Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj jam Sara nga Tirana. Doja ta ndaja historinë time me ju sepse është sa e trishtë, aq edhe e bukur. Duke qenë se kam karakter të fortë dhe më pëlqen që sukseset në jetë t’i arrij me forcat e mia, mora vendimin të jem e pavarur nga familja ime dhe kjo ndodhi qëkur isha 25 vjeçe. Në atë kohë, sapo kisha mbaruar shkollën e mjekësisë dhe punoja si mjeke në një spital privat. Kisha një familje të lumtur, shoqëri të ngushtë, një shtëpi timen dhe një qenush që nuk më linte kurrë vetëm. Me pak fjalë, kisha të gjitha gjërat e nevojshme për të cilat një femër ka nevojë. Punoja shumë, madje edhe me orare të zgjatura, e dashuroja punën time dhe falë saj jam kjo që jam sot. Më ndodhte të kaloja ditë të ngarkuara nga puna e tepërt, gjë që më bënte të mos kisha kohë për gjëra të tjera dhe në jetën time, nuk kishte akoma një histori dashurie. Më pëlqente jeta që bëja, isha e lirë të bëja ç’të doja e në këto kushte, shpesh mendoja që një mashkull në jetën time do të më sillte veç zhgënjim. Duke parë e dëgjuar probleme të ndryshme, mendoja se isha një njeri me fat që nuk isha e dashuruar. Muajt kalonin dhe kjo gjë nuk më pengonte aspak. Më frymëzonte gjithmonë një shprehje: “Dashuria nuk kërkohet, ajo vjen vetë me kohën, momentin dhe personin e duhur” dhe unë pikërisht atë po prisja, “princin tim”. Familja dhe të afërmit më flisnin shpesh për këtë çështje, më thonin se ditët ikin, koha kalon dhe nuk kthehet, prandaj duhet të mendoja seriozisht për të ardhmen time, por kryesorja për mua ishte të shijoja jetën, pa e vrarë mendjen për asgjë. Mbrëmjeve më mjaftonte të qëndroja para televizorit me qenin tim që më rrinte gjithmonë pranë. Isha mësuar me këtë lloj jetese dhe nuk më bëhej të ndryshoja asgjë nga jeta ime. Në shumicën e rasteve, më pëlqente vetmia, por dhe librat. Gjeja qetësinë tek ata dhe një mik të ngushtë i cili isha e sigurtë që nuk do më tradhtonte kurrë. Thonë që një mik shumë i mirë i njeriut është libri e duket sikur kjo shprehje është krijuar posaçërisht për mua.
Për shkak të orëve të zgjatura në punë që ishin shtuar ato muajt e fundit, zgjimi i mëngjesit sa vinte e bëhej më i vështirë. Atë mëngjes isha vonë, ora shënonte 9.00, u ngrita me nxitim, u rregullova shpejt e shpejt, mora diçka për të ngrënë rrugës dhe dola jashtë. Trafiku ishte i rënduar siç ndodh zakonisht në ditët me shi. Isha në ankth dhe, ndërsa përpiqesha të ecja sa më shpejt, papritur u përplasa me një makinë që kisha përballë. Ngriva në vend… Ende pa kuptuar çfarë kishte ndodhur realisht, zbrita nga makina, kur ç’të shoh… E kisha përplasur keq, madje keq fare! Nuk dija ç’të bëja… “Nuk e shikon rrugën kur ecën?!”, u dëgjua një zë, ndërkohë që përplasi derën dhe m’u afrua afër, shumë afër… Po mundohesha të shfajësohesha kur në nerva e sipër më kapi nga krahu. “E shikon çfarë bëre, e di sa kushton kjo pakujdesi e jojta?!”. Nuk po më linte të flisja, ishte aq i nervozuar saqë nga momenti në moment po prisja ndonjë të sharë. “Më fal, nuk doja, nuk ju pashë…”, dëgjova fjalët e mia, por ishte e kotë. Ai s’po dëgjonte. “Do të të denoncoj!”. Po acarohesha nga ai sulm i vazhdueshëm. Minutat kalonin, ai vazhdonte të bërtiste dhe njerëzit në rrugë na shikonin. “Ok, bëj çfarë të duash, i thashë, por më lër të iki. Jam shumë vonë”. Më kërkoi numrin e telefonit të cilin ia dhashë, pa u menduar dy herë. Nuk më interesonte edhe nëse më denonconte. Doja që kjo punë të mbaronte sa më parë, pa dëgjuar të bërtiturat e tij në mes të rrugës. “Çfarë dite!” mendova me vete. Nuk mjaftonte dëmi që bëra, por duhet të takoja dhe një të paedukatë, që nuk mori mundimin as të më tregonte si quhej…
Të nesërmen u zgjova nga zilja e telefonit; ishte një numër i panjohur. Nga ana tjetër e telefonit dëgjova: “Përshëndetje, më duket se kemi për të biseduar rreth diçkaje të lënë pezull. S’besoj se mund t’ia hidhni kaq lehtë incidentit të djeshëm!”. U kujtova menjëherë… Nuk e kisha harruar atë që ndodhi, por për disa orë shpresoja të qëndroja e qetë, pa kokëçarje! Qe e pamundur! U nisa menjëherë për te vendi ku do takoheshim… Do të gënjeja po të thoja që nuk isha e tensionuar. Nuk dija çfarë do të ndodhte gjatë atij takimi, por ishte shumë ndryshe nga ç’e kisha menduar. Djali me të cilin kisha patur një konfikt një ditë më parë, dinte të ishte i qetë. Surprizë kjo për mua! Shumë surprizë madje, duke marrë parasysh sjelljen e tij harbute aq më tepër, në sy të të gjithë atyre që kthenin kokat dhe na shikonin teksa kalonin rrugës.
“Dje nuk pata mundësi të prezantohesha siç duhej. Quhem Denis…” Quhej Denis dhe kishte një ëmbëlsi në fytyrë dhe në të folur. “Unë jam Sara, meqë nuk e kishit mendjen të më dëgjonit dje”. Qeshi, por bashkë me të, “qeshën” dhe sytë e tij. Orët kaluan shumë shpejt, mësuam më shumë për njëri-tjetrin dhe kjo na ndihmoi të bëheshim miq të mirë. Çdo ditë e më shumë mësoja gjëra të reja për të dhe për jetën e tij. Denisi kishte një sens të mirë humori, ishte një person i hapur, pa komplekse, shumë energjik dhe shoqëria e tij më bënte të ndjehesha shumë mirë. Çfarë po ndodhte me mua?! Ndoshta në jetën time po futej ai dikushi që unë kisha pritur! Mbase ishte e thënë të ndodhte ajo që ndodhi që ne të dy të takoheshim. Filluam të dilnim më shpesh, ai më ftonte që fundjavat t’i kalonim bashkë dhe pak nga pak, ne po bëheshim të pandarë. E kujtonim gjithmonë se si ishim takuar herën e parë dhe tani na dukej shumë për të qeshur. “Ne jemi bërë për njëri–tjetrin, më thoshte, ndryshe nuk do të ishim bashkë tani. Shoqëria jonë është shumë e bukur dhe nuk dua ta prishim”…
Por ndodhi më shumë se kaq, shoqëria jonë u kthye në dashuri. Tashmë isha e sigurtë se ai ishte gjysma që më plotësonte. Edhe ai kishte të njëjtat ndjenja dhe këtë ma tregonte çdo ditë. E kuptonim shumë mirë njëri-tjetrin, kështu që vendosëm të jetonim bashkë. Mendimi se do jetoja me të, më bënte të ndihesha e sigurtë, komode. Njohja me familjet tona e bëri edhe më serioze lidhjen tonë, duke e kurorëzuar atë me fejesë. Të dy donim një festë të vogël ku të merrnin pjesë familjarët dhe shoqëria më e ngushtë. Doja që kjo të ishte një festë e veçantë, kështu që u kujdesa për çdo detaj. Fejesa do të bëhej në verë dhe të gjithë mezi e prisnin. Ishin të lumtur që kisha zgjedhur që pjesën tjetër të jetës time do ta kaloja me një person si Denisi. Po më çudiste rrjedha që po merrte jeta ime, por në të njëjtën kohë edhe po më pëlqente shumë, sepse isha e lumtur. Ai shkonte mirë me të gjithë, prindërit e mi e donin dhe e respektonin shumë. Ata ishin të kënaqur që vajza e tyre do të kishte një shok që e plotësonte shpirtërisht. Mbas asaj dite të mrekullueshme, na prisnin ditë të bukura…
Jeta jonë vazhdoi normalisht, unë me punën time të ngarkuar, ndërsa ai me profesionin si inxhinier. Kaluan afro dy vjet dhe në një ditë të ngarkuar po aq sa të tjerat, papritur Denisi më telefonoi… Nga zëri dukej i shqetësuar. Dëgjova fjalën “aksident”. U nisa menjëherë për aty ku më tha. Ishte aksidentuar shumë keq te vendi ku ishim takuar për herë të parë. Nuk mund ta besoja! Sapo arrita, pashë shumë njerëz të mbledhur në rrugë, por ai nuk ishte. Nuk po kuptoja asgjë! Njerëzit nuk po më linin që të kaloja, kur papritur pashë që aty ndodheshin edhe njerëz që njihja, shoqëria jonë dhe të afërm. U mundova të futesha mes turmës, iu afrova makinës, por çdo gjë ishte në rregull. Ndërkohë, Denisi ndodhej mbrapa meje me një tufë trëndafilash në duar dhe një kuti të vogël. U afrua drejt meje dhe një qetësi e madhe u vendos përreth. “Ky ishte plani perfekt për një propozim martese, apo jo?”, më tha. “Domethënë, ti qenke mirë, nuk ke pësuar aksident!”, shqiptova dhe një ndjenjë qetësie më përshkoi të gjithën. “Unë jam shumë mirë, madje shumë i lumtur nuk më shikon?”. Ai bëri edhe një hap drejt meje dhe nga kutia që mbante në dorë, nxori një unazë. “Erdhi koha të martohemi, bukuroshe, pranon?”. “Sigurisht që pranoj!”, i thashë e lumtur, ndërsa të tjerët duartrokitën.
Kjo ishte dita që prisnim të dy. Dasma u caktua dy javë më vonë dhe me përgatitjen e saj, u angazhuam të dy. Pas një viti, familjes tonë iu shtua edhe një fëmijë. Tani ai është dy vjeç dhe martesa jonë është e lumtur. Në shtëpinë tonë, kemi këtë shprehje: “Rastësia është mbret i botës” dhe unë tashmë e kam botën time.