Isha shumë e vogël, shumë e pambrojtur… Isha vetëm 15 vjeçe, një vajzë e thjeshtë, gjithmonë e buzëqeshur dhe mbi të gjitha, naive, por për fat të keq, ka nga ata njerëz që përfitojnë nga naiviteti i të tjerëve…

U njoha me një djalë të bukur, magjepsës, zeshkan e i gjatë, të cilin e quaja Princi im i Zi. Në fillim, kishim një histori dashurie të përkryer, e gjithë shkolla na kishte zili dhe me të unë kalova eksperiencat e para në dashuri. Duhet të them se ai ishte tre vjet më i madh se unë dhe gjithmonë në shkollë fshiheshim kur shkëmbenim përkëdheljet e dashurisë. Unë isha shumë e lumtur sepse më pëlqente shumë ai djalë. Momentet që kalonim të dy, më bënin të ndjehesha shumë mirë. Kaluam një muaj bashkë dhe unë, si adoleshente që isha, u dashurova marrëzisht mbas tij. Ndërkohë që unë mbusha 15 vjeçe dhe ai, 18, nisi të më fliste për gjëra të çuditshme dhe të më bënte presion. Më thoshte: “Nëse nuk bëjmë seks bashkë, unë do të të tradhtoj me dikë tjetër dhe do të të lë”.
Imagjinoni reagimin tim… Isha një vajzë e dashuruar që bënte gjithçka për të dashurin e saj. Kaluan disa ditë dhe provuam të bënim dashuri bashkë, por unë kisha dhimbje të tmerrshme dhe shumë hemorragji. Nuk arritëm asnjëherë deri në fund. Ai ishte pa eksperiencë dhe nuk përdorte as prezervativ. Nuk ishte fare i kujdeshëm, siç duhet të tregohet një mashkull me femrën e tij. Kaluan edhe disa ditë dhe për mua, e gjithë kjo situatë po shndërrohej në një makth të vërtetë. Në disa raste ai bëhej edhe i dhunshëm dhe një herë më rrahu sepse kisha shkuar në Dajt për të bërë disa fotografi me vëllain dhe një shoqen time të ngushtë. Ai, për pak sa nuk theu xhamat e makinës së tij, sepse donte të më nxirrte jashtë e të më qëllonte. Në atë moment, unë, për t’u mbrojtur, vura rripin e sigurimit, që të mos më nxirrte nga makina, ndërsa shokët e tij që ishin bashkë me ne, shikonin dhe nuk bënin asgjë. Prita momentin që ai të largohej nga dera e makinës dhe ika, por ai erdhi pas meje dhe më vuri duart në fyt. Gati sa s’më mori frymën, derisa erdhi një zonjë që po kalonte aty, i ulëriti dhe ai ndaloi. Duke qarë, ika, por ai erdhi mbas meje, më zuri në një rrugicë dhe filloi të më godiste me shqelma. Në atë moment, si për mrekulli erdhi babai im dhe unë u largova me të, por babai nuk e pa momentin kur po më qëllonte, mendoi se po grindeshim me fjalë.
Pas kësaj që ndodhi, unë fika telefonin që të mos më merte dhe kisha frikë të dilja nga shtëpia, por mbas disa ditësh ai erdhi duke qarë e duke m’u betuar se nuk do ta përsëriste më diçka të tillë. I besova sepse e doja, edhe pse ndjenja e frikës vazhdonte të mos më linte të qetë. E dija se nga ai mund të prisja gjithçka. Ishte me të vërtetë shumë i dhunshëm. Një ditë tjeter, kushërira ime kishte ditëlindjen dhe më kishte ftuar që të dilnim. I çova një sms ku i thoja se kushërira ime kishte ditëlindjen dhe do të dilja. Nuk më ktheu përgjigje dhe kjo m’u duk e çuditshme, por unë ika, duke menduar se, të paktën, e kisha lajmëruar. Nuk e dija dhe s’kisha nga ta dija si i funksiononte truri atij…
Në të vërtetë, ai më kishte ndjekur nga pas. Kur po kthehesha për në shtëpi, e takova rrugës dhe filloi të ulërinte se ku dilja pa lejen e tij dhe më godiste si i çmendur. Më la shenja në trup. Prindërit e mi nuk bënë denoncim, sepse nuk i lejova unë. Nuk e di se çfarë më bënte që ta mbroja. E doja dhe më magjepsnin fjalët e tij. Isha shumë e vogël dhe nuk po e kuptoja se çfarë më ndodhte me këtë person.
Qëndrova pesë vjet e lidhur me të dhe gjithçka mbaroi mes nesh kur e pashë me sytë e mi me një femër tjetër. Vetëm atëhere m’u hapën sytë dhe arrita të kuptoja se gjatë atyre viteve që kam qëndruar me të, vetëm kam poshtëruar veten. I thoja vetes që nuk shërbeja për asgjë, isha e deformuar. Për shkak të tij, kalova në anoreksi dhe i vetmi që më ka ndihmuar ta kaloj këtë situatë ka qenë vëllai im sepse ai e dinte si ishin punët. Jua shkrova këtë histori sepse desha të tregoja mëkatin më të madh që mund të bëjë një njeri: Dëmtova veten time!
Tani kam shtuar 20 kg dhe jam mirë, falë një personi që më do. Me të kam bërë dashuri për herë të parë dhe jam ndjerë shumë e lumtur në krahët e tij, jo e kërcënuar si me tjetrin. Kur gjithçka mbaroi me ish-të dashurin dhe gjeta dashurinë e jetës sime, guxova të shkoja te një mjek që të më ndihmonte për problemin që mendoja se kisha fizikisht. Mjeku më tha se isha normale, se të gjitha pengesat që kisha patur për të bërë dashuri me të, kishin qenë psikologjike… Hap pas hapi me të dashurin tim pranë, e kalova gjithçka që më kishte ndodhur dhe rigjeta lumturinë.

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *