Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Spartak Ngjela: Në Shqipëri nuk ka pasur tranzicion

Avokat Spartak Ngjela ka publikuar ne Facebook nje referat te tij ne lidhje me tranzicionin shqiptar, mbajtur ne Universitetin Europian te Tiranës me 24 prill 2015

TEZA E PARE. A ka pasur dhe a ka vërtet ende sot një tranzicion shqiptar në lidhje me kalimin nga një sistem politik në tjetrin ?

Nuk ka pasur një tranzicion shqiptar.

Advertisement

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje me gjykimin se nuk ka pasur një tranzicion shqiptar, pashë me vëmëndje tranzicionin spanjoll të kalimit nga frankizmi në demokraci; tranzicionin portugez të kalimit nga diktatura e Salazarit në demokraci, por me impresion të vecantë kam mbetur me elementët brilantë të tranzicionit italian: nga fashizmi musolinian në demokraci.
Duke u nisur nga këto, jam i bindur se ne s’kemi pasur dhe s’kemi një tranzicion sepse të gjithë principet dhe ingredientët politikë, institucionet e pavarura, zgjedhjet e lira dhe të drejtat e njeriut nuk kanë qënë prezente në Shqipëri në periudhën 1992-2014.

a) Percaktimi i termit ose konceptit tranzicion
Koncepti është tashmë tëpër i gjerë në përdorim. Më së shumti ky është një koncept apo një term shkencor që i përket fizikës dhe kimisë; por që po ashtu edhe shkencës së historisë.
Si koncept i historisë si shkëncë, tranzicioni gjithmonë ka kuptuar lëvizjen nga një gjendje në një tjetër, dhe, kur ka qënë fjala për ndryshimin e sistemeve poltike, ai është përdorur dhe përdoret për të treguar lëvizjen e butë evolucioniste për largimin nga një sistem politik apo shoqëror në një tjetër.
Tranzicioni modern shqiptar që ka të bëjë më ndërrimin e sistemit politik dihet se ka nisur në vitin 1992; por ne konstatojmë sot se ai, në fakt, nuk ka qënë një moment i mirëfillte tranzicional, prandaj tek shohim zgjatjen e madhe në kohën e qëndrimit të tij, dhe sidomos, teksa konstatojmë se, në lidhje me sistemin hapat që janë bërë në këtë segment kohor janë shumë të vogla dhe në thelb të dyshimta, kuptohet se shoqëria shqiptare në periudhën kohore 1992 -2014 nuk ka qënë në një tranzicion për kalimin nga diktatura totalitare në një demokraci; po kuptohet sot se ai ka qënë më se shumti një moment inercial që është zgjatur më tepër si një totalitarizëm jo virulent dhe një diktaturë jofunksionale, sesa si një ecuri përdrejt ngritjes së një sistemi demokratik.
Argumentimi i këtij gjykimi do të vijë e të formëzohet më poshtë në këtë punim.

b) Natyra e tranzicionit
Tranzicioni në një sens historik që ka lidhje me sistemet politike të ndërtimit të një shoqërie moderne, qëndron si gjendje aktuale vetëm atëherë kur, në fillesat e tij, pasi ka mbaruar apo është përmbysur një sitem politik, ka nisur implementimi i një sistemi të ri. Por, nuk duhet të mos kujtojmë këtu se tranzicioni për kalimin nga një sistem në tjetrin, mund të jetë edhe një lëvizje e pandërprerë që ka nisur ekzistencën e vet që në kohën e sistemit të vjetër.
Nëse do ta shohim gjendjen shqiptare në këtë prizëm, dhe nëse do ta krahasojmë këtë edhe me ndryshimet dhe tranzicionet në vendet komuniste të Europës Qëndrore, konstatojmë se, nëse në vendet e EQ sistemi i ri kishte nisur të merrte jetë që brenda sistemit diktatorial komunist, në Shqipëri kjo ka qënë absolutisht e pamundur. Diktatura shqiptare e komunizmit nuk ka lejuar asnjë inicie demokratike, dhe totalitarizmi ishte një fenomen tërësisht i dominuar nga totaliteti ideologjik që fuksiononte vetëm si një tirani absolutiste, si pushtet personal i vetëm një personi.

Absolutizmi i një pushteti personal tiranik në Shqipërinë komuniste që zgjati për 45 vjet, në fakt krijoi në koshincën politike të shtresës politike që do të vinte pas, një kulturë të mirëfilltë absolutiste, e cila asnjëhërë që nga viti 1992 nuk u largua nga periudha që po analizojmë, dhe ai ekziston ende edhe sot.

c) Tranzicioni është kontinuitet apo fenomen i ri për një shoqëri ?
Ashtu sikur e cekëm më lart kur thamë se një tranzicion nga një gjendje politike në një tjetër mund të jetë një kontinuitet me nismë që nga sistemi i vjetër, dhe ai mund të jetë edhe një nismë e re që vjen pas një përmbysjeje – në të njetën mënyrë na duhet të theksojmë se, për gjendjen specifike të diktaturës shqiptare, tranzicioni, ishte nje fillim ex novo, i cili, pikërisht pse ishte dhe duhej të ishte i tillë, dështoi për të qënë nje tranzicion i mirëfilltë dhe përfundoi vetëm si një ecje inerciale, që sigurisht që do të vinte pas përmbysjes së pushtetit diktatorial absolut personal në Shqipëri,

TEZA E DYTE . Cilat janë vecoritë tipike dhe faktet që na provojnë se nuk ka një tranzicion shqiptar që te kete nisur në vitin 1992 ?
Vecoria kryesore është ekzistenca permanente e pushtetit absolut të një njeriu, i cili, pasi ka shtënë në dorë si kukull të gjithë maxhorancën, ka ushtruar gjithmonë një pushtet absolut personal. Dhe është ky pushtet personal i vazhdueshëm që provon faktin se ende në Shqipëri nuk ka filluar që të mendohet realisht për demokracinë.
Pushteti absolut i Berishës president pas vitit 1992 e deri në kryengritjen popullore të vitit 1997, dominoi gjithçka. Dhe mbi të gjitha e kthehu gjykatën dhe prokurorinë në instrumente të barabarta me ato që kishte përdorur komunizmi në ushtrimin e diktaturës. Arrestimi dhe dënimi i shefit të opozitës pa asnjë provë, është fakti test që na tregon se nuk mund të bëhet fjalë për tranzicion por për një inerci të pushtetit të vjetër politik, pavarësisht nga zbutja e karakterit social të goditjes penale. Në funksion të kohës, për pushtetet politike, logjika nuk mund te jëtë absolute; ajo është gjithmonë relative.

TEZA E TRETE . Gjendja jonë është thjesht një inerci e diktaturës e cila u ndërpre por ende nuk është shuar si lëvizje .
Cilat janë veçoritë dhe faktet që na e provojnë këtë ?

1. Në Shqiperinë e pas vitit 1992 asnjëherë s’ka pasur zgjedhje të lira dhe pushteti politik ka qënë gjithmonë një pushtet personal absolutist.
Asnjë palë zgjedhje nuk është pranuar nga institucionet ndërkombëtare të angazhuara për këtë çeshtje. Të gjitha listat dhe komisionet e votimit kanë qënë të dominuara nga politika që ka qënë në pushtet: domethënë nga absolutizmi, pavarësisht nga ndërrimet që janë bërë. Numërimi dhe administrimi i votave është politik.

2. Asnjeherë nuk ka pasur pushtet gjyqësor të pavarur.
Totalitarizmi apo diktatura është ndëtuar dhe mund të ndërtohet vetëm me një gjykatë kukull. E tillë ka qënë edhe në Shqipëri, deri në vitin 1998; sepse më pas, sistemi absolutist shqiptar e zgjidhi dominimin e gjykatës me marrëveshje bilaterale midis pushtetit politk dhe Gjykatës e Prokurorisë. Marrëveshja ka qënë dhe është e heshtur dhe kjo është ende: Ju abuzoni me drejtësinë duke zhvatur qytetarët, dhe ne të abuzojmë me pushtetin politik për të zhvatur shtetin. Kjo marrevshje është kontrata e re e absolutizmit shqiptar, i cili ka ardhur dhe është formuar jo më me forcën e frikësimit të gjyqtarëve, por me korruptimin e tyre, dhe si nje kontratë e dyanshme në lidhje me pasurimin e të dy kraheve. Kjo është arsyeja që korrupsioni shqiptar sot është gjithëpërfshirës dhe mban në këmbë absolutizmin e një lloji të ri: jo me anë të frikës së dhunës shtetërore, por më anë të një demagogjie që i çon gati në zero përpjejkjet për të vendosur një rend demokratik në Shqipëri, e kthen median në kliente të politikës dhe blen gjithçka që ka të bëjë me ruajtjen apo respektimin e të drejtave.

Ky është thelbi i degradimit aktual, i cili patjetër që kërkon një analizë shumë të gjerë për ta pasqyruar saktësisht të gjithë këtë gjendje. Megjithatë, edhe jashtë një trajtimi të detajuar, për t’i plotësuar të gjitha aspektet e inercisë diktatoriale në Shqipëri; janë edhe këto arsye që e plotësojnë të gjithë tablonë e kësaj inercie, duke përjashtuar faktin se mund të kemi tranzicion shqiptar për të kaluar nga diktatura në demokraci.

3. Asnjeherë nuk janë respektuar të drejtat e njeriut.

4. Asnjeherë nuk është respektuar puna si dinjitet i individit , dhe kapitali si aset kombëtar, pavarësisht nga karakteri privat i tij.

5. Asnjeherë nuk ka pasur një qeveri që të dijë që nëpërmjet reformave të shmangë varfërinë dhe përplasjen sociale në Shqipëri.

Konkluzion
Mendoj se është koha që të themi se: mori fund inercia e totalitarizmit në Shqipëri; na duhet të mendojmë seriozisht për demokracinë dhe të eleminojmë nga skena absolutizmin, i cili gjendet kudo: në të gjitha institucionet, në të gjitha partitë, edhe në shkollë, por sidomos na duhet të largojmë nga skena absolutizmin në drejtimin e shtetit.
Kemi dështuar deri tani sepse nuk patëm dot një burrë shteti reformator që ta kishte marrë shoqërinë me vete drejt ligjit, drejtësisë dhe një zhvillimi ekonomik të një tregu të lirë, nëpëmjet një reforme që do të krijonte mbretërinë e ligjit në Shqipëri.
Në lidhje me këtë le të kujtojmë se stabiliteti 200-vjecar anglo-sakson nuk është vepër e zotit. Atë na e ka shpjeguar saktë histriografia moderne dhe J. Fisher kur na tha: “stabiliteti anglo-sakson 200-vjecar ka ardhur sepse anglezët kanë pasur gjithmonë një opinion publik të mirë informuar dhe burra shteti që kanë ditur që , nëpërmjet reformave, të shmangnin kryengritjen.

Spartak Ngjela

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

NGACMIME SEKSUALE NË USHTRI Nga Mitro Cela

Next Post

Shkencëtarët faktojnë dobinë e gjumit të ditës

Advertisement