– Djali im ka probleme me syrin e djathtë, nuk sheh larg dhe ndodh që i ikën syri, shikon sipër. Ai ka mbajtur syze qëkur ka qenë i vogël, por në klasën e tetë i hoqi, se thoshte “unë shoh shumë mirë”. Kur e zbuluam se shikonte vetëm me të majtin, thoshte “më mjafton ky”. Tani që është 16 vjeç, i kanë thënë të mbajë syze përsëri dhe okulisti i ka thënë që nuk i shërohet më syri dhe duhet t’i mbajë sidomos kur lexon, në mënyrë që të mos lodhet të paktën syri i majtë. Dioptrinë e syrit të djathtë e ka 1.5. Do të doja nga ju ndonjë informacion një këshillë, mos vallë duhet ta bëj operacion djalin? Ju çfarë më sugjeroni. Dua të dij përparësitë dhe të metat e operacioneve me lazer…
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – I nderuar prind! Nga letra juaj kuptoj që djali juaj vuan nga një difekt i të parit që quhet Hypermetropie dhe që më vonë si pasojë e mosmbajtjes së rregullit të syzeve, por edhe e faktit që është edhe problem në një sy (unilateral) është zhvilluar në rrugë dytësore, një fenomen i quajtur strabismi sursum vergus (syri ikën lart). Nëse ky defekt kapet që në vogëlinë e hershme (nën 7 vjeç) ka zgjidhje përmes kombinimit të disa faktorëve: Fëmijës i vendosen syze me numrin ekzakt që përfundon nga vizita e hollësishme, për shumë kohë dhe me intervale hapjeje, i mbyllet syri aktiv (syri i shëndetshëm), për të aktivizuar dhe qendërzuar syrin e dobët (dhe të shtrembër).
– Kjo procedurë quhet okluzion dhe është pjesë e shumë terapive që bëjmë ne okulistët në trajtimet e fëmijëve me syze. Mbyllja e syrit realizohet me mbyllëse speciale që tregtohet dhe quhet optiklad. Duke shikuar i vetëm syri që ka defektin (kuptohet përmes xhamit me numër), ai fillon të aktivizohet, rritet shikimi, si dhe sistemohet këndi i shtrembërimit. Herë pas here hiqet okluzioni, për t’u aktivizuar edhe syri tjetër dhe rivendoset përsëri. Ndihmë në trajtimin e shtrembërimeve të syrit lart japin edhe ndërhyrjet në muskujt e syrit, duke çliruar muskulin tërheqës. Këto procedura, në rastin e djalit tuaj, duhet të ishin bërë deri në moshën 7-8 vjeçare, moshë kjo kur te fëmija instalohet edhe pamja binokulare (me të dy sytë), pamje kjo e duhur për aktivitetin e mëtejshëm të jetës. Aktualisht, në moshën që është, 16 vjeç, na mbetet vetëm të mbajë syzet dhe ndonjë ndërhyrje operatore estetike në muskulin e syrit të shtrembër, për efekt estetik. Ndërkohë, ky sy do të jetë më i dobët edhe më vonë (gjatë jetës), sy dembel, ambliop. Ju falënderoj për letrën. Shpresoj t’ju kem shpjeguar sadopak diçka.
Advertisement