Kapiteni i kampionëve të vendit tonë, Bledi Shkëmbi, vlerëson kundërshtarin në turin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, por ai nuk e vë në dyshim për asnjë moment kalimin për në turin tjetër të këtij kompeticioni të Skenderbeut. Një besim dhe optimizëm i tillë, nuk vjen vetëm si rezultat i takimit të parë në Bjellorusi, që u mbyll me shifrat e bardha 0-0, por te forca e grupit të ekipit korçar te cilësia dhe pjekuria që ka tashmë kjo skuadër. Bledi Shkëmbi është një ndër mesfushorët-fantazistë më të mirë të futbollit shqiptar në dekandën e fundit, me shumë trofe si në kupa dhe kampionate, ku ndër të tjera, 4 tituj kampion radhazi i ka fituar me “Skënderbeun” dhe këtë vit synon të pestin. Ai, për gazetën “Intervista”, flet edhe për transformimin e skuadrës korçare pas lëvizjeve të fundit në merkato dhe, sipas fantazistit korçar, ky “Skënderbe” është më i miri i 4 viteve të fundit, që do të thotë se edhe sezonin tjetër ky ekip nuk do ta diskutojë titullin “kampion”

 

Mejdan Zhivani: -Shkëmbi, kemi barazuar 0-0 në Bjellorusi, ndaj Bate Borisovit. E kishit imagjinuar më parë se mund të arrinit një rezultatet të tillë?

Bledi Shkëmbi: -Me thënë të drejtën e dinim që ishte një kundërshtar i fortë dhe një ndeshje shumë e vështirë. Ndaj hymë në lojë duke menduar vetëm të jepnim maksimumin dhe të kishim pak fat, sepse fati është gjithmonë i rëndësishëm.

-Sa i favorshëm është ky rezultat për të kaluar për në turin tjetër?

-Është një rezultat i mirë dhe që na jep shpresë për ndeshjen e dytë. Megjithatë, janë edhe 90 minuta për t’u luajtur dhe duhet të japim gjithçka për gjithçka për të arritur qëllimin tonë.

-Sa informacion kishit më parë për kundërshtarin dhe sa e njihni tani?

-Informacion kishim vetëm si emër, pasi emrin e ka të njohur dhe disa ndeshje që arritëm t’i shihnim në DVD. Asnjë njohje tjetër. Ndeshja e dytë ndryshon pasi i njohim më mirë dhe e kemi parasysh lojën dhe lojtarët kundërshtarë.

-Sipas jush, cila ishte “arma” kryesore, apo taktika kryesore që bëri diferencën për këtë barazim?

-Çelësi apo taktika jonë mendoj se është loja në grup dhe kompakt e gjithë lojtarëve tanë.

-Cilat janë pikat më të forta të “Skënderbeut”, dhe pikat më të dobëta të “Bate Borisovit”?

-Mendoj që pika e fortë e jona është përsëri grupi. Secili individ jep maksimumin në funksion të ekipit. Pika të dobëta mendoj që kundërshtari nuk kishte, por as ndonjë pikë super të fortë.

-Duke qëndruar te takimi i parë me “Bate Borisov”, çfarë atmosfere gjetët atje?

-Gjetëm një atmosferë shumë të mirë për një ndeshje futbolli, në një stadium të mbushur dhe model për nga infrastruktura e një impianti sportiv për të tilla takime. Na vjen keq që në Shqipëri akoma s’kemi një stadium që t’iu afrohet këtyre niveleve.

-Si mendoni se do ta zgjidhë kualifikimin “Skënderbeu” ditën e martë?

-Mendoj që do jetë një ndeshje akoma më e vështirë për ne dhe me më shumë presion. Mendoj që duhet te jemi përsëri të kujdesshëm dhe të japim super- maksimumin që të arrijmë të kualifikohemi.

-Ky “Skënderbe” është më i fortë apo në i dobët se një vit më parë, pasi ka patur lëvizje jo të pakta në skuadër?

-Ky “Skënderbe” është më i fortë se këto 4 vite që lamë pas. Ky është mendimi im. Ka më shumë cilësi dhe pjekuri.

-Çfarë prisni nga tifozëria korçare në këtë ndeshje?

-Çfarë presim?! Dihet, mbështetjen e tyre. Ndihma e tyre dhe atmosfera që do të krijojnë janë një ndihmesë e madhe për ne, madje shumë e madhe dhe e rëndësishme. Tifozët tanë kanë qenë dhe mbetet gjithmonë pjesë shumë e vlefshme e sukseseve tona.

-Prisni ndonjë tifoz special në stadium për Bledi Shkëmbin?

-Tifozja speciale këtë herë, për herë të parë, do të jetë vajza ime, Breila.

-Keni filluar të mendoni për të ardhmen tuaj, apo ende ndiheni në formë për të vazhduar kontributin tuaj në fushën e blertë?

-Në këto momente e vetmja gjë që mendoj është të jap maksimumin dhe të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve si dhe të shpallem për herë të 5-të kampion.

-Kush mendoni se do të shënojë golin e kualifikimit përballë Bate Borisovit?

-S’kam ndonjë preferencë se kush mund të shënojë apo të jetë golashënuesi që mund të na kualifikojë për më tej, por lutem vetëm që të kualifikohemi, pasi kjo ka shumë rëndësi për ne.

-Meqë ende i kemi të freskët emocionet që na dhuroi kampionati botëror, “Brazil 2014”, mund të na thoni se cila ishte skuadra juaj e zemrës?

-Brazili!

-Po, për fituesin, ç’mendim keni, pavarësisht se ai nuk gjykohet asnjëherë?

-Mendoj se këtë kampionat e fitoi ekipi më i mirë dhe më i fortë, gjë të cilën e tregoi nga ndeshja e parë dhe deri në fund.

-Cili është vlerësimi juaj në tërësi për garën e këtij kampionati botëror?

-Ky kampionat botëror tregoi se nuk ka më ekipe me emër, tregoi se edhe ekipet e ashtëquajtura “të vogla”, dinë të luajnë futboll dhe të jenë si të barabartë me çdo kundërshtar në fushën e blertë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *