Një vajze të vogël i kanë hequr zorrët e holla dhe të trasha, stomakun, mëlçinë, shpretkën dhe pankreasin gjatë një operacioni që ka zgjatur 23 orë, për eliminimin e kancerit. Kirurgët më pas i kanë rivendosur mëlçinë dhe zorrët e holla dhe të trasha, ndërsa stomaku, pankreasi dhe shpretka nuk janë shpëtuar dot…
Mëlçia
I vetmi organ pa të cilin nuk mund të jetohet është mëlçia. Vajza nuk do të mund të jetonte nëse do t’ia kishin hequr krejtësisht mëlçinë, përveçse nëse i bëhej transplant mëlçie, por një mëlçi e shëndetshme, për fat të mirë, ka aftësi të rigjenerohet, kështu që edhe nëse i kanë lënë fare pak, ajo mund të mbijetojë.
Stomaku dhe shpretka
Nga organet e tjera, mungesa e stomakut dhe e shpretkës janë ato që përbëjnë më pak problem. Shpretka vepron si një filtër për të hequr rruazat e bardha dhe të kuqe të gjakut që janë të dëmtuara ose të vjetra. Ajo gjithashtu na ndihmon të luftojmë infeksionet, por nuk është organ thelbësor. Mijëra njerëz e kanë hequr atë, sepse kanë pësuar çarje nga ndonjë traumë. Shpretka gjithashtu ndihmon në prodhimin e antitrupave kur një person bën një vaksinë ose ka ndonjë infeksion. Sistemi ynë imunologjik mund të punojë edhe pa shpretkë, por jo me të njëjtin efikasitet.
Gjithashtu, doktorët i kanë vënë vajzës, për të zëvendësuar stomakun, një xhep që mban ushqime. Nëse asaj nuk do t’i kishin vënë prapë në vend zorrët e holla, nuk do të kishte pasur mundësi të hante apo të pinte, prandaj nuk do të ishte e nevojshme të krijonin këtë stomak “fallco”.
Zorrët e holla
Të rriturit, normalisht, kanë afro 6 metra zorrë të holla. Për të thithur kaloritë e duhura dhe ushqimet, nevojiten të paktën 1.5 metra zorrë të holla. Nëse ka më pak, atëhere personi mund të ushqehet vetëm me serume.
Zorrët e trasha
Zorrët e trasha kanë si funksion thithjen e ujit që është përzier me ushqimet. Nuk është organ i domosdoshëm për të jetuar; për shembull, e vetmja mundësi për të mbijetuar që kanë disa njerëz që vuajnë nga koliti uleçeroz, është që ta heqin fare zorrën e trashë.
Pankreasi
Shumë njerëz jetojnë sot pa pankreas, megjithëse kjo përbën një sfidë të madhe. Pankreasi prodhon enzimat e tretjes dhe hormonet, duke përfshirë edhe insulinën. Kjo vajzë do të ketë nevojë gjithmonë për injeksione insuline që të mbajë nën kontroll sheqernat në gjak. Gjithashtu, asaj do t’i mungojnë enzimat e tretjes, prandaj duhet të ndjekë një dietë të veçantë. Mbase duhet të hajë vetëm sheqerna të thjeshta, proteina dhe yndyrnat thelbësore, si edhe pilula tretëse.
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)