Nëse interviston Ledin, një gjë e di me sigurinë absolute: Këtyre pyetjeve, jo shumëkush mund t’u përgjigjet si ajo! Çfarë prisni për të na dhënë të drejtë? Ja, intervista e vajzës që nuk i njeh komplekset…
Fabjola Kuburi: – Ledi, çfarë ka ndryshuar në jetën tënde nga hera e fundit që kemi folur bashkë?
Ledi Vokshi: – Ledi është në evolucion të vazhdueshëm dhe gjithmonë në majë të risive. Kishit ndonjë dyshim për këtë?! (Buzëqesh)
– Kënga e radhës është “në furrë” apo do akoma kohë?
– Është në furrë dhe, shumë shpejt, do ta shihni në ekranet muzikore shqiptare. Si çdo herë, nuk do t’i zhgënjej fansat e mi të shumtë sepse ata e dinë që Ledi di të jetë pranë tyre me më të mirën dhe më origjinalen.
– Para se të realizosh një këngë, kujdesesh të studiosh tregun e çfarë kërkon ai, apo nisesh nga shijet e tua dhe kaq?
– Unë e di çfarë do dhe çfarë pret publiku nga unë, kështu që nuk e kam të vështirë ta përcaktoj natyrën e këngës apo klipit të radhës. Deri më sot kam qëlluar në shenjë dhe do të qëlloj përsëri…
– Çfarë mendon se kanë të përbashkët muzika dhe meshkujt?
– Të dyja janë tërheqëse dhe nuk rrihet pa asnjërën prej tyre. Edhe muzika është e domosdoshme, edhe meshkujt. A nuk kam të drejtë?
– Kur meshkujt bëhen të lodhshëm?
– Kur nuk dinë të sillen dhe ta bëjnë femrën e tyre të ndihet si një princeshë. Monotonia lodh!
– Çfarë nuk do t’i falje kurrë një mashkulli?
– Gënjeshtrën dhe tradhtinë!
– Cila gjykon se është vetia më e mirë që të karakterizon?
– Jam vetvetja, jam origjinale dhe kjo është ajo që i tërheq të tjerët te Ledi.
– Në paraqitjet e tua, pavarësisht stilit, ajo që të bie në sy është tendenca e fundit. Ngaqë je e dhënë pas modës apo gjithçka është rezultat i shijes tënde?
– Vishem ashtu si më pëlqen, por i ndjek tendencat e fundit. Në fund të fundit, veshja e bukur është një vlerë më tepër në personalitetin e një femre.
– Është më mirë të vishesh vetë apo të të veshin të tjerët?
– Të dyja, mirë janë, por unë parapëlqej të vishem vetë. Zgjedh, vesh, ndihem mirë; kjo ka rëndësi për mua.
– Je e dhënë pas risive dhe shpikjeve HiTech? Cila është blerja e fundit që ke bërë?
– Jam goxha e dhënë pas shpikjeve të reja teknologjike! Kohët e fundit, kam marrë një Iphone që nuk ka shumë që ka dalë në treg. Doja ta kisha me patjetër dhe, ja ku e kam!
– Çfarë do të doje ti të shpikej?
– Teknologjike? Nuk e di, çdo ditë po del diçka e re dhe shumë e bukur; fantazia nuk paska fund!
– Çfarë do të doje të zhdukej?
– Kompjuterat me kurriz të madh! Apo janë zhdukur tashmë? (Qesh)
– Ka ndonjë gjë që do të doje ta bëje, por ende nuk e ke marrë guximin ta bësh?
– Ka shumë gjëra që nuk i kam bërë akoma, por kjo nuk do të thotë që nuk kam pasur guxim t’i bëj. Thjesht, nuk ka qenë koha e duhur!
– Cila ka qenë hera e fundit kur ke tërhequr vëmendjen e një mashkulli?
– Unë e tërheq gjithmonë vëmendjen e meshkujve! (Qesh)
– Si është për ty një person të cilin nuk do të doje ta humbisje kurrë?
– Ka fytyrën e familjes sime; janë njerëzit që lutem të mos i humbas kurrë.
– Ledi, “fiksimi” i kujt je ti?
– Fiksimi yt jam, se më vdiqe me këto intervistat! (Qesh) Jam fiksim i atyre që duan origjinalen dhe të vërtetën.
– Po fiksimi yt, kush është?
– Eh, këtë nuk ta them dot tani. Herës tjetër! (Qesh)
– Çfarë mund të ketë dikush tmerrësisht fiksim?
– S’e di, nuk kam pasur ndonjëherë ndonjë fiksim të tmerrshëm.
– A është Ledi e “fiksuar” kur dashuron?
– Është e fiksuar pas dashurisë!
– Je supersticioze?
– Pak, jo shumë. Më shumë veproj me arsye.
– Janë më fiksim djemtë e Tiranës, të Durrësit apo te Nju Jorkut?
– Djemtë e Shqipërisë! (Buzëqesh)
– Po pas parasë, je e fiksuar?
– Jo, jam e fiksuar të harxhoj para. (Qesh)
– Të është ngulitur ndonjëherë ndonjë gjë në mendje, që pastaj të është kthyer në fiksim dhe mezi e ke hequr?
– Jo, atë që më ngulitet në mendje e bëj, nuk ka llafe me Ledin.
– Të kanë ndihmuar prindërit me para, apo ia ke dalë gjithnjë mbanë vetë?
– Gjithmonë ia kam dalë vetë, nuk jam tip që varem nga prindërit!
– Je e fiksuar pas rrotacionit? Domethënë, nëse e bën njëherë një gjë, do ta bësh përsëri, edhe pse mund të jetë gabim?
– Nëse një gabim e përsëris, do të thotë se më ka pëlqyer, apo jo? (Qesh)
– Të çmend më shumë një aromë parfumi apo një fustan?
– Të dyja.
– Të pëlqen më shumë fluturimi me parashutë apo motorrat e ujit?
– Adrenalinë janë të dyja këto!
– Ke fiksim të bësh apo të të bëjnë foto?
– Më pëlqen të bëj, por më shumë dua të më bëjnë foto. Më pëlqen të jem objektiv i aparatit fotografik.
– Ke fiksim të puthësh apo të të puthin?
– Edhe të më puthin, edhe të puth. (Qesh)
– Kush vret më shumë, fiksimi apo dashuria?
– Besoj se të dyja, por fiksimi është më i keq!
– E fiksuar pas yjeve apo lë realitetin të veprojë?
– Jam me këmbë në tokë.
– E fiksuar pas lojërave të fatit?
– Jo, asnjëherë nuk kam qenë e dhënë pas lojërave të fatit.
– Më shumë pabeve apo lokaleve me muzikë live?
– Pabeve më shumë, por edhe një lokal me muzikë live të bukur, nuk do të ishte keq.
– Kënga për ty është profesion, pasion apo stil jetese?
– Është një univers i tërë, një tërësi pa të cilën nuk do ta dija kuptimin e jetës.
– Mendon se meshkujve u pëlqejnë më shumë këngët e tua apo trupi yt?
– Shpresoj që t’u pëlqejnë më shumë këngët. (Buzëqesh)
– Në dashuri, je po kaq dominante sa në këngë?
– Jam dominante kudo, jo vetëm në dashuri.
– Çfarë të mërzit më shumë?
– Gënjeshtra.
– Si do të doje ta nisje ditën nesër?
– Si çdo ditë, plot me energji pozitive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *