Kaso Kosa: – Zoti Imami, po ju shohim shumë të tërhequr në këtë legjislaturë,ku pothuaj nuk ua kemi dëgjuar asnjëherë zërin.

Arben Imami: – Jam politikan me eksperiencë të gjatë unë, që nga 1991 e këtej kam qenë përherë në politikë dhe shumë herë edhe protagonist si në rastin e kryesimit të komisionit për hartimin e kushtetutës që kemi sot. Por përsa i perket vërejtjes për zërin tim në parlament, ka një hollësi që ju nuk e dini. Që prej datës 23 qershor, Doktori ka vënë një rregull: do të flasë vetëm ai dhe ata që do të caktojë ai. Kush guxon e jep emrin për diskutim, rrezikon të ndëshkohet. Dhe ju e dini se ndëshkimi i Doktorit i kushton shumë çdo deputeti. Mua nuk më është dhënë asnjëherë kjo e drejtë, ndaj edhe nuk kam folur.

– Por nga ana tjetër dukeni shumë i qetë ndërkohë që për ju është folur më shumë se kurrë nga qeveria e Rilindjes dhe Ministrja Kodheli, duke ju bërë një mal me akuza e duke dërguar dosje në prokurori.

– Nuk më kanë trembur dhe nuk më trembin akuzat mua, Kaso! Jam ujk i vjetër dhe kam lidhje të gjithanshmë me të gjithë faktorët që përbëjnë atë që quhet politika e ditës. Jo njëherë jam vënë në shënjestër të kundërshtarëve të mi dhe kam dalë pa lagur. Nga ana tjetër as kam pyetur e as pyes se përse më akuzojnë…

– Ju akuzojnë se keni shpërdoruar 1.2 milion euro për reklama për ushtrinë shqiptare dhe këto vetëm te një televizion, Te “Klani”.

– Për këtë akuzë as që më prishet gjumi mua, Kaso, sepse nuk jam unë që dhashë lekët, nuk jam unë që zgjodha televizionin. Ato punë i ka bërë vetë Doktori me Sandrin. Ata e dinë se sa lekë duheshin dhe kur duheshin lëvruar. Bode firmoste dhe Klani fitonte. Unë as kam parë e as kam firmosur ndonjë dokument reklame. Euro, jo se jo! Nuk e mohoj që një ditë nga ditët, Sandri, si kishte marrë shumën nga lëvrimi që bëri ministria efinancave, më ka dhënë një drekë në Bërzhitë. Ama një drekë nuk është korrupsion dhe për këtë jam i qetë.

– Ju akuzojnë se keni blerë pajisje speciale përgjimi për ushtrinë, por i keni përdorur kundër opozitës.

– E ç’të keqe ka këtu? Deri dje i përgjonim ne ata, sot ata kanë paisjet, janë në pushtet e na përgjojnë ne. Vaji në lakra mbetet. Nuk është e rastit që sa doli Gent Strazimiri nga salla e shkoi në tualet që merrte udhëzime nga Doktori se çfarë duhej të thoshte pas pushimit, Rama, i dërgoi dy deputetë ta rrihnin pa mbërthyer mirë pantallonat. Ngeli Genti i shkretë me poture nëpër këmbë sa u bë qesharak në sytë grave deputete.

– Ju akuzojnë se keni përdorur ushtrinë për kërkime ari, duke blerë edhe paisje speciale…

– Këtë akuzë e pranoj me kënaqësi pasi vërtet kam blerë pajisje dhe vura ushtarët e mi të kërkonin ar në varret e ilirëve të vjetër, por këtë e bëra për interesat e larta të atdheut. E imagjinoni ju se sa fitime do të kishte buxheti i shtetit sikur të zbuloheshin pasuritë përrallore të mbretërve e princërve ilirë? Pse duhet të ndëshkohem për këtë? Në kohën e diktaturës, ushtarët dërgoheshin të korrnin misër apo të mblidhnin pambuk në ndihmë të kooperativave. Sot Miinistrja Kodheli i ka vënë të pastrojnë bregdetin me kazma, lopata e thasë. Mos duhet ndëshkuar edhe ajo për ndryshim të destinacionit të forcave të armatosura?

Zonja Kodheli e ka bërë këtë më një urdhër ditë të Kryeministrit…

– Shumë keq për zonjën Ministre që merr urdhëra nga Kryeministri. Nga Presidenti duhet të marrë urdhëra se ai është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Ndërsa unë vërtet kërkova me ushtarët e mi mbi dy mauj rresht në varreza ilire, por kjo ishte porosi e Zotit Nishani që kishte lexuar se princët dhe mbretërit ilirë, i kishin varrosur thesaret e tyre në të dy anët e rrugës “Egnatia”. Madje kur po udhëtonte një ditë për pushime në Pogradec, sapo pa togën e ushtarëve që po nisej për inkursionin e rradhës, u entuziazmua aq shumë sa ndaloi dhe mori në dore një paisje speciale kërkimore, e studioi si ushtarak i sporovuar dhe filloi të kërkonte vet mbi nja dy varre që pa në anë të rrugës. Unë guxova dhe i thashë se nuk ka pse lodhet ai, jemi ne këtu, po ai nuk e lëshonte paisjen nga dora. M’u desh ta sqaroja se ato varre ishin nga të vrarët e 1997 e jo varre të vjetra ilire. ..

– Nga media, marrim vesh se dosjet kundër jush, njëherë për njëherë janë pushuar nga ana e prokurorisë. Cilët janë ata që kanë ndikuar në këtë favorin tuaj?

– Së pari, duhet thënë se këtë muaj unë jam me ramazan. Ju e dini që rrjedh prej një familje imamësh dhe nuk e hedh poshtë traditën familjare. Por edhe Doktori më sugjeroi në fillim të muajit të futesha në ramazan, sepse gjatë muajit të agjërimit, prokuroria nuk i prek ramazanllinjtë, në këtë mënyrë do më shtyheshin afatet e shqyrtimit të dosjeve dhe pastaj do viheshin në lëvizje avokatët, miqtë, dashamirët për të shfrytëzuar hapësirat dhe për të pezulluar çështjet. Nuk është hera e parë që ka ndodhur në vendin tonë. Kur duan, prokurorë e gjyqtarë, çdo çështje mund të mbyllet paqësisht e pa probleme. Kjo më solli edhe qetësinë shpirtërore së bashku me faljet që këtë muaj bëj gjashtë herë në ditë.

-Kur ishit ju Ministër Mbrojtje, a është përdorur aeroporti ushtarak i Gjadrit për trafiqë narkotikësh?

– Ku dija gjë unë i ziu se ç’bëhej në Gjadër? Atje futeshin vetëm ata që dërgonte Doktori ose Zeni dhe punonjësit e Visho Ajazit. Mbillej apo korrej, transportohej apo jo, vetëm ata e dinin. Mua më ishte ndaluar të futesha në atë aerodrom. Madje edhe në Divjakë nuk më linin të shkoja. Një ditë kur m’u lut gruaja të venim se kishte dëgjuar që ka rërë të mirë, pa hyrë mirë në kthesën e Çermës, më ndaluan e më kthyen duke më thënë se kishte rrezik të merrnim infeksion nga mushkonjat. Tani e mora vesh se edhe atje bëhej transport droge me avionë.

Bisedoi me shaka KASO KOSA

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *