aktualisht, po bashkëpunoj me disa kolegë të mitë duke projektuar objekte të ndryshme, deri në arredimin e tyre të brendshëm. Pastaj, sigurisht që klienti do të shikonte punët e mia dhe… është ai që vendos në fund!
– Keni tashmë disa vite punë. Mendoni se keni zgjedhur profesionin e duhur?
– Besoj se po. E bëj me pasion punën time.
– Cila është metoda juaj e punës?
– Bëjmë matje dhe foto të gjendjes ekzistuese, më pas përgatisim një projekt-ide ku kemi mundësi për të ndërhyrë dhe në fund, projektin përfundimtar.
– Cili është trendi i këtij viti, sa u përket ngjyrave?
– Gri, lejla e lehtë, lejla verbuese, e kuqe speci, blu e lehtë, blu verbuese, ngjyrë rëre… Këto janë disa nga ngjyrat që dominojnë në 2014-n…
– Po përsa i përket stilit?
– Linjat e thjeshta dhe moderne. Përsëri ndihet stili bashkëkohor.
– Çfarë do t’i këshillonit dikujt që sapo ka blerë një shtëpi dhe kërkon ta arredojë atë?
– Të mos mendojnë asnjëherë që të marrësh një arkitekt është një shpenzim i kotë ose luks. Për më tepër, do kurseni në projektin e shtëpisë. Puna gjatë këtyre viteve më ka mësuar se, gjatë projektit shumë klientë kanë bërë gabime që s’i kthen dot mbrapa. Për të mos bërë dy herë punë brenda pak viteve, u këshilloj t’i drejtohen një arkitekti që në fillim të punës.
– A nuk kushtojnë shumë arkitektët?
– Angazhimi im për klientët është i pastër dhe i thjeshtë: Zgjidhje e zgjuar, shërbim i mirë, kosto efektive projektimi. Unë dëgjoj klientët përpara se të projektoj, për të kuptuar nevojat e qëllimet që kanë dhe, me aftësitë e mia krijoj zgjidhje, duke i kaluar pritshmëritë e tyre. Marrëdhëniet ndërmjet nesh kanë qenë përherë pozitive, ndaj të jeni të sigurtë se arkitektët kushtojnë aq sa meriton puna e tyre… (Buzëqesh)
– Së fundi, Seldi, duke ju falënderuar dhe duke ju uruar suksese në punë, ku mund t’ju gjejnë ata që janë të interesuar?
– Edhe unë ju falënderoj. Unë kam faqen time në internet:www.seldishehu.al, ku të interesuarit mund të shikojnë edhe punët e mia dhe, nëse vendosin të më kontaktojnë, numri i telefonit është: +355 682060611 dhe e-mail: info@seldishehu.al.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *