E lexuat gazeten Intervista sot? Kishte shume intervista interesante apo jo? Por e dini se kishte edhe shume personazhe qe nuk i intervistuam dot? Ja, disa nga ata…

MISHEL PLATINI
Natyrisht, i pari person që deshëm të intervistonim këtë javë, ishte Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini. Tema e intervistës dihet: Vendimi skandaloz i UEFA-s, që ua dha fitoren në tavolinë serbëve, sepse fajtorë, sipas saj, ishim ne, shqiptarët. Ne deshëm të pyesnim zotin Platini: Cili është faji i Balës, që theu stolin me kokën e tij?! Po faji i Canës, cili është, që nuk ktheu anën e majtë të fytyrës kur roja i stadiumit i qëlloi të djathtën? Po faji i Agollit, që nuk u la të gjuante goditjen e lirë, cili ishte, që nuk kishte marrë me vete skafandrën në lojë, apo që nuk u gjakos?! Po faji i Xhakës, cili qe, që nuk iku me vrap, por ndenji dhe hëngri grushta nga tifozi serb?! Po Lenjani ç‘faj pati, apo që bërtiti më shumë se ç‘duhej gjatë ekzekutimit të hymnit, sepse serbët po fërshëllenin dhe ulërinin?! Për të gjitha këto iu dha ndeshja serbëve dhe u dënuam ne me 100 mijë euro?! Dhe në fund, deshëm ta pyesnim zotin Platini: Sikur ne t’ua bëjmë serbëve në Shqipëri ashtu siç na e bënë ata, t’i shajmë, t’i fërshëllejmë, të fusim tifozë në fushë, t’i rrahim, t’i gjuajmë me gurë, çakmakë e shishe, a do ta fitojmë ndeshjen në tavolinë 3 me 0?

ILIR BEQJA
E patë sa bukur ishte zbukuruar fasada e Kryeministrisë me drita të bukura e me fotografi të gjokseve të vajzave e grave? Pa dyshim që ishte kjo një mënyrë shumë e mirë për të sensibilizuar opinionin për luftën kundër kancerit të gjirit. Por… E ka një “por” gjithë kjo fushatë… A nuk do të ishte më mirë që ato para të harxhuara për drita e fotografi, të shkonin për blerjen e ilaçeve për kimioterapinë, që sot mungojnë në spitalet tona? Se, merreni me mend si ndjehet një grua me kancer kur shikon atë fasadë duke u kthyer nga QSUT-ja, ku i kanë thënë se nuk ka ilaçe për kimioterapinë… A nuk do të ishte më mirë që ato para të harxhuara për fasada, drita e konferenca, të shpenzoheshin për të bërë mamografi falas, apo me çmim më të ulët? Se, merreni me mend, zoti Ilir, se si ndjehet ajo grua që kalon me autobus para kryeministrisë dhe kujton se muajin e kaluar ishte për vizitë te doktori, ai i kishte thënë për të bërë mamografinë, por ajo nuk kishte lekë të paguante… A nuk do të ishte më mirë që në vend të fotografive e dritave të bëhej një fushatë depistimi i detyrueshëm (me mamografi ose ekografi, në mungesë të saj) për të gjitha gratë e Shqipërisë? A nuk do të ishte më mirë të bliheshin më shumë aparate mamografie që të kishte në çdo qytet të Shqipërisë? Natyrisht, do të ishte më mirë të bëheshin të gjitha këto që donim ta pyesnim ministrin, do ishte më mirë të kishte më pak drita, reklama, konferenca, fasada e bujë dhe më shumë punë…

ERION VELIAJ
Këtë javë u përpoqëm të intervistonim Erion Veliajn, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, por nuk mundëm. Me atë deshëm të bënim një intervistë në lidhje me pensionistët, meqë siç u tha këtë javë, ministria që ai drejton, po përgatit edhe reformën e pensioneve. Jemi dakord me rritjen e moshës që ai propozon, sepse jetëgjatësia është rritur më shumë, por nuk mund të rrijmë pa e pyetur zotin ministër: Me këto pensione do të vazhdojnë pensionistët edhe kur ta lënë punën 67 vjeç?! A jetohet me 15 mijë lekët të reja në muaj, sa ç’është pensioni mesatar?! Apo ai vazhdon ende të besojë përrallën që i ka treguar mamaja (apo që na ka treguar vetë), se pensioni i saj del edhe për të ngrënë, edhe për të blerë ilaçet, paguar energjinë elektrike, madje edhe për të paguar dasmën e tij?! A e di ai se për mijëra pensionistë, pensioni nuk del as për bukë thatë?!… Por, zotit Erion do të donim t’i bënim një pyetje edhe për pensionet sociale që është parashikuar t’u jepen të moshuarve mbi 70 vjeç, të cilët nuk kanë asnjë të ardhur për të jetuar, ndonëse nuk kanë derdhur kontribute. Po deri në moshën 70 vjeç, ç‘do të bëjnë këta fatkeqë, zoti Erion (Natyrisht, nëse arrijnë këtë moshë)?! Do të rrojnë vallë pa ngrënë e pa pirë?!

DAMIR FAZLLIÇ
As Damir Fazlliçin, biznesmenin boshnjak e mikun e ish-kryeministrit Berisha nuk e takuam dot këtë javë. Deshëm ta pyesnim zotin Fazlliç në lidhje me faktin e dalë këtë javë në shtyp se dy investitorë amerikanë i kishin dhënë atij 1 milion dollarë për PD-në e Sali Berishën para se të nisnin një biznes me Albtelekomin shqiptar… Ai e kundërshton këtë fakt, duke thënë se paratë ishin dhënë për biznes, por nuk na sqaron se pse ata i kishin çuar paratë në llogaritë private të Fazlliçit e jo në ato të kompanisë? Por e zëmë se është edhe kështu, pse nuk ua ktheu paratë mbrapsht kur biznesi nuk pati sukses e u mbyll? Deshëm ta pyesnim zotin Fazlliç edhe për diçka: Si shpjegohet që atij i ka dalë emri në Shqipëri vetëm për gjëra të këqia e transaksione të dyshimta e asnjëherë për suksesin në biznes, për punësimet që ka bërë, apo eksportet që ka realizuar me kompanitë që ka hapur?

LINDITA NIKOLLA
Lindita Nikollën, ministren e Arsimit dhe Sportit, këtë javë deshëm ta takonim e ta pyesnim për çantën e saj, atë çantën e zezë prej lëkure që ministrja Nikolla mban në dorë në këtë fotografi, së bashku me ministrin Çuçi. Ajo çantë nuk është dosido, por një çantë e markës së njohur Dior. Ky model që ministrja mban në dorë, i njohur me emrin Diorissimo, i përket pikërisht koleksionit vjeshtë-dimër të këtij viti dhe kushton jo pak, por 5100 dollarë, pra, afërsisht sa rroga e saj e katër muajve. Pse nuk dha asnjë shpjegim ajo për çantën gjatë gjithë kësaj jave kur u bë objekt i masmediave?! Nuk çan kokë për çfarë shkruajnë gazetat, apo ecën sipas mendimit që në Shqipëri, çudia më e madhe zgjat tre ditë? A mund të na thotë ajo se me ç‘para e ka blerë këtë çantë që kushton sa rroga vjetore e një mësuesi? Mos vallë ia ka paguar ndonjë universitet privat nga ata që shpëtuan pa u lagur, apo ish-truproja e saj, që u akuzua nga një qytetar se i kërkoi 3 mijë euro për të emëruar një mësuese?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *