Kur evokojmë fjalën “besim”, disa mendojnë menjëherë për fenë, të tjerë mendojnë se bëhet fjalë për një formë naiviteti, kurse për të tjerë, kjo ka lidhje me diçka intime, një rravgim shpirtëror, që pasurohet nga eksperienca personale… Po te ju, çfarë nocioni zgjon kjo fjalë? Bëni testin tonë, për ta kuptuar…

1. Ju kultivoni çdo ditë besimin tuaj…
a. Në realitet
b. Në Zot
c. Në vetë jetën
d. Në një dimension tjetër.

2. Në sytë tuaj, nocioni “hyjnor” është:
a. Sipërfaqësor
b. I shenjtë
c. Personal
d. Transpersonal

3. Çfarë mendoni për qeniet jashtëtokësore:
a. Nuk besoni, nëse nuk është provuar
b. Nuk ia keni bërë vetes këtë pyetje
c. Ju i thoni vetes: “Pse jo?”
d. Besoni tek ata.

4. Të besuarit, të ndihmon:
a. Të krijosh iluzione
b. Të respektosh
c. Të rigjenerohesh
d. Të largohesh nga realiteti

5. Vendi që ju vë më në kontakt me besimet tuaja:
a. Një bibliotekë!
b. Një kishë, xhami…
c. Hapësira juaj e brendshme
d. Një udhëtim yjor

6. Jeta pas vdekjes do të jetë:
a. Mbase asgjëja…
b. Parajsa apo ferri.
c. Një udhëtim i gjatë drejt së panjohurës.
d. Më e mirë se këtu.

7. Një fëmijë ju pyet se “ku mund ta gjejë Zotin, për të cilin flasin të rriturit”. Ju i përgjigjeni:
a. Nëpër libra
b. Në qiell
c. Në një buzëqeshje
d. Larg prej këtej…

8. Titulli (dhe vetëm titulli), i filmit që flet më mirë për besimet tuaja:
a. «Rastësi dhe koinçidenca»
b. «10 urdhërat»
c. «Aventura e brendshme»
d. «Takim në një botë tjetër»

9. Sipas jush, motorri kryesor i besimit është:
a. Injoranca
b. Besimi
c. Ajo që ndjen
d. Kërkimi i diçkaje tjetër

10. Cili nga këta libra do t’i shtohej koleksionit të bibliotekës suaj:
a. «Origjina e specieve», e Darvinit, ose «Relativiteti» i Ajnshtajnit.
b. Bibla, Kurani, ose Torah (libri i shenjë hebraik)
c. «Alkimisti» i Paulo Koelhos, ose «Dialog me engjëllin» i Gitta Mallasz.
d. «Jeta pas jetës» e R. Moody, ose «Dimensionet e reja të ndërgjegjes», e S. Grof.

Rezultatet
Nëse keni më shumë përgjigje a. Ju besoni vetëm në botën reale
Nocioni i besimit evokon te ju një univers flu, të përbërë nga koncepte të largëta, ide të dyshimta dhe bile, paksa të çmendura! Është një fushë që ju e konsideroni një armik të së vërtetës. Në shpirt, jeni racional. Për pasojë, universi i besimit nuk ka vend në jetën tuaj. Ju preferoni më shumë atë të shkencës, të realitetit. Gjërat, janë ose nuk janë, pikë! Ju vlerësoni më shumë rrugën e gjërave të dukshme sesa atë të besimit. Ç‘interes mund të kenë këto nocione që duken më shumë si paranormale sesa si reale? Ajo që ju motivon thellë në shpirt nuk është të besoni në diçka, por të zbuloni faktet. Ju pëlqen të konstatoni, verifikoni, eksperimentoni, të vërtetoni bindjet tuaja personale. Nuk ju pëlqen t’i lini në gjendjen e besimit pasiv, bile kjo ju revolton. Gjithashtu, nuk mund ta kuptoni se si mijëra njerëz mund të besojnë në fenomene që nuk janë provuar kurrë dhe për më tepër, i propagandojnë ato! Për ju, “të besosh” është baraz me “të hutohesh”, me një fjalë, të humbasësh kontaktin me realitetin. Si Shën Thomai, ju mund të besoni vetëm po ta prekni me dorë! Por nëse do ta bënim këtë, nuk do të quhej besim, që ka pikërisht aftësinë të mos «verifikohet»… Pyeteni veten se pse nuk ju pëlqen të besoni: Mbase keni frikë nga e panjohura? Keni frikë se do të keni të bëni me një dimension që nuk është në dorën tuaj? Megjithatë, ju duhet ta dini se kanë qenë besimi i Galileut apo i Ajnshtajnit që e bënë njerëzimin të ecë përpuara. Të besosh nuk do të thotë medoemos të besosh në një Zot, shërbëtor i të cilit do të ishit. Po sikur të ishit më pak kategorik?!

Nëse keni më shumë përgjigje b. Ju besoni në Zot
Fjala besim zgjon te ju një univers që ka lidhje me fenë. Të besosh, sipas jush, është para së gjithash, të besosh në një Perëndi, në një qenie superiore që, në njëfarë mënyre, luan rolin e Babait në krye të një universi të cilin e drejton me ligjet e tij. Kështu, ju i bindeni me besim këtij ligji qiellor. Aty ju gjeni një kuadër të qëndrueshëm dhe mbrojtës, një pikë referimi të përjetshme dhe të pandryshueshme, që ju sjell një lloj sigurie. Kjo ju jep një linjë qëndrimi të përcaktuar, të cilën nuk e ndërroni. Besimi te ju është më shumë çështje trashëgimie e përbashkët sesa një zgjedhje personale. Ai është fryt i miliona njerëzve dhe ka për qëllim kryesor të bashkojë njerëzit. Në fakt, ky nocion, për ju, rimon me respektin, bashkëpunimin, devocionin, por nganjëherë edhe me ndjenjën e fajit, sepse besimet tuaja janë shumë të fusiqshme dhe të ngulitura thellë në një pasuri shpirtërore që duhet nderuar. Duhet, pra, të qëndroni në rrugën e drejtë, të përcaktuar nga të vjetrit, të mos i tradhtoni… Ju nuk dyshoni në ato që besoni, bile mund t’ua predikoni të tjerëve me zjarr. Kështu, për sa kohë besimi juaj në këtë fe «familjare» ju lejon të ndjeheni të kënaqur dhe të gjeni rrugën tuaj, të realizoheni në harmoni, atëhere ju përfitoni nga forcat pozitive të besimit. Por, kujdes! Ndodh nganjëherë të trashëgojmë fe ose ide shpirtërore me të cilat ne nuk kemi asgjë të përbashkët. Pastaj, besimi bën që nganjëherë të ndjeheni në faj në lidhje me disa situata e disa zgjedhje personale, ashtu siç do të ndjeheshit përballë një prindi të rreptë… Kështu, pyeteni veten se cilat janë motivimet që ju shtyjnë të besoni, me qëllim që të mësoni nëse ato gjejnë një jehonë të vërtetë brenda jush, ose nuk janë veçse një seri gjërash automatike, reflekse që nuk janë eksploruar kurrë në të vërtetë…

Nëse keni më shumë përgjigje c. Ju keni një besim të brendshëm
Ju jeni nga ata për të cilët fjala besim risjell në mendje një univers të brendshëm, personal, këtë pjesë të vetes ku ju kultivoni kopshtin tuaj sekret dhe të shenjtë. Në fakt, lidhja juaj me besimin është shumë individuale: Bëhet fjalë për një botë unike që duhet gjetur brenda vetes, një lidhje e veçantë që duhet kultivuar me pjesën e shenjtë, të «ndritshme», që gjendet brenda secilit prej nesh. Sa njerëz ka, po aq ka edhe rrugë drejt një natyre shpirtërore të veçantë… Në fakt, më shumë se feja, për shembull, bëhet fjalë për një lloj kërkimi shpirtëror. Ju nuk trashëgoni gjë nga një botë e përcaktuar, përkundrazi, punoni për ta pasuruar botën tuaj të brendshme me durim. Ju besoni në forcat e jetës, dashurisë, energjive të Tokës, të katër elementeve thelbësore, shenjave të fatit… Për pasojë, ju joshin shumë filozofitë që flasin për qetësinë shpirtërore, për rrugën që duhet të bëjmë, për kërkimin e vetvetes, ose të qenit zen, siç janë filozofitë orientale. Ideja kryesore që ju lidhni me fjalës «besim» është kjo lloj lidhjeje që duhet të krijoni me diçka (hyjnore apo jo). Jeni dakord me thënien se «të besosh do të thotë të kesh një bindje të thellë personale te diçka e shenjtë, te njeriu, me të cilën duhet krijuar një dialog i brendshëm». Ju nuk e gjeni veten te festat dhe grumbullimet fetare, ritet etj, me një fjalë, në gjithë ato konkretizime të besimit që, në sytë tuaj, nuk ushqejnë atë pjesë të vetes suaj që ka etje për spiritualitet. Kështu, besimet tuaja ndjekin filozofinë tuaj të jetës dhe e pasurojnë atë… Vazhdoni pra kërkimin tuaj, ashtu si Alkimisti i Paulo Koeljos, sepse ju e dini se «gjithë universi është vënë në shërbimin tuaj për të gjetur unin tuaj të brendshëm…».

Nëse keni më shumë përgjigje d. Besimi ju shërben si strehë
Fjala besim ju sjell ndërmend një botë të largët, të mrekullueshme, idilike, ku çdo gjë harmonizohet në mënyrë të përkryer, ku vuajtja nuk ekziston, ku gjërat materiale nuk kanë rëndësi, me një fjalë, një botë ëndrrash. Duke u nisur nga konstatimi që bota reale është para së gjithash sinonim i dhimbjeve, luftës dhe vështirësive, besimet tuaja ju shërbejnë për ta imagjinuar veten në një vend ku nuk ekzistojnë këto sprova tokësore, një lloj toke e premtuar ku ju do të jeni më në fund i lirë dhe i lumtur. Shpesh, mundoheni ta arrini këtë botë dhe zhyteni në të me anë të eksperiencave të ndryshme, si për shembull mistike, paranormale ose transpersonale, si udhëtimet yjore, dalja nga trupi, kërkimi i jetëve të mëparshme, etj. Realiteti në sytë tuaj është gjetkë dhe shpesh, në kundërshtim me botën reale. Besimi këtu është një portë e hapur për t’iu larguar realitetit, por gjithashtu, një strehë. Në fakt, ju nuk doni të bëheni hyjnor, ose të kërkoni hyjnoren në gjërat dhe qeniet që ju rrethojnë. Ka një ndarje të përcaktuar mirë mes botës reale dhe kësaj bote ku ju besoni. Nganjëherë, bile, ëndërroni të kaloni në anën tjetër, aq të përkryer e tregojnë botën tjetër besimet tuaja. Por, a nuk është ky një largim nga parimet e vetë jetës? Mos ndoshta ju nuk arrini të përjetoni frytet pozitive dhe konstruktive të jetës tokësore, konkrete? Të besosh, nuk do të thotë të injorosh dhe të mos shohësh, përkundrazi, të hapësh mundësi të reja në vetvete dhe të pasurosh kështu ekzistencën tënde… Kini kujdes që besimet tuaja të mos ju shkëpusin nga jeta (kujdes, sidomos ndaj sekteve dhe pseudo-premtimeve të tyre), por përkundrazi, ju ndihmojnë të realizoheni plotësisht… tani!

Blerta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *