Eltina (6)Sa herë intervistoj Eltinën, marr një njdesi shumë pozitive prej saj. Një vajzë e talentuar, e thjeshtë dhe me një botë tepër të pasur shpirtërore, e cila këngën e fundit ia ka kushtuar mbesës së saj. Një këngëtare si Eltina, jam shumë e sigurtë që është një plus i madh për muzikën e mirëfilltë shqiptare. Shijoni bisedën me të… Njihni botën e Eltinës…

Mia.B: – Pse janë blu kristalet në këngën tënde, Eltina?
Eltina Minarolli: – Kristalet blu simbolizojnë sytë ngjyrë blu. Janë sytë ata që ndonjëherë flasin më shumë sesa fjalët. Nëpërmjet syve mund të arrish të dallosh gjendje të ndryshme shpirtërore dhe unë këtë ndjesi e përjetova kur u bëra teze për herë të parë. (Buzëqesh) Kjo këngë është një dedikim personal kushtuar mbesës sime Olivia Grace e cila është amerikane. Shikimi i parë i syve të saj blu që më dhuroi, më dhanë një emocion të papërjetuar ndonjëherë. Si dy kristale blu, më çuan në kaltërsinë e qiellit, në thellësinë e oqeanit. Më inspiruan, më dhanë ndjenjë shpirtërore, sinqeriteti, paqe dhe dashuri. Pata fatin e mirë të ndodhesha në SHBA që në momentin e parë që ajo erdhi në jetë dhe gjithë këtë ndjesi e kam hedhur në nota muzikore nga ku doli dhe kënga “Kristalet blu”! (Buzëqesh)
– Çfarë je në gjendje të bësh me një kitarë në duar?
– Mund të bëj shumë veshë të dëgjojnë tingujt qëdalin nga loja ime në kitarë. Mund të bëj shumë sy të më shohin teksa performoj me të në dorë, por nuk përjashtoj mundësinë që të bëj dhe disa zemra të rrahin fort teksa luaj në kitarë dhe këndoj. (Qesh) Kitara është nga ata instrumente që mund të tregojnë shumë nëpërmjet tingujve që lëshojnë telat. E dashuroj, edhe pse kohët e fundit nuk i kam kushtuar vëmendjen e duhur, për shkak të impenjimeve. Pa diskutim, ajo është pjesë e frymëzimeve të mia muzikore, në çdo moment.
– Me çfarë do të doje ta sfidoje veten artistikisht e profesionalisht?
– Une e sfidoj veten çdo ditë artistikisht, duke tentuar të provoj zhanre të reja muzikore. Bëj pikturë, bëj fotografi e provoj sporte të ndryshme, kështu që jam pothuajse çdo ditë në sfidë me veten.
– Je mërzitur ndonjëherë duke kënduar?
– Këngën e muzikën, e dashuroj. Jam rritur me të qëkur isha e vogël dhe, sa e kam përkëdhelur, aq edhe më ka përkëdhelur. Bashkë kemi kaluar të gjitha gëzimet, hidhërimet dhe emocionet, qofshin ato pozitive apo negative. Kënga është inspirimi im dhe prehjen e gjej vetëm aty, kështu që do ta cilësoja si thesarin më të shtrenjtë që kam sepse më bën vërtet të lumtur. Akoma nuk e kam menduar në gjithë këto vite karriere se si do isha unë pa këngën, pa muzikën! E kam në shpirt.
– Si nis ideja e një kënge e më pas, e një klipi për ty?
– Zakonisht, më ndodh të frymëzohem në një ditë të zakonshme nga shkaqe e arsye të ndryshme dhe ashtu, e inspiruar, menjëherë më lindin tingujt e parë të melodisë. Pasi krijohet kënga, filloj ta mendoj se si mund ta përcjell më mirë këtë emocion dhe mesazh. Videoklipi është mënyra më e mirë për ta dhënë të plotë mesazhin që kam dashur të përçoj nëpërmjet këngës dhe kështu, në harmoni të plotë, bashkohen të gjithë komponentët.
– Ka ndonjë person me të cilin nuk ke patur mundësinë të punosh, por do të doje të punoje?
– Kam pasur rastin dhe fatin të punoj me më të mirët përsa i përket Shqipërisë dhe nuk kam ndonjë peng, por më pëlqen kur bashkëpunoj. Më pëlqen të ndaj idete e mia me bashkëpunëtorë të talentuar sepse normalisht, edhe puna, në fund, shpërblehet pozitivisht!
– Një këngë që nuk është për shijen tënde…
– Oh, më mirë të mos ia nis të numeroj sepse lista do të bëhet shumë e gjatë. Nuk e kuptoj pse shumica po mundohen të përsërisin njëri-tjetrin dhe nuk po sjellin asgjë të re. Talente ka plot dhe përditë po na suprizojnë të rinj. Kemi nevojë për kreativitet dhe muzikë të mirë. Mungon!
– Si e konsideron veten Eltina në muzikë?
– Ah, këto momentet kur duhet të flas për veten, janë pak të sikletshme! E kam nisur me shumë dashuri, pasion dhe me profesionalizëm këtë rrugëtim pasi kam studiuar rreth tetë vite shkollë muzike. Mbaj mend, më duhej të rrija deri në orë të vona në shkollë duke studiuar vetëm për të arritur më të mirën. Harroja familjen, shoqërinë dhe argëtimin, vetëm për t’iu kushtuar dashurisë sime, muzikës. Çdo sakrificë më është shpërblyer dhe ndihem krenare për veten sepse kam arritur gjithçka vetë, pa u bërë pjesë e kompromiseve të ndryshme që ndodhin në rrethin artistik. Kjo më bën të ndihem më e sigurtë për çdo hap të hedhur. Mbështetja e familjes dhe e miqve të afert ka qenë shumë e rëndësishme. Tashmë e konsideroj veten me krenari, një profesioniste të formuar që po ndërton karrierën e saj artistike. E mira s’ka fund dhe unë jam gjithmonë në kërkim të saj, prandaj nuk kënaqem me kaq. Për mua, është akoma pak. Jam gjithmonë duke punuar pa lodhje, për të qenë në një të ardhme një artiste që do lërë gjurmët e saj në muzikën shqiptare! Pse jo, edhe përtej Shqipërisë.
– “Këngëtarja shqiptare e përmasave botërore”, thuhet në titullin e njërës prej intervistave të tua. Të miklon apo të vë në siklet?
– (Qesh) Sinqerisht, kam qeshur edhe vetë kur e kam lexuar këtë titull! Sigurisht, çdo fjalë e bukur të bën të ndihesh mirë, por shprehja “e përmasave botërore” ka goxha përgjegjësi dhe unë nuk dua t’i marr përsipër! Ndoshta këta tituj kanë ardhur për shkak të punës sime të vazhdueshme, por nuk dua ta ekzagjerojmë. Unë jam akoma në kërkim dhe në punë për të arritur e merituar plotësisht titullin e “përmasave botërore”! (Buzëqesh)
– Një talent tjetër me të cilin je bekuar, veç këngës…
– Çdo ditë zbuloj një talent të ri! Pikturën e kam pasur qejf që e vogël madje në fillim, para se t’i drejtohesha profilit të muzikës, kisha menduar të vazhdoja si piktore, por pastaj gjatë rrugës ndryshova. Më pas, provova baletin dhe formova grupin tim prej katër vajzash në gjimnaz, por nuk zgjati shumë sepse fillova të dashurohesha me aktrimin! Fotografia është një profesion që e kam bërë për qejf dhe ka rezultuar shumë i mirë. Tani, do provoj ndoshta të rregulloj ndonjë makinë. Me siguri, do t’ia dal mbanë edhe këtu. (Qesh)
– Je okej me të qenit person publik?
– Jam shumë OK, edhe pse ka goxha përgjegjësi.
– Ka diçka që nuk të pëlqen në këtë pikë?
– Hëm, nuk ke privatësinë e nevojshme. Shpeshherë bëhesh objekt bisedash dhe pjesë historish të trilluara. Edhe pse mundohesh të jesh indiferente ndaj këtyre trillimeve, ndikojnë në humorin e ditës.
– Do të doje që edhe partneri të ishte këngëtar?
– Nuk e kam menduar fare. Nuk është se do t’i thoja “Jo”, por më mirë një këngëtar i vetëm në familje sesa dy. Do kisha preferuar të ishte i një profesioni ndryshe nga i imi, por këto janë plane të Zotit dhe unë nuk mund të parashikoj asgjë! Për sa kohë të mbizotërojë dashuria dhe sinqeriteti, profesioni i partnerit nuk është i rëndësishëm.
– I bën kjo gjërat më të lehta?
– Edhe po, edhe jo. Ka të mirat dhe të këqiat e veta sepse gjithmonë midis dy këngëtarëve do ketë debat. Nuk para ndodh që të dy të ndajnë të njëjtat mendime, por nga ana tjetër është mirë sepse një këngëtar mundet ta kuptojë punën tënde më mirë se kushdo tjetër.
Më afër teje…
– Çfarë të bën nervoze?
– Trafiku! Lajmet e kronikave të zeza që janë 24 orë në çdo kanal televiziv, injoranca e theksuar, thashethemexhinjtë që nuk shohin punët e hallet e tyre, por kanë kohë të merren me të tjerët, mosmirënjohësit etj.
– Çfarë të bën ta urresh dikë?
– Nuk ekziston fjala urrejtje tek unë. Nuk urrej askënd dhe nuk besoj se do urrej dikë. Më karakterizon ndjenja e dashurisë që e jap pa kushte, pa dashur të më kthehet domosdoshmërisht mbrapa. Më karakterizon buzëqeshja që gjithashtu e dhuroj për të marrë po aq buzëqeshje, edhe nga njerëz të mërzitur. Nuk arrij deri tek ekstremi i fjalës; urrejtje. Do ishte shumë e rëndë. Mund të arrij derisa të mërzitem, por e kaloj shpejt. Mendoj se jeta ka gjëra shumë më të bukura dhe më të rëndësishme për të cilat jetojmë, kështu që… larg urrejtjes! (Buzëqesh)
– Kënga më me vlerë shpirtërore që ke realizuar deri më tani?
– “Kristalet blu”, jo vetëm se është kompozim i imi, por sepse është një dedikim personal dhe këtu bëhet fjalë për ndjenjë të pastër shpirtërore, për dashurinë më të madhe, mbesën!
– Një gjë për të cilën ke qenë konfuze gjatë karrierës tënde muzikore…
– Kam qenë konfuze kur më është ofruar të nënshkruaj një kontratë midis Sony apo Universal Music dhe nuk dija cilën të zgjidhja. (Qesh) Bëj shaka. Më ka ndodhur të konfuzohem disa herë në vendimet që duhet të merrja, por i kam menduar mirë dhe gjithçka ka shkuar siç duhet.
– Me çfarë e ka edukuar shpirtin Eltina?
– Me muzikë të vërtetë; classical, jazz-blues, rock, baladë. Kam qenë e inspiruar nga artistë që vërtet kanë lënë gjurmë në muzikën botërore si: Uitni Juston, Majkëll Xhekson, Queens, Bob Marlej, The Doors, Eva Kasidi, Ella Fitxherald, Elvis Presli, Nina Simone, Rej Çarls dhe shumë të tjerë. Nuk po i përmend të gjithë…
– Nëpër cilën rrugë ka kaluar formimi yt?
– Ka nisur nga themeli dhe nga rruga ku secili mund të quhet profesionist. Nga muzika klasike, pastaj ka kaluar në jazz, blues e tani në pop, r&b, pop-rock dhe balada.
– “Kurrë” dhe “gjithmonë”, për çfarë vlejnë në botëkuptimin tënd?
– “Kurrë” vlen për të mos thënë asnjëherë “Kurrë“ sepse gjithçka mund të ndodhë dhe “gjithmonë“ vlen për të provuar gjithçka ku ti beson se ia del. “Kurrë” mos thuaj “nuk ia dola” sepse “gjithçka” është e mundur.
– Çfarë është kalimtare dhe çfarë e qëndrueshme në art?
– Kalimtarë janë ata që nuk bëjnë art të vërtetë dhe shumë shpejt sfumohen si flluska e sapunit, ndërsa e qëndrushme, është e kundërta.
– Një libër apo një pikturë nga e cila impresionohesh gjithnjë…
– Më pëlqen dhe impresionon arti vizual në përgjithësi. Do kisha veçuar pikturën e të famshmit Piter Pol Rubens “Venus dhe Andonis”, “Monaliza” Van Gog ose “Guernica” abstrakte e të famshmit Pikaso.
– Emocionon më shumë një zë që i flet veshit apo një pamje që i flet syrit?
– Të dyja! Një zë që i flet veshit emocionon kaq shumë saqë arrin të krijojë në imazhin e vet, një pamje që i flet syrit.
– Muzika është vetëm për veshin apo edhe për sytë?
– Për të dyja! Muzika është për veshin, por e shoqëruar nga sytë. Veshët e krijojnë dhe e shijojnë, ndërsa sytë i japin formë.
– Për cilat prej arsyeve mendon se natyra na do të jemi vetë i dytë në botë?
– Për të dhuruar dashuri midis njëri-tjetrit dhe për të lënë trashëgimtarë breza të ardhshëm.
– Ti, je vetë i dytë?
– Në familje, jam më shumë se vetë i dytë! Jemi familje e madhe. (Qesh)
– Çfarë është dashuria në sytë dhe në mendjen tënde?
– Dashuria është një forcë e natyrës e cila nuk mund të blihet as nuk mund të shitet. Nëse e ke, mundohu ta ruash fort dhe të kujdesesh për të.
– Në duart e kujt do ta lije me kënaqësi zërin tënd?
– Veten e kam lënë në duart e vetvetes pasi kam rreth dy vjet që këngët i kompozoj vetë. (Buzëqesh) Do ta lija veten në duart e producentit Jay Z pa u menduar dy herë. Bëj shaka. Kam punuar me shumë kompozitorë të njohur, por të jem e sinqertë, akoma nuk kam gjetur personin e duhur të cilit do t’ia besoja plotësisht zërin tim. Ndërkohë, tekstshkruesin kam vite që e kam gjetur dhe i besoj verbërisht. Është Zhenevjeva Minarolli, motra ime, e cila është dhe autore e disa prej teksteve të këngëve të mia si “Te ti dua te jem”, “Statujë e trishtë”, “Kristalet blu” dhe disa të të tjera, të cilat po i punoj.
– Në ç’pikë do të doje të përsoseshe akoma?
– Jam çdo ditë në kërkim të përsosmërisë, të perfeksionit te vetja. Nuk kënaqem asnjëherë dhe gjithmonë kërkoj. Përpiqem çdo ditë për diçka më mirë.
– Je më e prirur të kapësh cilësitë e mira apo të këqija të të tjerëve?
– Jam person pozitiv.
– Këshilla më e mirë që të kanë dhënë…
– Ji vetvetja! Buzëqesh gjithmonë!
– Si argëtohet Eltina sot?
– Duke udhëtuar nëpër vende të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit tim.
– Një kujtim i ëmbël fëmijërie…
– Sa shumë ka! Kam qenë pak çapkëne e vogël dhe bëja shumë rrëmujë, por një kujtim të ëmbël që do ta kisha risjellë në vëmendje është kur mblidheshim të gjithë familjarisht dhe ishim aq të lumtur pranë njëri-tjetrit, çdo ditë. Tani jeta ka ndryshuar dhe më merr malli për fëmijërinë e familjen, që të mblidhemi edhe njëherë si atëherë! Ndodh të takohemi më rrallë për hir të largësisë sepse gjysma e familjes jeton në SHBA dhe na duhet të shihemi më pak sesa kur ishim të vegjël. Janë shumë të çmuar dhe të shtrenjtë për mua!
– Faleminderit Eltina!
– Shumë faleminderit juve. Si gjithmonë, ishte kënaqësi bashkëbisedimi e ndarja e këtyre momenteve me ju! (Buzëqesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *