Egjipti mund të hapë së shpejti për turistët zonën para Sfinksit, monumentit kolosal, i cili ka qenë duke u restauruar në afro 4 vjetët e fundit. Sfinksi është gdhendur duke përdorur një shkëmb të vetëm dhe është një nga monumentet më të vizituara të botës. Ai restaurohet vazhdimisht për shkak të dëmtimeve nga ndotja e ajrit dhe nga uji i nëndheshëm. Guri gëlqeror, gjysmë njeri, gjysmë luan, qëndron mbi një bazament guri nën nivelin e zonës ku janë ndërtuar piramidat e Gizës, në rrethinat e Kairos. “Oborri i Sfinksit do të hapet për herë të parë që prej restaurimit të monumentit”, u ka thënë gazetarëve Ministri Egjiptian i Antikiteteve, Mohamed al-Damati. Megjithatë, ende nuk është caktuar një datë e saktë për hapjen, ka shtuar Mohamed al-Saidi, i cili po mbikqyr restaurimin. Ky i fundit po bëhet për të zëvendësuar disa pllaka guri në anën e majtë të statujës “ku kishte disa të çara” dhe veshjen e qafës e gjoksit të Sfinksit me një shtresë të re, për të parandaluar erozionin e mëtejshëm”, ka thënë Saidi. “Sapo të hapet oborri, turistët mund t’i vijnë rrotull Sfinksit”, ka thënë ai. Sfinksi është ndërtuar nga dinastia e katërt e faraonit Khafre. Arkeologët nuk e dinë ende qëllimin e ndërtimit të tij, por shumica besojnë se është ndërtuar për qëllime fetare dhe astronomike. Damati tha se për herë të parë për publikun do të hapet edhe një tempull i vogël, i ndërtuar afër Sfinksit nga faraoni Amenhotep II, i dinastisë së 18. Ai shtoi se piramida Menkaure, më e vogla nga tre piramidat e Gizës, do të rihapet në fund të nëntorit, pas tre vjetësh pune restauruese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *