– Kam një problem me lëkuren e fytyrës. Në zonën e ballit dhe në mollëzat e faqeve lëkura është e skuqur, e thatë dhe të jep përshtypjen sikur ripet vazhdimisht. Gjithashtu, në disa zona në lëkurën e kokës vihet re zbokth i trashë, i ngjitur në lëkurë. Kam dy vjet me këtë problem. A mund të trajtohet që të mos përsëritet më dhe çfarë kujdesi duhet të tregoj?
Dr. Albana Lufi, mjeke – dermatologe: – Përshëndetje! Nga të dhënat që përshkruani besoj se bëhet fjalë për dermatitin seborroik, një sëmundje kronike që shfaqet më tepër te njerëzit me lëkurë të yndyrshme dhe lokalizohet në vendet e pasura me gjëndra yndyrore në kokë, ballë, në pjesët anësore të hundës, gjoks, shpinë. Predispozita gjenetike është e rëndësishme për shfaqjen e kësaj patologjie. Tipike për dermatitin seborroik janë vatrat me ngjyrë të kuqe dhe të mbuluara me skuama me ngjyrë të verdhë në të bardhë. Në kokë vërehen vatra të mëdha e të bashkuara ose ndodh që lëkura e kokës të jetë krejtësisht e mbuluar prej skuamash të thata e të thërrmuara pa skuqje ose të verdha të yndyrta me bazë eritematoze. Trajtimi:
– Terapia e dermatit seborroik është e zgjatur. Si rregull, drita, ajri dhe dielli janë mjaft të nevojshëm. Në kohën e ngrohtë me rrezatime diellore intensive, shenjat klinike të sëmundjes përmirësohen, prandaj edhe terapia është më e rrallë, ndërsa në kohë të ftohtë duhet të jetë më intensive. Në fytyrë, rekomandojmë krem me kortizon të lehtë për një javë të vetëm ose të kombinuar me pomadë antimykotike për të zvogëluar eritemën. Për të larguar skuamat në kokë ose në trup, pomadë ose solucione me Acid Salicilik + kortizonik për një kohë të shkurtër. Në kokë rekomandojmë gjithashtu shampo për zbokth të thatë ose zbokth të yndyrshëm të cilat eleminojnë skuamat, parandalojnë përkeqësimin e zbutin skuqjen. Mund të përdoren dhe shampot antimykotike. Terapia jepet nga mjeku dermatolog i cili ju tregon edhe për kohëzgjatjen e kremit me kortizon, në mënyrë që të shmangen efektet anësore, sidomos në fytyrë, por gjithashtu rekomandimin e terapisë mbajtëse dhe hidratimin e lëkurës me kremin e duhur, në mënyrë që periudha e përmirësimit të jetë e gjatë.