– Jam një zonjë që e lexoj rregullisht këtë rubrikë. Jam regjistruar në palestër, por për shkak të punës që kam, më duhet ta ha darkën pas orës 21.00 dhe nuk e di se çfarë është më e mira të ha në atë orar. Jam e detyruar të ha atëherë sepse e mbaroj punën në 8 të darkës. Çfarë ushqimesh mund të konsumoj pas asaj ore, në mënyrë që të mos shëndoshem?
Mario, instruktor: – E nderuar zonjë, e kuptoj shqetësimin tuaj. Keni të drejtë që pyesni sepse pas atij orari, ushqimet depozitohen shumë lehtë në dhjamë për trupin. Unë do t’ju rekomandoja në fillim, një sallatë jeshile me ton dhe një supë të lehtë në mënyrë që ndiheni e ngopur. Netët e tjera thjesht, supë me të gjitha perimet, ose një fileto peshku apo fileto pule, gjithmonë të shoqëruar me ndonjë sallatë. Do t’ju listoj edhe ushqimet që nuk duhet t’i konsumoni pas orës 21.00 të darkës: Pastat, sepse kalorite e tyre të mëdha, të marra në darkë shtojnë dhjamin, sidomos në bark. Çokollata, sepse kafeina që përmban, ju jep çrregullime në gjumë duke ju ulur kështu energjinë për ditën e nesërme. Pica, një ushqim i rëndë me shumë karbohidrate dhe yndyrë. Specat rrisin metabolizmin, por nëse i konsumoni çdo ditë shkaktojnë djegie në stomak dhe shqetësime në gjumë. Absolutisht jo sasi të madhe mishi sepse përmban shumë proteina dhe duhet energji e madhe për t’i djegur, prandaj nuk tretet mirë. Edhe lëngjet e frutave, si portokalli, rrushi e boronica, shkaktojnë djegie në stomak. Këto janë pak a shumë këshillat që duhet të keni parasysh nëse hani pas atij orari.