1. Kokorja (apo shapka, si i thonë rusët) të tregon moderne apo qesharake?
– Kur shohim Pipa Midëlltonin që shkëlqen me pallton e saj të verdhë dhe me këtë kokore të hijshme (e cila shpresojmë të jetë prej peliçeje artificiale), themi me vete se kjo kapele ruse XL ka stil. Por, që të mos dukemi qesharake, duhet të bëjmë kujdes: Së pari të zgjedhim një model të thjeshtë, me përpjestimet e duhura, duke evituar modelet “me veshë”, me të cilat dukesh si adoleshente. Më pas, privilegjoni ngjyrat natyrale (po të shihni me kujdes, kokorja ka të njëjtën ngjyrë me flokët e Pipës), sesa ato me ngjyra të ndezura, që të tregojnë vulgare. Në fund kombinojeni kokoren me një luk jo shumë sportiv dhe të shoqëruar me aksesorë shik, që të tregojnë të sofistikuar (zgjedhje e mirë është çanta e dorës prej druri ekzotik).
2. A nuk të tregojnë shumë adoleshente veshjet prej lëkure me perçina dhe shkrime?
– Xhaketën prej lëkure dhe veçanërisht atë në versionin e motoçiklistit, nuk kemi më dëshirë ta mbajmë si të gjithë, krejtësisht të zezë dhe me disa perçina, aq më tepër kur për modën e pranverë-verë, janë futur zbukurimet metalike, stampimet e ndryshme dhe ngjyrat. Atëhere, mund ta zgjidhni dhe zbukuroni vetë xhaketën tuaj sipas dëshirës, për të pasur një veshje unike dhe në modë. Kështu, pra, ajo mund të jetë në formë xhuboksi, me stampime, me perçina të vendosura nëpër mëngë apo qafë (ose gjetkë) apo me një krem me xixa argjendi apo ari të aplikuar me sfungjer, që do t’i japë shkëlqim. Por, kujdes!
1. Duhet të jeni e aftë të zotëroni teknikën e zbukurimit (kërkojini ndihmë ndonjë shoqeje që merr vesh, nëse nuk doni të prishni xhaketën).
2. Evitoni mesazhet prej adoleshenteje, si emri i grupit muzikor të preferuar me korrektor të bardhë, ose një slogan prej rebeleje.
3. Evitoni motivet e vjetra si yjet apo zemrat, që mund të shkonin mbi çantën e shkollës, por nuk janë më të përshtatshme tani.