Kaso Kosa: – Përshëndetje, zoti Kryeministër! Vij nga Shqipëria dhe dëshiroj të bëjmë një intervistë me ju në kuadër të këtyre ndodhive të fundit…
Aleksandër Vuçiç: – Aq shumë telashe më kanë dalë këto ditë, sa nuk arrij të orientohem, po shyqyr që kam mbështetje të madhe nga ndërkombëtarët e që më ndihmojnë të sistemoj tërë hallet e shumta. Megjithëse jam i mbytur më punë, do ta bëjmë një intervistë bashkë, zoti Kaso, sepse ke ardhur nga Shqipëria, që unë e kam shumë për zemër.
– Po më befasoni, zoti Vuçiç kur thoni se e keni për zëmër Shqipërinë!
– Mos u befasoni zoti Kaso, sepse dashurinë për Shqipërinë e shqiptarët ma ka ushqyer nëna ime që në fëmijëri. Ajo ka punuar në media për vite të tëra me një shqipëtar që e ka patur shumë mik dhe që e kishte bërë për vete. Pastaj, mos harroni se unë jam politikan modern e tolerant. Konkretisht, unë, megjithëse u mërzita që në takimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin Rama u privilegjua nga zonja Merkel dhe u vendos që të ishte, si të thuash, si biçim prijësi i ballkanasve, kur kjo e drejtë më takonte mua, si përfaqësues i shtetit më të madh dhe më të vjetër të Ballkanit, nuk e dhashë veten fare.
– Ju mendoni se referimi i Ramës si primar në takimin e Berlinit mund të ishte padrejtësi?
– Jo mund, por ishte sepse Rama na hëngri në besë duke e bërë për vete zonjën Merkel me shtatin e tij të lartë dhe me dinakërinë që e karakterizon. Në fakt, nuk më ngeli vetëm mua hatri që ai ishte përfaqësuesi ynë në konferencën e fundit për shtyp, por edhe kryeministrave të tjerë të Ballkanit, por ata nuk e dhanë veten dhe bënë sikur gjithçka ishte normale. Por ja ku po ta them në konfidencë se të tërëve u ka ngelur hatri me zonjën Merkel. Nuk mund të ishte Shqipëria primare në atë takim aq të rëndësishëm!
– Ju akuzoni zotin Rama se ushqen prapamendime dhe bën prapaskena ndaj jush?
– Absolutisht, po! Mjafton që t’i referohemi ndeshjes mes të dy kombëtareve tona, ku spikatën ndjenjat më të egra antiserbe nga ana juaj. Në gjithçka që u bë e ndodhi aty, është dora dhe shtysa e zotit Rama që ka përdorur tërë influencën dhe mjetet e mundshme për të degjeneruar tërë takimin që ne serbët të dënoheshim nga UEFA dhe të mos dilnim kampion të Evropës, por edhe që të na largonte nga rruga drejt BE-së, të cilën ne e aspirojmë dhe jemi më pranë se kurrë.
– Si mund ta thoni këtë, kur një stadium i tërë vetëm me tifozë serbë brohorisnin kundër shqiptarëve që nga momenti i këndimit të himnit tonë kombëtar dhe deri në hedhjen e shashkave, gurëve dhe shisheve në fushë?
– Ju lutem, mos e bëni kaq të madhe se në fund të fundit, një ndeshje futbolli ishte dhe në të tilla raste, ndodhin edhe keqkuptime mes tifozerisë, si në të gjitha stadiumet e botës… Fundja, çfarë ndodhi se këndonin tifozët kundër shqiptarëve? Nga kënga, kurrë nuk mund të të vijë asnjë e keqe, sado poshtëruese të jetë ajo.
– Më falni, por nuk mund të quhet keqkuptim një kor prej 30 mijë tifozësh që thërrisnin “Vritini shqiptarët”, që vërshuan të gjithë në fushë dhe rrahën lojtarët shqiptarë!
– Tifozët u futën në fushë kur ju na provokuat me dronin që ngrinte flamurin tuaj si sfidë ndaj ne mikpritësve, me stampimin e hartës së Shqipërisë së Madhe! Tifozët u prekën në sedër nga kjo sfidë në shtëpinë tonë, ndaj edhe zbritën në fushë shumë paqësisht, me qëllimin e mirë që të sqaronin lojtarët tuaj e t’u hiqnin vërejtje për atë flamur. Por djemtë tuaj u revoltuan dhe e rrëmbyen flamurin sikur ne do t’ua hanim. Asgjë të keqe nuk kishte që atë flamur ta merrnim ne dhe ta mbanim si relike të një ndeshjeje miqsh. Po të mos e rrëmbenin flamurin djemtë tuaj, asgjë nuk do të kishte ndodhur.
– Ndaj organizatorët dhe rojet e fushës lejuan tifozët ultra të futeshin në fushë, madje edhe kriminelë si Bogdanovi?
– Shërbimi inteligjent serb më informoi se Bogdanovi është paguar nga Edi Rama dhe vëllai i tij, që të futej në fushë e të krijonte alibinë tuaj kundër nesh. Jo vetëm kaq, por edhe dronin në fushë e futi vëllai i Kryeministrit tuaj, po me urdhër të Edi Ramës. Madje ka dyshime se edhe korin me 30 mijë trifozë, ai e ka nxitur, përmes njerëzve të infiltruar që gjithçka të përdorej më pas kundër nesh. Janë një sërë faktorësh që e vërtetojnë këtë ndërhyrje mafioze në punët tona të brendshme vetëm e vetëm që përpara botës perëndimore të dalë në plan të parë Shqipëria dhe Edi Rama, siç edhe doli në takimin e Berlinit përmes kulisave të bëra me Anxhela Merkel e duke na lënë ne të tjerët në hije.
– A mos është ky shkaku që ju anulluat takimin e lënë më 22 tetor, me zotin Rama?
– Po të flasim drejt, unë nuk dua ta takoj fare kryeministrin tuaj sepse: Së pari, politikanët tuaj opozitarë në Shqipëri si Lulzim Basha dhe Sali Berisha, që janë miqtë tanë më të mirë, nuk e duan një gjë të tillë dhe këtë e kanë shprehur hapur në mediet tuaja. Së dyti, Rama, nëpërmjet asaj vizite, do takojë shqiptarët e luginës së Preshevës dhe do i nxisë ata për kryengritje e shkëputje nga Serbia. Së treti, kush e duron atë retorikën e tij arrogante që mundohet të të imponohet duke të fyer inteligjencën? Së katërti, ai këtë vizitë mund ta shfrytëzojë si një tjetër fitore përpara ndërkombëtarëve, duke na fyer ne të tjerëve që aspirojmë të futemi në BE.
– Si e përjetuat aksidentin që ju ndodhi para disa ditësh kur udhëtonit me makinë?
– Kam informacion se Rama ka organizuar edhe aksidentin tim, përmes njerëzve të paguar, me qëllimin që të më eleminonte si kundërshtarin kryesor në rrugën e tij drejt karrierës politike me Evropën. Po ashtu, u informova se Rama pagoi që televizioni shtetëror rus të jepte hartën e Serbisë pa Kosovën, djepin e Serbisë etnike, me qëllimin që të prishte miqësinë serbo-ruse. Putini u sëmur kur pa hartën e Serbisë dhe jo vetëm i shkarkoi punonjësit e atij televizioni, por edhe dha urdhër për burgosjen e drejtorit.

Blerta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *