Përshëndetje! Ajo që më shtyu më tepër ta tregoja historinë time është se ka lidhje me diçka në të cilën unë më parë nuk kisha besuar kurrë: Magjinë! E gjitha nisi në një ditë me shi kur unë, si për dreq, kisha harruar çadrën në shtëpi, ndërkohë që në ditë të tilla nuk e harroja kurrë. Pasi mbarova mësimin, meqë po binte shi, vajta me shoqen te kafeja përballë fakultetit. “Pimë një kafe derisa të pushojë shiu”, tha ajo dhe shkuam. Në fakt, kisha shumë nevojë për atë kafe sepse nuk e kisha pirë ende kafen e mëngjesit dhe koha me shi më bënte edhe më të përgjumur. Me pak fjalë, atë ditë nuk isha fare në terezi, doja vetëm të pija kafen dhe të bisedoja me shoqen time, Elën, të cilën e njihja prej vitesh. Por, disa gjëra ndodhin pikërisht atëhere kur nuk i pret dhe ato janë gjërat më të bukura. “Më fal, ke një çakmak?”, më tha Ela. Në fakt, po më drejtohej dikush nga tavolina tjetër dhe unë nuk e kisha dëgjuar fare, prandaj edhe i ishte përgjigjur ajo. Në fakt, Ela ishte ajo që po pinte cigare, pasi unë nuk e pija, por ai përsëri më ishte drejtuar mua. Pasi mori çakmakun, ai djali vazhdoi të më shikonte shumë ngultas aq shumë saqë fillova të ndihesha në siklet nga ato vështrime.

“Ela, çohemi më mirë? Unë po ndihem në siklet sepse ai vazhdon të më shohë gjatë gjithë kohës”, i thashë.
“Ndoshta nuk e ka me ty, thjesht ka hedhur vështrimin te ti dhe mendimet i ka diku tjetër”, tha ajo.
E pashë e çuditur, por nuk ia vura re. “Unë po iki sepse edhe shiu pushoi”.
“Prit, rrimë edhe dhjetë minuta dhe ngrihemi”, tha ajo. S’po e kuptoja pse dëshironte të qëndronte kaq shumë. U ula edhe njëherë, nuk doja t’ia prishja, se të ishte për mua, kisha vajtur në shtëpi. Nuk vonoi as pesë minuta dhe ai djali erdhi përsëri në tavolinën tonë. Vura re që Elës i qeshi fytyra dhe u tregua menjëherë e gatshme ta pranonte në tavolinën tonë, kur ai kërkoi leje për t’u ulur. Po çuditesha me Elën sepse kisha kohë që e njihja dhe nuk e kisha parë të sillej kështu! Djali misterioz u prezantua:
“Unë quhem Nardi. Më falni nëse erdha kështu papritur sepse nuk më njihni, por sapo ju pashë dhe do të më pëlqente që të njiheshim. Dhe, pse jo, të krijonim një shoqëri për të cilën mendoj se do jetë e bukur”. Unë nuk fola fare, më saktë, Ela nuk më la kohë as të flisja sepse akoma pa mbaruar Nardi fjalinë, “Me kënqësi”, tha. E pashë edhe njëherë ngultas në sy dhe e kuptova që asaj po i pëlqente Nardi. Ndoshta harrova të përmendja një fakt, që Nardi ishte një djalë shumë simpatik; zeshkan, me sy kafe të errët, me trup mesatar dhe me shumë shije në veshje. Por pavarësisht se ajo e pëlqente, Nardi shikonte nga unë gjatë gjithë bisedës. Unë ulja shikimin poshtë shpesh për të mos u ndeshur me shikimin e tij.
“Stela, ti po më dukesh shumë e urtë sepse vetëm një “Çkemi” ke thënë deri tani”, m’u drejtua ai me një buzëqeshje.
“Kështu jam me personat që sapo i njoh”, ia ktheva me një buzëqeshje ironike.
Ai e pa që nuk e pëlqeja dhe që nuk kisha ndonjë dëshirë të madhe për ta njohur, por përsëri insistonte të bisedonte me mua. Donte të më njihte, të dinte edhe më shumë për mua, ndërkohë që Ela mundohej t’i jepte sa më shumë muhabet. Madje, një moment e kapa duke më shikuar me inat, duke qenë se Nardi ishte fokusuar i gjithi tek unë. Nuk më pëlqeu aspak ai shikim që më hodhi. Atë ditë po e njihja ndryshe Elën, e cila ishte treguar gjithnjë e dashur me mua, si një motër. Unë nuk mund të isha pengesë për të, sepse nuk po tregoja asnjë interes ndaj Nardit. Nardi më la numrin e tij të telefonit që të kontaktonim dhe të takoheshim përsëri. Rrugës për në shtëpi, Ela nuk foli asnjë gjysëm fjale. Dukej që ishte e mërzitur! As unë nuk i fola. U përshëndetëm dhe u ndamë afër shtëpisë sime. E kisha vendosur që sapo të shkoja në shtëpi, ta fshija numrin e Nardit sepse mendoja se nuk do më interesonte, por harrova. Mora të lexoja pak për të nesërmen sepse kisha seminar, por seç filluan të më vinin disa mendime në kokë në lidhje me takimin me Nardin e bisedën që u bë në tavolinë. Atij djalit që nuk e honepsja dot, as nuk kisha dëshirën më të vogël për ta njohur dhe që ia regjistrova numrin sa për mirësjellje, tani kisha një dëshirë të brendshme t’i dëgjoja zërin. Doja t’i dëgjoja edhe njeherë komplimentet që më bënte apo shikimin që më hidhte herë pas here. “T’i telefonoj?”, thoja me vete, por përsëri ndryshoja mendim. Nuk duhet të isha unë e para që duhet të regoja. Pastaj, kur mendoja Elën, stepesha edhe më shumë. E dija që nëse unë dhe Nardi do njiheshim më tepër, shoqëria ime me Elën do merrte fund sepse edhe pse ajo nuk u shpreh me mua, e kuptova që e pëlqeu shumë Nardin. Dhe kështu, e lashë fare si muhabet, edhe pse gjithë natën, sapo mbyllja sytë, më shfaqej fytyra e tij. Të nesërmen, si për çudi, e pashë Nardin para portës së fakultetit, duke pritur me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë. Ela shtangu dhe më tha se duhej të nxitonte për në klasë sepse ishte shumë vonë. As nuk e përshëndeti Nardin dhe iku. Ky e pa i çuditur, por u kthye të më takonte mua. “Çfarë ka Ela?”, më pyeti. “Ishte vonë për në mësim”. “Mund ta pimë bashkë kafen e mëngjesit?”, vazhdoi ai. Unë instiktivisht i thashë “po”, edhe pse atë orë kisha seminar dhe do merrja mungesë. U ulëm në kafe dhe që aty, Nardi çdo ditë e më shumë po ma fitonte zemrën. U kthye nga ai djali të cilin s’doja ta shihja, në personin që dashuroja më shumë.
E mori vesh Ela dhe ashtu siç e kisha menduar, shoqëria jonë filloi të ftohej shumë. Filluam të flisnim nga shumë rrallë, në fare, në fakultet shkonim dhe ktheheshim veç e veç (mua vinte të më merrte Nardi). Lidhja jonë po shkonte aq mirë, kishim bërë aq shumë plane dhe ishim drejt fejesës, por në të tilla raste, do të dalë gjithmonë diçka që do të ta prishë lumturinë. Dhe ajo që e prishi lumturinë time ishte pikërisht ajo… ish-shoqja e ngushtë që e kisha dashur si motrën time. Urrejtja e Elës për mua nuk njihte limite, ndaj ajo ishte angazhuar me të gjitha mënyrat që të ma merrte Nardin. Ishte fokusuar që ta bënte për vete dhe ia arriti me mënyrat e saj të poshtra, mënyra të cilat nuk e kisha besuar ndonjëherë se mund të funksiononin. Unë i quaja thjesht “legjenda urbane”, por ja që kur e provon vetë, e beson. Pas një periudhe kohe, vura re që marrëdhënia ime me Nardin kishte filluar të ftohej. Nuk ishte më ai i pari që më përkushtohej si në fillim. Mendova se mos kjo ndodhte me të gjithë meshkujt që pasi e bëjnë për vetë një femër, nuk kanë më atë përkushtimin e fillimit. Por jo, në rastin tim, po ndodhte diçka krejt tjetër. Sa herë që i thoja për ta takuar (sepse tani ai më kërkonte shumë më rrallë, për të mos thënë fare), Nardi më nxirrte ndonjë justifikim apo më takonte pesë minuta dhe më thoshte se kishte punë dhe se duhej të ikte. S’po e kuptoja çfarë po ndodhte! Nuk po gjeja dot një përgjigje për këtë sjellje të çuditshme nga ana e tij, derisa ne u ndamë dhe unë kuptova se pas gjithë kësaj që po më ndodhte, ishte shoqja ime…
Ela arriti deri aty sa na ndau! E arriti atë që deshi. U bëra shumë keq sepse nuk e prisja këtë ndryshim të papritur ndjenjash të tij. Ai nuk kishte treguar ndonjëherë ndonjë interes ndaj Elës dhe tani ishin bërë të pandashëm me njëri-tjetrin. Kudo i shikoje bashkë, edhe në pushime shkonin bashkë. E përjetova edhe më keq lajmin se ata të dy po shijonin bashkë pushimet. Më lëndoi shumë kjo ndarje pa kuptim. Vuajta shumë për muaj të tërë edhe për faktin që këtë ma bëri shoqja ime, por mblodha forcat dhe nisa e bindur të kërkoja shpjegimin e ndryshimit të tij kaq të papritur! Çfarë i kishte bërë ajo femër që e kishte ndryshuar aq shumë Nardin? Fillova të pyesja persona që e njihnin Nardin dhe ata që e njihnin Elën. Kështu, pak nga pak, nëpërmjet tyre po i mësoja përgjigjet e dyshimeve të mia.
“Ela është femër shumë e poshtër. Ajo dhe familja e saj gjithmonë janë përfolur se praktikojnë magjitë”, më tha një shoqja e saj. Aty qesha dhe i thashë se kjo nuk ishte e mundur, pasi unë e njihja prej vitesh Elën dhe asnjë moment nuk kisha dëgjuar të flitej diçka e tillë për të apo për familjen e saj. “Është shumë e vërtetë, por meqë nuk më beson mua, mund të pyesësh kushërirën e saj. Ajo do të të tregojë të vërtetën sepse edhe pse e ka kushërirë, nuk flasin më me njëra-tjetrën, pikërisht për këtë që sapo të thashë”. Pas kësaj që më tha, fillova të dyshoja vërtet. Por si kishte mundësi që për kaq shumë kohë, unë nuk kisha marrë vesh asgjë të tillë? Sa më shumë gjëra mësoja për të, aq më shumë po bindesha se nuk e kisha njohur fare atë femër për të cilën kisha pretenduar përgjatë gjithë atyre viteve se e kisha patur mike të ngushtë. Ajo u bë armiku im më i madh! U bëra shumë keq, nuk dija më çfarë të mendoja. Si mund ta prishja magjinë që ajo i kishte bërë Nardit? I humba të gjitha shpresat derisa takova kushërirën e Elës, për të vërtetuar ato që kisha dëgjuar për të. Në fillim ngurroi të më tregonte, por pasi i tregova historinë time, më tregoi gjithçka. Ela kishte përdorur magjinë për të bërë për vete Nardin dhe madje e kishte bërë që ai të dashurohej me të. Aty nuk e përmbajta dot veten dhe fillova të qaja me dënesë. Qaja sepse mendoja se kjo nuk kishte më kthim; çdo gjë kishte marrë fund dhe Nardin e kisha humbur njëherë e përgjithmonë.
“Mos u dorëzo. Çdo gjë e ka një zgjidhje. Po ashtu edhe rasti yt dhe unë do të të ndihmoj që ta kthesh përsëri Nardin te ti”, më tha.
“Nuk besoj se kjo është më e mundur. Unë nuk mund të bëj asgjë kundër një magjie e cila është shumë herë më e fortë se unë. Ajo arriti të më ndajë nga dashuria e jetës sime, në dashurinë e të cilit ndaj meje isha shumë e bindur”.
“Këtë do ta shohim. Unë do të të ndihmoj”, më tha ajo dhe kështu më qetësoi paksa.
Shkova në shtëpi, por sapo u futa në dhomë, lotët nuk po më pushonin. Më kalonin para syve shumë situata, fillova të hamendësoja si kishte vepruar ajo. Si mundi të ma bënte diçka të tillë? Mbajta kontaktet me kushërirën e Elës, e cila vërtet më ndihmoi. I lutesha Zotit çdo natë që Nardi të ishte përsëri i imi. Prita, u tregova e duruar dhe vazhdoj të jem e tillë. Tani, para disa ditësh mora vesh që Nardi dhe Ela ishin ndarë. Ky lajm më lumturoi pa masë, edhe pse akoma s’e besoj dot. Zoti i dëgjoi lutjet e mia. Para dy ditësh, u shkëmbeva në rrugë me Elën dhe më pa gjithë inat. Shpejtova hapat dhe me nxitim u largova, por pasi shkova në shtëpi, sapo u bëra gati të fusja telefonin në karikim, më erdhën disa mesazhe. Ishte ajo…. Ishte Ela që më kërcënonte pa pushim duke më thënë se unë nuk do t’ia merrja kurrë Nardin sepse ndryshe do ta pësoja shumë keq. Kishte ngatërruar pozicionet, pasi ishte ajo që ma mori Nardin, por pavarësisht fyerjeve të saj, e përmbajta veten dhe nuk i ktheva përgjigje fare. Megjithatë, ajo vazhdoi të më kërcënonte me mesazhe të tjera, ndaj u detyrova që të ndërroja numër. Më vinte keq ta ndërroja sepse atë numër e kishte edhe Nardi dhe unë gjatë gjithë kohës kam pritur një mesazh nga ai. Megjithatë, e ndërrova dhe e para që telefonova ishte kushërira e Elës të cilën e falënderova që më kishte ndihmuar. Ajo u bë mikja imë më e mirë dhe nuk ia shpërblej dot ato që bëri për mua. Falënderoj shumë Zotin për mrekullinë që bëri, sepse Nardi më dërgoi mesazh pikërisht në atë moment kur unë nuk e prisja, kur isha lodhur me atë situatë dhe i kisha humbur shpresat se mund ta kisha përsëri timin. Madje, pas mesazhit që më dërgoi, zemra më rrahu fort, por seç e përshkoi një ftohtësi. Ndoshta do ta kem të vështirë t’ia fal atë që më bëri, më braktisi, më lëndoi shumë. Justifikimi i vetëm është magjia, edhe pse ende nuk e di se çfarë do të ndodhë me ne. A do të rikthehemi si në fillim apo do mbetemi vetëm shokë? Sido që të ketë ndodhur, zemra ime e ka shumë të vështirë ta harrojë Nardin, edhe pse mendja mund të të thotë diçka tjetër. Nardi është dashuria ime e parë dhe, edhe tani kur e takoj, zemra më rreh shumë fort. Ndjenjat e mia ndaj tij janë aty… në zemrën time. Ndoshta ai nuk është i duhuri për mua, ndoshta nuk më meriton, por jam e bindur se është njeriu me të cilin dua të kaloj jetën. Këtë periudhë po më duket sikur po përjetoj një deja vu sepse takimet tona të tanishme ngjajnë me ato të fillimit. Atij nuk i pëlqen të flasim për atë që ndodhi dhe, edhe pse nuk ma thotë troç, mundohet me ato mënyrat e tij që të më kërkojë të falur. Edhe pse ai vazhdon me mua, më duket sikur hija e Elës më përndjek vazhdimisht dhe kam një ndjenjë frike sikur ajo do të ma marrë përsëri Nardin. Do të doja të mos e kisha patur shoqe, të mos e kisha njohur fare sepse ajo u bë shkaktare e të gjitha vuajtjeve të mia. Po mendojmë të fejohemi me Nardin dhe, me besimin që kam në Zot, besoj se këtë herë, Ela nuk do jetë më “pjesë e planeve tona”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *