Kastro Ziso është i njohur për boom-et, veçantitë, madje edhe për idetë e tij të çuditshme, që i transformon në art. Këtë herë, ai ka zgjedhur mikeshën e tij, Elinara Shehun, për të sjellë “Porno days”… Pse ky titull, këngë dhe për më tepër, klip i veçantë?! Ne intervistuam Elin e Kastron dhe i kemi sjellë të dy në këto intervista…
– Kastro, pse bashkëpunove me Elinara Shehun?
– Unë me Elin jemi miq shumë të vjetër dhe kemi bashkëpunuar që në kohën kur unë isha me 2Farm. Më shumë ishte një kërkesë e fansave, miqve dhe kjo, është një këngë me bazament social!
– Si është të bashkëpunosh me Elinarën?
– Eli është një ndër vajzat më të mira që kam njohur në jetë. Ka një super zë!
– Cili është roli i Elinarës në klip?
– Rregullatore e tekstit tim, pak brutalo-real!
– Për të krijuar, të frymëzojnë më shumë momentet e mira apo ato të këqija?
– Mua më frymëzojnë shumë gjëra; kafshët, njerëzit…
– “Porno days” është kënga më e çuditshme që ke patur në plan të publikosh?
– Jo, jo, dhe nuk besoj se është e çuditshme! Është një këngë me bazë lakuriqësinë e njerëzve!
– Pse “Porno days”?
– Jetojmë në një epokë ku njerëzve u janë zhvatur rrobat psiqike dhe ata vetë nuk e dinë!
– Çfarë ka ky klip që asnjë klip tjetër nuk e ka?
– Ky klip ka atë që duhet të ketë!
– Nëse do të dilje nga ky stil, nuk do të ndiheshe vetvetja?
– Unë bëj shumë stile, ku e gjej veten!
– Për kë je xheloz ti dhe kush është xheloz për ty?
– Në jetë, për asgjë dhe asnjë. Profesionalisht, shpresoj të jenë shumë për mua!
– Ke thënë që nuk do të të thërrasin më Kastro Ziso, por Klevis Bega, me emrin tënd, pse?
– Ata janë në luftë të vazhdueshme me njëri-tjetrin.
– E quan veten këngëtar më të mirë apo më të keq se të tjerët?
– Nuk e quaj veten këngëtar!
– Si po të shkon emisioni yt “Kasketa shovv”?
– Më mirë, prishet. (Qesh)
– Dhe dihet tashmë që je një djalë i divorcuar… Të prish punë kjo në njohjet e reja apo ky fakt i josh më shumë vajzat?
– Nuk e besoj. Të gjithë kanë dramat e tyre në jetë, por unë nuk i quaj të tilla!
– A i ke premtuar vetes ndonjë “çmenduri” dhe nuk e ke bërë akoma?
– Çdo gjë që dua të bëj, unë e bëj!
– Cili do jetë shpërthimi i radhës?
– Ku i dihet, mbase bëhem prift! (Qesh)

Elinara Shehu

– Elinara, ti ke vite që këndon, por ka pak kohë që ke hyrë me këmbë të mbarë në muzikë. Ke patur ndonjëherë mëdyshje për rrugën së cilës i je futur?
– Për nismën, jo, se muzika është pasioni më i madh i jetës sime, por pak skeptike për faktin se muzika që unë kam përcjellë ndër vite ka qenë disi e limituar, përsa i përket pëlqimeve në masë. Jo çdo njeri dëgjon muzikë alternative, aq më tepër që këngët e mia kanë qenë profesionale dhe jo komerciale.
– Çfarë solli për fansat kënga “Hope” (Shpresë)?
– Justifikoi rikthimin tim pas një pauze 4-vjeçare, duke u përfaqësuar sërish denjësisht, sepse kjo këngë përmban 3 komponentë shumë të fortë që unë besoj se i kam arritur: Vokal, tekst dhe muzikë profesionale, të cilat u shkrinë në një të vetëm dhe tepër të rëndësishëm në ditët e sotme, në videoklipin e realizuar me aq profesionalizëm nga Max Production.
– “Porno days” është pak trasgresiv, apo jo?
– Hëm, trasgresiv?! Epoka ku jetojmë është trasgresive në të gjitha kuptimet e fjalës dhe kënga është denjësisht e justifikuar, pasi u realizua artistikisht dhe profesionalisht, duke iu përshtatur kësaj epoke! Ditët “porno” janë realisht koha që ne sot po jetojmë, ku marrëdhëniet njerëzore janë bërë tepër të largëta; respekti, mirënjohja dhe dashuria kanë humbur nocionin e të qenit reale! Virtualiteti ka zënë pjesën dërrmuese të kohës, më tepër se gjithçka!
– E kishe menduar çfarë reagimi do të shkaktonte kjo këngë?
– Po, e kam menduar që titulli do të ishte pak paradoks…
– Si është të punosh me Kastro Zison?
– Është privilegj pasi Kastroja është tepër i saktë në idetë që do të përcjellë te publiku dhe kjo e thjeshtëzoi tej mase pjesën time! Është fat të bashkëpunosh me njerëz me ide të qarta! Gjej rastin ta falënderoj për kujdesin dhe devotshmërinë gjatë xhirimeve të klipit dhe që më duroi mua, bashkë me ankthin tim, për tri ditë rresht!
– Ti je nënë e dy vajzave të bukura… E kanë parë klipin ato?
– Faleminderit! Sigurisht, ato gëzojnë bashkë me mua të gjitha gëzimet që kam në jetë dhe të siguroj që videoklipi, përveç punës, ishte edhe gëzim për mua. Vajza e vogël ka qenë e pranishme gjatë xhirimeve mbrapa meje; ishte mbështetja dhe kritikja ime më e mirë. Fëmijët janë një arsye shumë e fortë për rikthimin tim në skenë! Pa dëshirën e tyre, ndoshta nuk do të isha këtu ku jam sot!
– Je nënë strikte apo tolerante?
– Jam nënë strikte vetëm përsa i përket regjimit derisa të rriten, për të qenë të shëndetshme dhe gatshme për ta përballuar ditën. Në pjesën tjetër, jam nënë, mike e shoqe në të njëjtën kohë dhe, për të plotësuar këtë trinom, përdor tolerancën! Një fëmijë pa tolerancë nuk do të bëhej kurrsesi një fëmijë i zgjuar, i dashur dhe i përgatitur në jetë! Fëmijët e mi duhet të dalin në jetë të mësuar me idenë që në këtë botë ekziston e mira dhe e keqja njëkohësisht e po të mos isha tolerante, nuk do të kishin shanse ta mësonin këtë. Në fund të fundit, si të gjitha nënat e botës…
– Mendon se jeta është e gjatë apo e shkurtër?
– Po aq e gjatë, sa edhe e shkurtër! Nëse do të falnim mirësi, do të merrnim shumë dashuri nga mëma natyrë, prandaj njerëz hiqni petkun e ligësisë, dhurojani jetës e dashurisë! Mendoj se ky është sekreti i të jetuarit gjatë.
– Si i ke marrëdhëniet me fansat?
– Respekt karshi tyre dhe mirësisë që ata më falin! Janë një shtysë shumë e madhe që të vazhdoj të eci përpara. Ka nga ata që më frymëzojnë për të bërë diçka ndryshe. Përpiqem gjithmonë t’u shkruaj dhe t’i sajdis me ato mundësi që kam, pasi koha është e limituar për të qenë shumë pranë tyre, qoftë edhe virtualisht! I kam xhan, është tepër pak për të thënë për ta!
– Çfarë e trazon mendjen tënde në këto momente?
– Sigurisht, puna ime. Të jesh në qendër të vëmendjes do të thotë të jesh krijues përsëri, për të mos zhgënjyer ata njerëz që kanë qenë mbështetja më e madhe në punën që kam bërë. Duhet t’ua shpërblej me një tjetër këngë po aq, ose më të bukur se kjo.
– Nëse do të bëje një ndryshim në jetën tënde, cili do të ishte ai?
– Sigurisht, nëse do të kisha mundësi të ndryshoja jetën time, do ta nisja nga shumë gjëra (qesh), por nëse do të kisha patur mundësira të tilla, do të më duhej të shpikja makinën e udhëtimit në kohë që të rregulloja të gjitha gjërat që do të doja të kishin rrjedhur ndryshe! Jam e kënaqur me çfarë kam kaluar nga jeta ime. Tashmë, më duhet të mendoj për të ardhmen!
– Sipas teje, cila është e vërteta rreth dashurisë?
– Dashuria; kjo fjalë kaq e madhe, kaq e ëmbël dhe e dashur për të gjithë! Ndoshta dhjetë Elinara bashkë nuk do të mund të flisnin për të vërtetën rreth saj. Dashuri është ndjenja më e bukur që e plotëson qenien tonë. Pa dashuri, do të ishim si ai zogu pa krahë, si manekini pa shpirt. E gjithë bota rrotullohet rreth saj, madje edhe shumë luftëra kanë nisur për të. Nuk do të doja që dashuria të ishte luftë, por thjesht, ta kishte emrin e saj “vetëm dashuri”!
– Si ka ardhur dashuria te ti?
– Jam e mendimit që po e thirre dashurinë, ajo vjen te ti, por në të njëjtën kohë, aty fillon përgjegjësia më e madhe e të qenit mirë me të. Nëse do të marrësh dhe japësh dashuri duhet të jesh njëqind për qind i vërtetë, në radhë të parë me veten e pastaj me të, kështu që nuk ka shumë rëndësi nëse ajo vjen te ti apo shkon ti tek ajo!
– A është muzika prioritet në jetën tënde?
– Angazhimi me muzikën është prioritet, pas fëmijëve të mi! Duke qenë se është pasion, është në të njëjtën kohë edhe dashuri dhe, të shkrira në një, e përforcojnë mendimin se është puna ideale që do të donte çdo njeri.
– Po ta konsideroje veten nxënëse në muzikë, cili do të ishte mësuesi yt më i mirë?
– Mësuesja ime e preferuar në Shqipëri do të ishte e pazëvendësueshmja, hyjnorja, mbretëresha e zërave shqiptarë, Vaçe Zela, qoftë kjo sikur edhe vetëm një ditë të kishte ndodhur në jetën time, të siguroj që do të më kishte vlejtur shumë!
– Kur të vjen të qash, si e ndalon veten?
– Nuk kam formulë për këtë, e dashur! Të siguroj që nuk jam tipi i njeriut që qaj kot, por kur kam arsye të fortë. Kur dua të qaj, mundohem me të gjitha mënyrat të mos e bëj, por fatkeqësisht, e tradhtoj veten dhe qaj, por qaj shumë ama!
– Ka ndodhur që një parandjenjë, të rezultojë e vërtetë?
– Parandjenjat kanë luajtur një rol çuditërisht të madh tek unë. Ndonjëherë u trembem atyre pasi më ndodh që i jetoj një të nesërme! E quaj veten disi supersticioze, por jam gjithmonë me këmbë në tokë, i quaj pak edhe pjesë të fantazisë sime! Kur kam qenë e vogël, im atë më lexonte shumë përralla dhe unë, sot e kësaj dite i kujtoj ato me nostalgji. Ndoshta të gjithë ne jemi qenie shumë të dobëta e duam të besojmë në parandjenjë, energji apo Zot. Në fund të fundit, mirë bëjmë se në këtë mënyrë, ushqejmë trurin me fantazi dhe besim!
– Ç’ndjesi të jep një ditë me diell dhe një ditë me shi?
– S’i imagjinoj dot njërin, pa tjetrin, motër e vëlla janë. Si të gjithë njerëzve, dielli më jep energji dhe shiu më zbut shpirtin, më bën të fantazoj, por do t’i doja të alternuara…
– Kam parë që ke pasion edhe motorrat Harley, apo jo?!
– Harley është një pasion i vjetër që në moshë të adoleshencës, por jo një domosdoshmëri.
– Kjo do të thotë që të pëlqen adrenalina që të dhuron shpejtësia?
– Sigurisht që shpejtësia më dhuron adrenalinë, por jo vetëm me Harleyn! Edhe në makinë e kam pak keq punën me shpejtësinë, njëherë kam dashur të bëhem edhe pilote avioni e ndoshta e realizoj në të ardhmen, s’i dihet! (Buzëqesh) Kur kam qenë e vogël, adhuroja filmat fantashkencë dhe që atëhere, mendoja se, kur të rritesha, do kisha makinë fluturuese. Ah, as këtë s’e realizova dot! (Buzëqesh)
– Të frikëson më shumë tradhtia apo budallallëku?
– Hëm, budallallëku s’ka brirë, tradhtia të lëndon, ndërsa dashakeqësia të shkatërron, kështu që unë, vetëm kësaj i frikësohem.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *