– Kam një pyetje për arkitektin tuaj: Dhomat i kam shumë të mëdha. A janë një zgjidhje e mirë ndarëset? Duke qenë se kam dy fëmijë, mund ta ndaj dhomën, duke e bërë një pjesë magazinë dhe tjetrën, për dy djemtë e mi. Si të veproj dhe çfarë ndarësesh të përdor?
– Ndarëset e dhomave janë një opsion bashkëkohor si për dhomat e vogla, ashtu edhe për ato të mëdha. Ato ndihmojnë në krijimin e hapësirave funksionale të jetueshme, krijojnë privatësi në hapësirat e hapura dhe shpesh, mund të kthehen në pjesë mobiljesh të nevojshme për përdorim. Pra, në rast se doni të ndani dhomat për një përdorim më eficent të hapësirës, shtoni një pjesëz antike e cila do t’i jepte karakter dhomës tuaj, ose fshihni hapësirat për të shtuar privatësinë. Për problemin tuaj, zgjidhja më e mirë mund të ishin ndarëset e dhomave, të cilat janë shumëllojesh dhe që unë po jua përshkruaj shkurtimisht:
– Dyert rrëshqitëse: Në qoftë se doni që dhoma të vazhdojë të funksionojë si një hapësirë e madhe, e hapur ose e ndarë, në varësi të rrethanave, atëherë dyert rrëshqitëse janë një zgjidhje fleksibël. Mund të gjeni dyer të trasha të cilat errësojnë plotësisht pamjen, ashtu si edhe porta më transparente, me larmi çmimesh dhe stilesh.
– Mobiljet funksionale. Një mobilje, ka një funksion të trefishtë: është element magazinues, dekorativ, si edhe një ndarës dhomash. Bufeja ose rafti i librave ndan vizualisht hapësirat e mëdha në një ambient ndenjeje dhe ambient ngrënieje, duke ruajtur rrjedhën e hapësirës dhe dritës. Për më tepër, është një vend i mirë për të ekspozuar lule ose ornamente, si edhe për të magazinuar objekte.
– Panelet pluskuese. Në një dhomë matrimoniale ose dhomë miqsh, një element ndarës mund ta formësojë hapësirën në një hapësirë fjetjeje dhe në një sallon. Këto panele pluskuese krijojnë një mur efektiv dhe të thjeshtë, të mundësuar nga elementë tubolarë të kapur në tavan dhe në dysheme. Rripat e argjendtë e bëjnë atë të shndritshem dhe duke qenë se lartësia e këtyre elementeve është sa treçereku i një muri të zakonshëm, drita dhe hapësira qarkullojnë lirshëm në dhomë.
– Dritaret “vintage”. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një tjetër zgjidhje inovative të përdorimit të kornizave të vjetra të dritareve. Ato mund të përdoren për të ndarë hapësirën e një apartamenti në një sallon dhe në një dhomë ngrënieje. Këta elementë ndarës do të shkonin së tepërmi me muret me veshje tulle, duke i dhënë hapësirës një karakter intrigues.
– Copat. Kjo zgjidhje mjaft ekonomike, e përkohshme dhe e zhvendosshme mund të përdoret si një ndarës ambientesh që i jep hapësirës gjithashtu ngjyrë dhe diversitet. Duke i dhënë privatësi një ambienti qoftë studimi ose zyre, ky lloj ndarësi me material cope i cili varet nga tavani, është një zgjidhje e thjeshtë dhe efektive.
– Ndarësit dekorativë. Në këtë rast, përdorimi i një ndarësi prej druri me ornamente i jep një sens privatësie dhe intimiteti një ambienti fjetjeje dhe një sens dekorativ, një hapësire me përmasa më të mëdha.
– Panelet e drurit. Si në rastin e mësipërm, edhe në këtë rast, mund të përdorim drurin e ricikluar në formë listelash vertikale të cilat formësojnë hapësirën duke u përdorur si panele ndarëse. Ky është një element ekologjik në të cilin ajri, hapësira dhe drita rrjedhin lirshëm, duke qenë se punon si një element i ndarë. Sipas dëshirës, mund t’i bashkangjiten edhe bimë të ndryshme.
– Raftet. Ju mund të krijoni mure transparentë me njësitë e rafteve të cilat ruajnë hapësirën, por shërbejnë edhe si ndarëse dhomash. Qofshin të ndërtuara, qofshin si një mobilje lëvizëse, ato ju japin mundësinë të keni një vend të shkëlqyer për të reklamuar orendi të ndryshme.
– Muret jeshilë. Dhe së fundmi, vijmë me një zgjidhje pak më ndryshe. Tregohuni kreativ me një mur jeshil, me bimë. Kjo është një zgjidhje perfekte si për ambientet e brendshme, ashtu edhe për ato të jashtme. Kjo zgjidhje do të japë freski në hapësirë, do të sjellë ngjyra dhe do të jetë një arsye për të nisur një diskutim.