Zotin Gate Mahmutaj e takuam ne qelinë e tij në paraburgim, me moral shumë të lartë dhe krenar…

 

Kaso Kosa: – Zoti Gate, po ju shohim shumë të qetë dhe të sigurtë, megjithëse jeni ndaluar nga policia e shtetit…

Gate Mahmutaj: – Nuk kam asnjë arsye të jem i trishtuar, Kaso! Jam në të drejtën time dhe e drejta vonon, po nuk harron. Në mos sot, nesër do të më nxjerrin dhe unë do të shikoj punën time, siç e kam parë gjatë të gjithë jetës.

– Si po shikoni punën tuaj, kur ju mbillni hashash, gjë që është e kundraligjshme?

– Mor zotëri, ne kemi 22 vjet që mbjellim e korrim hashash. Na bie bretku në punë për të mbajtur frymën gjallë e për të rritur fëmijët si e gjithë bota. Ku qëndron këtu shkelja e ligjit? Kanë kaluar disa qeveri në këta 22 vjet dhe askush nuk na ka trazuar në hallin tonë. Në fund të fundit, kemi edhe një marrëveshje zotërinjsh me Doktorin e vartësit e tij për këtë lloj bime që e kultivojmë dhe po i rrisim cilësinë nga viti në vit. Vetë policia e shtetit na ka orientuar të mbjellim hashash dhe na ka ndihmuar të gjejmë farëra të cilësisë së lartë.

– Po si ndodhi që me këtë qeveri, nuk ratë dakord?

– Para disa javësh, Saimir Tahiri më mori në telefon dhe më tha: “Gate, qeveria e Edi Ramës dhe unë, si Ministër i Brendshëm, jemi gati ta tolerojmë ndërhyrjen në Lazarat, por me kusht që këtej e tutje të na jepni pjesën që na takon nga të ardhurat tuaja, siç keni bërë me qeverinë e mëparshme.”. Unë nuk pranova sepse burrat kanë një besë e një fjalë nga edhe lidhen. Ia kemi dhënë që më 1992-shin fjalën Sali Berishës që do jemi me ta, në krah të tyre dhe nuk e hamë fjalën. Kaq u desh dhe ata na sulmuan pabesisht para disa ditëve, por të jeni të sigurtë se do të dështojnë me turp.

– Për ç’dështim flisni, kur policia hyri pothuaj në të gjithë fshatin dhe po djeg e shkatërron bimët e mbjella dhe hashashin e ambalazhuar?

– Edhe ju gazetarët e hani këtë bllof të Ministrit Tahiri? Gjithçka është një fasadë për t’i hedhur hi syve Evropës, me qëllim që të japë statusin e pastaj të rrahin gjoksin. Bashkëfashatarët e mi janë jo vetëm nëpër male, me armë në dorë, por edhe brenda fshatit. Ata luftojnë natën dhe ditën shëtisin pa gjë të keq në fshat. Shtigjet e fshatit i njohim vetëm ne dhe ikim e futemi kur të na dojë qejfi. Ata kontrollojnë tani, ne futemi më vonë. Jemi aq të organizuar, sa na kanë zili edhe ata të forcave speciale që kanë ardhur nga Tirana.

– Kryetari i komunës, zoti Dasho Alikaj, ka bërë thirrje për t’u dorëzuar dhe që të bashkëpunoni me policinë e shtetit.

– Në njëfarë mënyre, është Dashua ai që na mori në qafë dhe nxiti policinë të futet në Lazarat. Ju e mbani mend mitingun madhështor që u organizua nga Aleanca kundër Trafikut të Drogës? Basha, për të treguar se bën një politikë ndryshe, e përzuri prej mitingut Dashon dhe mbi 50 burra nga fshati ynë. Kjo e revoltoi aq shumë Dashon sa deklaroi për mediat se jo vetëm mbjellim hashash si fshat, por edhe e kemi atë punën e vetme për të mbijetuar. Kjo deklaratë u shtoi oreksin të majtëve që të futeshin në negociata me shtabin hashashian të Lazaratit për kompromis dhe për të marrë pjesën e tyre.

– Thuhet se zoti Berisha ju ka quajtur tradhtar që u vetëdorëzuat…

– Nuk është se vërtet më quan tradhtar, por ia do puna dhe politika për të mbajtur lart moralin e shokëve tanë që po luftojnë heroikisht për të mbrojtur familjet dhe të drejtat legjitime nga bandat e armatosura të Edi Ramës. Kam folur ditë për ditë me Doktorin dhe i kemi rrahur mirë punët tona. “Gate, ti duhet me u dorëzu për të fitu kohë për riorganizim të komitetit të shpëtimit të Lazaratit, më tha. Nga ana tjetër unë do baj punën time, do ta largoj opozitën nga Parlamenti për t’u dhënë perëndimorëve të kuptojnë se kjo qeveri nuk e meriton statusin, se asht e lidhur me krimin dhe se gjithçka e ban për shou mediatik ndërkombëtar”. Dhe, e mbajti fjalën si burrat. Ju e patë që opozita e braktisi Parlamentin dhe nuk do të hyjë atje derisa Rama dhe Tahiri të dalin nga Lazarati dhe Evropa t’i bojkotojë.

– Policia deklaron se nëpër shumë shtëpi të fshatit është gjetur jo vetëm drogë, por edhe një arsenal i tërë armësh, gjë që përbën vepër penale…

– Ne armët i kemi, mor zotëri, por i kemi me lejen e qeverisë Berisha prej vitesh, për të mbrojtur jetët tona. Ia shtruam qeverisë nevojën për t’u vetmbrojtur nga ata që donin të na grabisnin mallin e gjënë. Mos harroni se fshatin tonë e kanë patur dhe e kanë zili jo vetëm shqiptarët, por e gjithë Evropa. Malli që ne prodhojmë, ka çarë rrethimin dhe është bërë eksporti numër një për tërë vendin. Sa filloi sulmi mbi fshatin tonë, u rritën çmimet e drogave. Ç’borxh u kanë fqinjët tanë qeveritarëve të majtë, të ndikojnë në nivelin e jetesës së popujve të tyre? Mendoni që kjo qeveri, me këtë që bëri ndaj nesh, po ndikon drejtpërdrejt në nivelin e jetesës së popujve evropianë. Nuk ka për t’ua falur kush këtë akt kriminal, gjë që do të reflektohet në vendimin për marrjen e statusit për në BE.

– Mendoni se do të mund të dilni pa lagur nga ky arrestim?

– Sa të kem në krah Doktorin, kam në krah edhe prokurorinë e gjykatat. Dhe, sa të kemi ato nën kontrollin tonë, nuk na hyn gjemb në këmbë…

 

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *