E lexuat gazeten Intervista sot? Kishte shume intervista interesante apo jo? Por e dini se kishte edhe shume personazhe qe nuk i intervistuam dot? Ja, disa nga ata…

EDI RAMA
Këtë javë, pas kthimit nga Beogradi, deshëm të intervistonim kryeministrin tonë, Edi Rama, por nuk mundëm. Nuk na erdhi radha, se ai ishte shumë i zënë, me konferenca shtypi e me intervista nëpër televizione. Më pas, u nis drejt Suedisë…
Në fakt, më shumë sesa ta pyesnim, ne deshëm ta përgëzonim atë për dinjitetin e treguar gjatë kësaj vizite. Rrallë, për të mos thënë kurrë, i kemi parë politikanët tanë të sillen si të barabartë me të huajt. Më shumë i kemi parë duke u buzëqeshur, si “të lëpirë”, apo duke u shtrënguar duart si kllounë cirku. Edi Rama nuk ishte kështu, ishte më shumë se i barabartë me homologun serb. Ishte më lart se ai…

SALI BERISHA
As ish-kryeministrin, zotin Berisha nuk e takuam dot këtë javë. Ishte shume i zënë me Facebookun, ndoshta, pasi vazhdimisht, siç mund ta keni vënë re, ai publikon statuse ose komente. Zotin Berisha këtë javë deshëm ta pyesnim pikërisht në lidhje me një status që shkroi në Facebook ditën që zoti Rama ishte në Serbi. Sapo Rama mbaroi konferencën e shtypit, ai shkroi: “Konferenca e shtypit Vuçiç-Rama degradoi sikur të ishte konferencë shtypi midis Dukës dhe kreut të Federatës Serbe të Futbollit!!”.
Çfarë nuk i pëlqeu zotit Berisha nga ajo konferencë shtypi? Që Rama përmendi Kosovën, apo që u mërzit Vuçiçi? Çfarë duhej të bënte Rama, sipas zotit Berisha: Të mos fliste për Kosovën, apo ta quante “Kosovska-Metohija” e të thoshte që ajo është Serbi? Apo të kërkonte falje që nuk ka ndihmuar Serbinë në luftën që ajo ka bërë e bën për Kosovën, siç ndihmoi zoti Berisha Milosheviçin me naftë shqiptare për të çarë bllokadën?! Apo duhej t’i kërkonte falje që PS-ja nuk ishte kundër nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, siç ishte PD-ja?
Në fakt, ne jemi të bindur se, edhe nëse Rama nuk do të përmendte Kosovën në Beograd, përsëri Berisha nuk do të ishte dakord dhe do ta kundërshtonte atë në Facebook. Njësoj si te ajo përralla me gomarin e etur për ujë:
– Çfarë uji i dhe gomarit?
– Të ngrohtë.
– Obobo, ma dogje gomarin!
– Të ftohtë, më fal se u ngatërrova.
– Obobo, ma ftohe gomarin!

ADRIATIK LLALLA
Para disa ditësh, takuam një prokuror nga rrethet. Dukej i lodhur…
– Ngelëm dukë bërë arrestime për vjedhjen e energjisë, – na tha ai. – U mbushën dhomat e paraburgimit dhe burgjet plot, por më duket se hyra në gjynah… Të gjithë abonentët e arrestuar sot, kanë qenë pa dhëmbë në gojë, fukarenj…
E ngushëllova, duke i thënë se nuk po bën asnjë mëkat, se po zbaton ligjin. Ndërkohë, m’u kujtua ajo që lexova në shtyp para ca ditësh, që njërin nga ata që vidhnin energjinë, Kujtim Brovinën, anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD-së, me vilë trekatëshe në qytetin “Studenti”, gjykata e kishte lënë me “detyrim paraqitjeje”. Ndofta ky dënim është i arsyeshëm, ndofta dënimi me burg i vjedhësve të energjisë është shumë radikal, por a janë të gjithë të barabartë para ligjit? Pse me ca ligji sillet si “i nënës” e me ca si “i njerkës”? Ja, këtë pyetje deshëm t’i bënim këtë javë kryeprokurorit Adriatik Llalla…

SAJMIR TAHIRI
Deshëm të intervistonim këtë javë edhe Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Deshëm ta pyesnim në lidhje me disa fotografi që qarkulluan këtë javë në internet. Aty dukej zyra e tij elektorale në Kombinat dhe një kabëll që futej në zyrë direkt nga shtylla. Mbase këtu s’kishte asgjë të jashtëzakonshme se matësi elektrik mund të ishte brenda zyrës, por kishte diçka, sepse të nesërmen qarkulluan përsëri disa foto ku tregohej se kablli ishte hequr gjatë natës. Ndaj nuk mund të mos e pyesim zotin Tahiri: Pse u hoq natën kablli nga zyra e tij? Do ta hiqte sikur të mos dilte fotografia në internet? Mos, “qoftë larg”, po vidhte edhe ai energji? Kush do të futet në burg me këtë rast?

DITMIR BUSHATI
E mbani mend se sa është mburrur Ministri ynë i Jashtëm, zoti Ditmir Bushati se e zgjidhi problemin e pasaportave të fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi?! Ai në fakt ndikoi që shteti shqiptar dhe ai grek të binin dakord për një marrëveshje që lejon kalimin e lirë të fëmijëve deri më 31 dhjetor 2014. Po pas kësaj, e di zoti ministër se ç‘do të ngjasë? Mbas festës së Vitit të Ri, nëse fëmijët e lindur në Greqi nuk do të kenë ndërruar pasaportë, nuk do ta kalojnë më kufurin. Ndaj emigrantët shqiptarë në Greqi po nxitojnë të bëjnë për fëmijët pasaporta të reja në bazë të vendimit të qeverisë shqiptare, ku emri do të shkruhet siaps standardeve europiane. Por, a e di zoti ministër se shqiptarët duhet të paguajnë për pasaportat, jo pak, por 108 euro për çdo fëmijë të lindur në Greqi?! Dhe e gjitha kjo, për faj të shtetit, që e ka shkruar gabim vendlindjen e tyre…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *