Hëna e largët
Hëna, e zbehtë si fytyrë njeriu.
Në rrugë era lehtë më puth faqet.
Këto erëra që fryjnë nga Veriu,
kanë filluar t’i ftohin parqet.
Me të gjitha hiret, ka zbritur vjeshta,
me të ngrohtën e ditës, me freskun e darkës,
me gjethet, të cilat, përtoken në parqe,
me hënën e zbehtë dhe të largët. Ollga Selmani (farmacistja)

Pranë teje

Do të doja të ecja pranë teje
të flisja, të flisja shumë gjatë
Do të doja të mos kish largësi
një pritje pse duhet të zgjasë
Do të doja aromën e trupit
ta ndjeja dhe ëmbël ta shijoja
Të puthja unë buzën e nxehtë
T’i shkrija ndjenjat do doja…
Do mundja të vdisja pranë teje
në paqe me ty veç të isha
Do dhuroja gjithçka nga vetvetja
po vetëm këtë mall e dhimbje të mos kisha. Ina Vlorë

Dashuri pa dëshirë

Nuk jam prift, as hoxhë dhe as do t’doja
Mund t’i shërbej Zotit në tjetër mënyrë.
Të të fal unë ty, nuk është nevoja,
…ti nuk ke veç një fytyrë!

U mundova me dhjetëra herë në rol shenjtorësh,
Të fala edhe pse nuk më pëlqen si gjest.
Jo çdo gjë kalohet, thjesht në çështje orësh.
Kur të thyhet zemra, s’është plagosje e lehtë!

Ndonjëherë më jepje dashuri, nuk them se jo.
Por s’kishte ngrohtësi, as xhentilesë, as takt.
Gjithë jeta jote, në një axhendë e programuar.
…por dashuria nuk është pakt!

Herë të tjera kur kujtoheshe për mua,
Apo ndoshta ishte koha jote e lirë
Me dhjetëra herë me pyesje, a të dua!
Edhe unë e tundja kokën pa dëshirë!

Nuk mund të bëhem pjesë e dashurisë tënde,
Sepse dashurinë, unë, nuk e ndaj në pjesë.
Dashuri, nuk quaj ”krevatin” në një mbrëmje.
Por puthjet frymëmarrëse, çdo mëngjes…! Bledi Ylli

Monolog
U zhvesha nga gjithë ndjenjat e këqija
Ula kokën poshtë… lotët të pikojnë
Krahët, çuditërisht, kishin bërë mrekullira
nisën lart… shumë lart të shkojnë

Sa lehtë mund të fluturoja kaltërsive!
Nuk kisha asnjë peshë, të më rëndojë
…dhe shpirti ish i pastër… veç çiltërsi mund të peshojë…
Nisa lart të fluturoj… nuk kthehem… dua të shkoj! Henrieta Pareshi

PSE?
Pse kur dalim në jetë me të madhe qajmë,
pse kur themi fjalën e parë e perziejmë me lot?
Pse hedhim hapat e parë, gjakosemi kaq shumë,
Pse ndodhin këto, askush nuk di ta thotë.
Pse kur familjen ngremë vihemi në mendime,
pse kur bëhemi prindër ne gëzojmë, jo pak.
Pse vuajmë kur fëmijët rriten e emigrojnë,
pse vallë ndodh me ne, gjithë ky merak?
Ne jemi një komb me histori si drita,
Ne jemi një komb ku toka pikon veç flori.
Pse vallë me ngulm kërkojmë që të ikim,
e të mos i kthejmë më sytë pas, kush e di?
Pse ata që na gjykojnë shiten për pesë pare,
pse vallë drejtësia jonë diku ka humbur?
Pse njerëzit e ndershëm, i vrasin në pusi,
pse në prita gjejmë kaq jetë të këputur?
Pse vuajmë kaq shumë dhe ecim mbi flori,
pse në shtëpi të shkreta lotojnë të vetmuar?
Pse parlamentarët grinden si me hasmin,
pse s’mendoni për popullin që keni harruar?
Pse të pafat jemi, me sytë kthyer nga qielli,
dhe pse këtë fat nuk e meritojmë natyrisht.
Ndoshta nuk ka lindur ai që do të na prijë
dhe deri atëhere le të derdhim lot të trishtë. Luljeta Gjosha Pashollari

Ëndrra
Nëpër ëndrra humbas unë
dhe ëndrrës jo s’i gjej shpjegim
herë më vjen e turbulluar,
Herë më vjen edhe si zhgënjim
Sa dua ëndrrën ta ndryshoj
realitet ta bëj atë,
E realitetin të jetoj
ëndrrat të mos më mashtrojnë më…
E realiteti që dua unë
është pranë teje të qëndroj…
E përmbi supet e mia
dora jote të më ledhatojë… Maurisja Xhamaqi

U tretën vitet si me magji

U tretën dimrat, ashtu si unë,
U tretën vjeshtat, ashtu si ti.
Të mbijnë fijet e barit zunë,
E yjet u thinjën mbi çati.

Si gjithë të tjerët në këtë botë
Ëndërrova unë, ëndërrove ti,
Ca pika shiu u kthyen në lot
Në sytë e tu e në qiejt e mi.

Më ç’vlerë ka se si ishin ditët,
Se si ishin netët më s’ka rëndësi,
Qivur’ i ëndrrës ngadalë do ngrihet,
T’i bëjë ballë erës me krenari.

Si shpend’ i dritës në muzgje qielli
Këndova e u zhduka si me magji,
E kush do kujtohet se isha si dielli,
Se ishe një hënëz plot hijeshi? Miltiadh Davidhi

“Shoh ju them”

Shoh të ardhmen pa figura,
Nuk jam Zot, as magjistar
Shoh ju them, karikatura,
Djaj të etur për të vrarë!

Shoh ju them, pas horizontit
Nga vijnë zëra të tmerruar
Aty ku s’prek dora e Zotit
Djaj shoh djaj, të korruptuar!

S’është e keqja aq sa duket
Ka ”Hitlera” edhe sot.
Shoh ju them përtej së keqes.
Por një ”fund” s’ia gjeta dot!

Eh, e keqja është pafund,
Vdekja më, nuk vjen nga Zoti
Buzëqeshja çdo ditë humb
Në vend të saj po shtohet loti!

Kam dy duar, të zë sytë,
Shpirtit fre nuk mund t’i vë.
Padrejtesia më shumë mbyt,
U mbush kupa nuk mban më!

Merri sytë e mi për pak
Shih të ardhmen si zvarritet
Mos u tremb në sheh veç gjak
Edhe ”fundin” që vërtitet!

Shoh të nesërmen pa fytyra
Po ju them, pa fare kokë.
Bëhu shpresë, ti, Magelani
Na zbulo një tjetër tokë! Bledi Ylli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *