– Jam një vajzë miope. Syzet i kam -1. Dua të di, a do të jetë pengesë kjo për mua që dua të mësoj makinën? Dua të bëj kursin e makinës se i kam pasion makinat, por më kanë thënë se për shkak të syve, nuk mund ta ngas. Sa ndikon miopia në këtë gjë dhe shumë gjëra të tjera në jetë? A rregullohet?
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – E dashur letërshkruese! Defekti juaj i të parit quhet myopia simplex dhe bën pjesë në grupin e parë, apo shkallën e parë të myopisë (dritëshkurtësisë). Nevoja juaj për syze për larg sistemohet menjëherë me vendosjen e një palë syzeve të vazhdueshme me numër –1.00 apo me vendosjen e lenteve të kontaktit, të cilat janë alternativë jashtëzakonisht e mirë sot në botën moderne për të zgjidhur defektin e të parit nga larg dhe për t’i ofruar vetes shikim optimal.
– Përsa i përket kursit të patentës, nuk ke asnjë penalitet apo problem për të, pasi në formularin që nënshkruan okulisti, në rubrikën e syve do të nënshkruhet që je e aftë me syze apo me lente kontakti për të ngarë makinën dhe nuk ke asnjë problem. Një pjesë shumë e madhe e njerëzve në botë janë me defekte shikimi, të cilat i kanë zgjidhur me syze apo lente kontakti dhe e ngasin perfekt makinën. Shpresoj t’ju jemi përgjigjur qartë dhe t’jua kemi sqaruar këtë paqartësi tuajën. Faleminderit që më shkruat.
Advertisement