ILIR BEQJA E ARBEN AHMETAJ
Të martën, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ai i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku bënë me dije vendimet më të fundit të Qeverisë Rama. Neve na erdhi keq qe nuk mundëm të shkojmë në këtë konferencë, se kishim shumë pyetje për t’u bërë dy zotërinjve ministra, sidomos për “sihariqet” që ata dhanë atë ditë. Ministri Beqaj deklaroi me gëzim rritjen e akcizës, domethënë, taksave, për duhanin, me qëllim, uljen e duhanpirjes, siç tha ai. Pasi rregulloi spitalet, ambulancat dhe gjithë shëndetësinë, tani, ministri ynë bëri edhe të fundit gjë që i kishte ngelur: Rriti çmimin e cigareve që njerëzit të pinë më pak duhan dhe të jenë më të shëndetshëm. Deshëm t’i pyesim zotërinjtë Beqja dhe Ahmetaj: Mos është mirë të propozojë në qeveri edhe një ligj për rritjen e taksave të bukës dhe për rrjedhojë, të çmimit të saj, që njerëzit të mos hanë shumë bukë, se u bën keq për shëndetin? Mos duhet edhe një ligj për taksa të reja mbi karburantin, që të mos përdorim shumë makinat, por të ecim me këmbë?! Mos duhet vendosur edhe ndonjë taksë për alkoolin, që të mos pimë shumë, se dehemi?! Edhe ndonjë taksë e re për daljet jashtë shtetit, që të mos bëjmë shumë turizëm, nuk do të ishte keq, se kursejmë paratë… Ah, më falni, të dashur lexues, se harruam: Kjo taksa e fundit është vendosur…

LULZIM BASHA
Deshëm të takonim këtë javë edhe kryetarin e PD-së zotin Lulëzim Basha, por nuk mundëm. Me të deshëm të bisedonim për Kuvendin Kombëtar të PD-së që përfundoi të martën. Deshëm ta uronim për suksesin e punimeve, për zgjedhjen e tij në krye të PD-së, por edhe për një enigmë që na ngeli në mendje nga ai kuvend. Në fjalën hyrëse, zoti Basha tha: “Kam nderin të përshëndes mbi 7500 delegatë nga e gjithë Shqipëria, si dhe miqtë e të ftuarit tanë”. Menduam se mos ishte një lapsus shifra 7500, por jo. Kjo shifër delegatësh ishte në të gjitha dokumentet e kuvendit. Si ka mundësi që ishin kaq delegatë, kur kapaciteti i sallës së Pallatit të Kongreseve është vetëm 2100 vende?! Ku ishin ulur këta delegatë? Nuk na zuri syri asnjë karrige ku të ishin ulur tre ose katër vetë, madje as dy… Ja, për këtë enigmë, deshëm ta pyesnim zotin Basha, por një pyetje në fund deshëm t’ia bënim edhe për numërimin e votave. Në kuvendin e fundit, ku ishin më pak delegatë, u deshëm katër ditë për të numëruar votat e fituesve për në Këshillin Kombëtar, ndërsa këtë herë, numërimi u bë për dy orë?! Mos vallë u zbatua përvoja që zoti Ristani kishte nga KQZ-ja?!

SALI BERISHA
Këtë javë, deshëm të takonim edhe zotin Sali Berisha. Deshëm ta pyesnim për një postim që bëri ai këtë javë në Facebook. Duke reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur mes deputetit Arben Ristani dhe kreut të qeverisë, Edi Rama, në prani të komisionerit Stefan Fyle, zoti Berisha deklaroi se Arben Ristani nuk ka qenë në burg dhe se burgosja e Ristanit është një trillim i Edvin Kristaq Ramës. Që Arben Ristani ka qenë në burg, madje në kohën e Berishës, këtë e dinë të gjithë ata që ndjekin sadopak lajmet politike. Ta ketë zënë Alzhejmeri, ish-kryeministrin tonë; vazhdon me tezën se drejtësia në kohën e tij ka qenë e pavarur dhe ai nuk dinte gjë se ç‘ndodhte, apo burgu në kohën e Berishës nuk quhej burg?!

EDI RAMA
Një pyetje deshëm t’i bënim këtë javë edhe kryeminsitrit tonë, Edi Rama. E dëgjuat besoj, të dashur lexues, se qeveria, në mbledhjen e saj të fundit, miratoi dhënien e ndihmës financiare prej 200 mijë eurosh për qeveritë e Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë, për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në maj 2014. U habitët nga ky lajm? Ne, po, se qeveria jonë që akoma nuk ka dhënë ndihmat për të përmbyturit e Shkodrës, apo për ata të lumit të Tiranës, shkon ndihmon të përmbyturit e Serbisë e Bosnjës! Dakord kjo bëhet për politikë, por politika jo gjithmonë mund të shprehet me euro, sidomos në një vend të varfër si Shqipëria… A nuk mundet që, në vend të eurove të buxhetit, të dërgoheshin, për shembull, ndihma humanitare të grumbulluara nga populli e biznesmenët? Kështu, edhe politika bëhej, edhe buxheti i shtetit nuk harxhohej për serbët e boshnjakët. Apo jo, zoti Rama?

SAIMIR TAHIRI
Të enjten, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi në Parlament se “i pandëshkuari më i madh, i akuzuar zyrtarisht për vjedhjen e mbi 220 milion dollarëve në rrugën Durrës-Kukës, i pandëshkuari më i madh për shitjen e detit dhe sovranitetit territorial të vendit, i pandëshkuari më i madh i vrasjes së 4 qytetarëve të pafajshëm në 21 janar, sot bën aleatin e krimit”. Për ju që nuk merreni shumë me politikë, po ju sqaroj se ky “i ndëshkuari i madh” është kryetari i PD-së Lulzim Basha. Ndërsa ky që flet është Ministri i Brendshëm që është vënë në atë detyrë për të ndëshkuar ata që bëjnë krime. Ç’pyetje mund t’i bëjmë ne tani Ministrit të Brendshëm?! Nga kush e pret ndëshkimin ai?!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *