Sikur të kisha një profesion më interesant, më shumë kohë për veten, të kisha rrotull njerëz më të mirë… Kur mendojmë për veten, ne kemi tendencën të besojmë se do t’ia kalonim shumë më mirë nëse do të mund të ndryshonim disa parametra, sikur të gjitha arsyet e pakënaqësisë të kishin të njëjtën origjinë. Po ju, në çfarë fushe të jetës do të vinit së pari shkopin magjik për ta ndryshuar? Bëni testin tonë, për ta kuptuar!

 

1. Ju prishet makina të premten në darkë, ndërkohë që kishit parashikuar ta kalonit fundjavën me disa miq. Cili është reagimi juaj i parë?

a. Duhet t’i kisha bërë një kontroll…

b. Sigurisht, mua duhet të më ndodhte!

c. E martë djalli këtë veturë!

d. Mbase nuk është kaq problem, ta shohim…

 

2. Çfarë mendoni më shpesh, kur ndodheni përpara pasqyrës?

a. Duhet të bëj kujdes.

b. E pamundur të gjej veshje që të më shkojnë!

c. Është e vështirë të kujdesesh gjithmonë për trupin.

d. Ka edhe më keq…

 

3. Cila situatë profesionale do të ishte më problematike për ju?

a. Të mos jeni në lartësinë e duhur.

b. Të keni orare shumë të gjata, që do të pengonin jetën tuaj private.

c. Të punoni me njerëz që mendojnë vetëm për punën.

d. Të ndërroni punë çdo dy vjet.

 

4. Jeni në një agjenci udhëtimi për të rezervuar një biletë trageti Durrës-Bari dhe punonjësi i agjencisë ju tregon se sa të ulëta janë çmimet e pushimeve në Turqi e Egjipt.

a. Ju, e dëgjoni. Të paktën, ju bën të ëndërroni…

b. E padurueshme kjo lloj reklame; gjithmonë duke i nxitur njerëzit të harxhojnë më shumë para…

c. Për çfarë po flet ky? E ka kuptuar mirë se ju doni një biletë trageti?

d. I buzëqeshni duke i thënë se ka një talent të vërtetë prej shitësi.

 

5. Për shkak të një kamioni që ju bllokonte rrugën, keni arritur gjysëm ore me vonesë në takimin tuaj.

a. Ndjeheni shumë në siklet. Gjysëm ore vonesë, kjo nuk falet…

b. Pikërisht juve duhet t’ju ndodhte! Sinqerisht, jeni pa fat.

c. Jeni gjithë nerva. Çfarë organizimi! Të paktën të paralajmëronin…

d. E mërzitshme, por jo kaq e rëndë. Ju kërkoni falje.

 

6. Konstatohet gjithnjë e më shumë dhunë nëpër shkollat nëntëvjeçare. Sipas jush, cila është arsyeja kryesore?

a. Ky është problem edukimi. Ka shumë prindër që rrinë duarkryq.

b. Ka mungesë mjetesh. Mësuesit dhe personeli i shkollave nuk i bëjnë dot ballë këtij problemi.

c. Është një problem i shoqërisë; agresiviteti është shtuar ngado.

d. A janë vërtet nxënësit më të dhunshëm sot? Mbase disa, por nuk duhet përgjithësuar.

 

7. Kur ktheheni nga pushimet, i thoni vetes shpesh:

a. Si zakonisht, nuk bëra as çerekun e gjysmës që doja të bëja.

b. Sinqerisht, pushimet nuk të çlodhin!

c. Që tani mbaruan pushimet? Oh, jo!

d. Më pëlqen të nisem me pushime, por më pëlqen edhe të kthehem.

 

8. Me kolegen tuaj marrëdhëniet janë të mira, por ajo është e paaftë t’ju shohë në sy kur ju flet. Ju mendoni:

a. Mbase e bëni ju të ndjehet në siklet?

b. Nuk është normale. Ajo duhet të ketë kaluar eksperienca traumatizuese.

c. Asaj i mungon sinqeriteti.

d. Është në temperamentin e saj, është e ndrojtur.

 

9. Në këtë moment, keni një ngarkesë të madhe në punë…

a. Pyesni veten nëse do të jeni e aftë ta përballoni këtë ritëm pune.

b. Si zakonisht, duhet të bëni vetë gjithçka, pasi asnjeri nuk ju ndihmon.

c. Nuk po kaloni kohë me të afërmit tuaj.

d. Nuk arrini të mendoni për asgjë tjetër…

 

10. Rrjedhje uji nga komshinjtë lart, që kanë lënë çezmën hapur. Dhoma juaj është përmbytur; duhet rinovuar nga e para!

a. Tani do të kujdeseni edhe më shumë për të mbyllur rubinetat.

b. Ishalla më paguan dëmet dhe të mos kem probleme të tjera…

c. Sa budallallëk! Mund të tregoheshin pak më të kujdesshëm.

d. Aq më mirë, do ta bëni gjithçka të re.

 

11. Nëse do të kishit qenë famija i madh i një familjeje me 10 fëmijë, çfarë do të kishte qenë më e vështirë për t’u duruar?

a. Pesha e përgjegjësive.

b. Pjesëmarrja në punët e shtëpisë.

c. Mungesa e lirisë.

d. Asgjë në veçanti; do të kishte qenë një eksperiencë e mrekullueshme…

 

12. Ja edhe një gjobë tjetër për makinën, e dyta gjatë kësaj jave…

a. Ia hidhni fajin vetes, duhet të kishit bërë kujdes.

b. Nëse do të ishit më pak i/e stresuar, kjo nuk do të ndodhte.

c. Është e padurueshme, ju janë qepur nga pas…

d. Mungesë shansi, po s’ka gjë.

 

Rezultatet

Nëse keni më shumë përgjigje a.

Ju keni nevojë për ndryshime të lehta personale

Sigurisht, jeta juaj nuk ju duket ideale dhe ju ndodh (si të gjithëve) të ankoheni për situatat e vështira që duhet të përballoni. Ju doni të përfitoni nga situata më të favorshme, por arsyet e pakënaqësisë suaj nuk varen nga faktorët e jashtëm, por kryesisht, ata të brendshëm. Ju keni tendencë ta fajësoni veten për shumë gjëra. “Unë nuk jam kështu, as ashtu!”. “E gjitha është faji im!”. Me një fjalë, ju jeni shumë kërkues/e ndaj vetes. Do të donit të ndryshonit personalitetin tuaj për ta bërë më të fortë, më të guximshëm, më të vendosur dhe për të hequr qafe disa gabime që ju pengojnë në jetën e përditshme. Mbase keni marrë një edukatë pak të rreptë; ju janë treguar me gisht gabimet dhe nuk është këmbëngulur shumë te cilësitë tuaja pozitive. Mos kërkoni kaq shumë nga vetja dhe mundohuni të zbusni pak sedrën tuaj, që ju pengon ta vlerësoni veten ashtu si duhet, duke pranuar forcat, por edhe dobësitë tuaja. Mundohuni pra të ndryshoni vetëm një gjë: Mënyrën se si e shihni veten!


Nëse keni më shumë përgjigje b.

Ju doni më shumë kënaqësi dhe më pak detyrime!

Si t’i shpëtoni ingranazhit të zakoneve, si të thyeni rutinën për të përfituar sa më shumë nga jeta? Ky është shqetësimi juaj kryesor dhe, nëse do të ishte e mundur, do të ndryshonit shumë gjëra në jetën e përditshme për t’u çliruar nga detyrimet e shumta dhe për të gjetur kohë edhe për vete. Ju dëshironi më shumë liri e kënaqësi dhe nganjëherë, ju lind dëshira për t’i dhënë shkelmin gjithçkaje që ju pengon ta jetoni jetën ashtu si doni. Por, a është realisht e mundur dhe doni vërtet të ndryshoni kaq shumë gjëra në ekzistencën tuaj? Nuk jemi kaq të sigurtë. Në realitet, ju stimulon mendimi se jeta juaj mund të ishte më eksituese nëse do të ndjeheshit më pak në presion. Por, a ekziston një jetë pa detyrime? Jo, ju e dini këtë nga eksperienca, por keni nevojë të ruani këtë pjesë ëndrre apo utopie herë pas here, për t’iu larguar paksa realitetit që s’ju kënaq…

 

Nëse keni më shumë përgjigje c.

Ju keni nevojë për më shumë ngrohtësi njerëzore!

Të jeni më i/e pasur? Më i pëlqyeshëm nga të tjerët? Të keni një profesion tjetër? Sigurisht, ju nuk do të thoshit “jo” nëse kjo do të ishte e mundur, por nuk është kjo që do të ndryshonit së pari në jetën tuaj. Ato që ju duken më të rëndësishme janë marrëdhëniet tuaja me të tjerët, te të cilët vini re nganjëherë disa mungesa. Ju do të donit të ndjeheshit më i/e mbështetur dhe më i/e kuptuar nga të tjerët. Nganjëherë mendoni se njerëzit që ju rrethojnë janë pak indiferentë, bile edhe të padrejtë kundrejt jush. Sipas jush, jeta juaj do të ishte shumë më e lehtë dhe e këndshme nëse do të kishit përshtypjen se të afërmit tuaj do të tregoheshin të gatshëm për t’ju mbështetur kur të kishit nevojë, gjë që shpesh, nuk ndodh. Mbase kjo fsheh një pakënaqësi të thellë në zgjedhjen e partnerit/es ose të lidhjeve familjare? Përpiquni të kuptoni çfarë ju është dukur, ose ju duket ende e dhimbshme në marrëdhëniet tuaja, për t’u çliruar nga njëfarë hidhërimi i brendshëm që ju bezdis, për të krijuar një klimë besimi dhe qetësie me të tjerët.

 

Nëse keni më shumë përgjigje d.

Ju nuk do të ndryshoni shumë gjëra nga jeta juaj!

Sigurisht, ju nuk jeni i/e kënaqur në masën 100% nga jeta juaj! Idetë dhe mendimet nuk ju mungojnë për të gjetur përmirësime të mundshme, por, në fund të fundit, nuk do të ndryshonit shumë gjëra. Ju i pranoni zgjedhjet që keni bërë në jetë dhe, megjithëse shumë gjëra nuk varen nga ju, keni përshtypjen se e keni nën kontroll jetën tuaj. Mund të pohoni se jeni i/e kënaqur me fatin tuaj? Në përgjithësi, do të thoshit se po. Bravo! Ju dini t’i pranoni ngjarjet ashtu si vijnë, duke u përpjekur t’i përballoni dhe të përfitoni sa më shumë prej tyre. Me një fjalë, keni një qëndrim pozitv që, jo vetëm ju lejon të shkoni përpara pa pengje e as mëri, por edhe të përfitoni nga njerëzit që ju rrethojnë. Mbase është fryt i një edukate pak të rreptë, ku nuk ju linin shumë mundësinë për t’u ankuar? Sido që të jetë, ju keni ditur të përfitoni prej kësaj dhe të shihni anën e mirë të gjërave. Keni të drejtë, mos ndryshoni asgjë nga vetja!

 

Blerta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *