Sapo ka sjellë klipin e saj më të ri “Besame”, në bashkëpunim me Ingrid Gjonin dhe reperin kosovar Xhero. Duket se kanë qenë tre elementët e duhur për ta bërë këtë bashkëpunim të suksesshëm që në momentin që u publikua. Me një produksion të Stine records, me të cilin do të bashkëpunojë edhe në vazhdim, Alida tregon se di të bëjë zgjedhjet e duhura. Edhe pse kjo bisedë u bë në distancë, duke qenë se Alida jeton në Hanover, nuk mungon sinqeriteti dhe energjia që e karakterizojnë atë, ndaj mua më pëlqen ta quaj një intervistë të ngrohtë, në këto ditë të ftohta…
Mia. B: – Alida, çfarë ta zbukuroi ditën sot?
Alida Duka: – Nuk ka ndodhur gjë akoma, ndoshta më vonë. (Buzëqesh)
– Herën e fundit, erdhe në Tiranë për të xhiruar klipin e ri “Besame”, në bashkëpunim me Ingritin dhe Xheron…
– “Besame” është një nga projektet më të mira që kam sjellë deri më sot, ndaj dhe jam shumë e lumtur që u realizua dhe u kombinua me një bashkëpunim kaq të mirë.
– Me Ingritin ke bashkëpunuar edhe më parë… Po Xhero, si u bë pjesë e këngës?
– Xhero është një repist shumë i talentuar, stili i të cilit më ka pëlqyer që në bashkëpunimin e parë që pati me Stinen, pasi ai punon në Studion “Stine Records”. Lindi edhe dëshira e Stines që Xheroja të jetë pjesë e bashkëpunimit dhe u realizua. (Buzëqesh)
– Ndërkohë, cilat janë synimet që pret të arrish deri në fundvit?
– Në fakt, pas videoklipit, kisha përgatitur të nxirrja albumin me “The Best Of”, por mendoj se kjo do të ndodhë në fillim të vitit 2015.
– Si kalohet bukur në Gjermani një natë dimri?
– Në Gjermani duhet t’i planifikoj mbrëmjet shumë mirë sepse janë me të vërtetë shumë të ftohta. Ndonjëherë, e kaloj ulur para televizorit me batanije dhe një gotë vere, ose duke shijuar ngrohtësinë e oxhakut… Kuptohet, jo vetëm. (Buzëqesh)
– Si do të doje ta nisje ditën e parë të Vitit të Ri?
– Nuk kam planifikuar shumë, por di që këtë vit, nuk do ta kaloj në Hannover. Do lëviz ndoshta në Frankfurt.
– Për Krishtlindje, midis një udhëtimi dhe një nate të qetë familjare në shtëpi, cilën do të zgjidhje?
– Për Krishtlindje, nuk do të kisha qejf të isha rrugëve. Më mirë familjarisht, në shtëpi.
– Femra është cilësuar si një qenie e brishtë, por që thellë-thellë, është shumë e fortë. Megjithatë, sa herë ndjen se je e brishtë, ku e gjen forcën për t’u ngritur sërish?
– Besimi në vetvete nuk më ka lënë të mposhtem kurrë, edhe pse kjo mund të ndodhë shpeshherë në jetë. Asnjëherë s’jam mposhtur sepse besimi te vetja më ka ngritur shumë shpejt lart.
– Çfarë do të konsideroje humbje parash?
– Nuk janë me shumë vlerë sepse duhet të humbësh që të fitosh. No risk no fun (Pa rrezik, s’ka kënaqësi).
– Po humbje kohe?
– Kjo është më e keqja.
– Çfarë bën në një ditë pushimi total?
– Të them të drejtën, ditë pushimi total kam një vit e gjysëm që nuk kam fare, por nëse do të më jepej rasti ta kisha përsëri, do të shkoja që në mëngjes në pishina. Më pas do haja mirë drekën, shooping, sauna, solar dhe në mbrëmje, do dilja për qejf me shoqen time të ngushtë. (Buzëqesh)
– Cila është ngjarja më e gëzuar në jetën tënde?
– Kam patur shumë ngjarje të gëzuara, por më e fundit ishte kur më lajmëruan për daljen e klipit. U gëzova jashtë mase! Isha rrugës për Zvicër…
– Vesi që urren më shumë?
– Gënjeshtra! E kam vdekje edhe kur dikush shtiret.
– Çfarë të kalon në mendje pas çdo viti që ikën?
– Asgjë! Jam e lumtur që e kam shfrytëzuar në maksimum çdo ditë, çdo javë e çdo muaj dhe nuk kam pse mendoj diçka që më ka ngelur pishman.
– I rikthehesh së kaluarës?
– Aspak! Nëse kam mbyllur diçka, nuk më pëlqen të kthehem mbrapsht. Nuk më lë sedra, në radhë të parë. Jeta vazhdon…
– Mendon se çdo gjë e ka një zgjidhje dhe se asgjë nuk është e pamundur?
– Po, çdo gjë e ka një zgjidhje! Mjafton ta dëshirosh atë 100 për qind.
– Me kë e ke bërë bisedën më të ngrohtë në këto ditë të ftohta?
– Me një të njohurin tim, i cili më ka qëndruar afër në periudhën më të vështirë që kam patur kohët e fundit.
– Kush është 24 orë me Alidën?
– Makina ime. (Qesh) Është për të qeshur ndoshta, por ky është realiteti.
– Si i pret ndryshimet që të ndodhin, qoftë edhe ato të papritura? Përshtatesh shpejt me to?
– Direkt. Më pëlqen madje spontaniteti, më shumë sesa ato që janë të përgatitura me kohë.
– Në takimin me dikë, cili është detaji të cilit i jep më shumë rëndësi?
– Veshja, sepse jam perfeksioniste dhe i jap rëndësi sikur edhe detajit më të vogël, që të jetë gjithçka perfekte.
– Dy emrat e personave më të dashur që të vijnë ndërmend tani?
– Nesti dhe mami…
– Cili është një kujtim që të çon gjithnjë në fëmijëri duke ta bërë më të bukur ditën?
– Shakatë pa fund që bënim me Nestin. Ka qenë koha më e bukur që kam kaluar ndonjëherë.
– Po bën shopping… fiksohesh më shumë pas një arome parfumi apo pas një veshjeje?
– Natyrisht, pas një veshjeje. (Buzëqesh)
– Cila është veshja apo aksesori që të është fiksuar këto ditë dhe do ta blesh se s’bën?
– Pashë një fustan lëkure bust para dy javësh, por nuk e kishin numrin tim XS dhe nuk arrita më të dal të shoh përsëri. Më ngeli në mendje, kështu që nuk më shpëton! (Qesh)
– Cilat janë gjërat që të bezdisin më shumë?
– Kur njerëzit më dalin nga fjala, kur nuk ka korrektesë, rrëmuja dhe kur nuk e gjej shtëpinë pastër. Këto më hipin nervat.
– Çfarë të mjafton për t’u ndjerë e lumtur?
– Një buzëqeshje nga personi që kam për zemër.
– Ke luftuar që ëndrrat të të bëhen realitet apo fati ka qenë me ty?
– Mund të them, të dyja.
– Një dëshirë…
– Të kem shëndetin.
– Një fobi?
– S’dua të mbyllem në shtëpi.
– Një ëndërr tjetër për t’u realizuar…
– Albumi.
– Për çfarë do të doje t’i jepje kohë vetes?
– Për t’u relaksuar pak, se më mungon kjo gjë.
– Çfarë të bën të ndihesh e veçantë?
– Që jam ekstremisht energjike dhe çfarë i vë vetes pikësynim, e realizoj.
– Sot, sinqeriteti, më tepër të rregullon apo të prish punë?
– Me sinqeritet ecën më shumë në jetë dhe këtë e them nga përvoja që kam mbledhur unë.
– Je një dëgjuese e mirë e atyre që flasin me ty apo e anasjellta?
– Gjithmonë dëgjoj e pastaj flas vetë.
– Miqësia mes artistësh, funksionon apo ambicia e vret atë?
– Varet… Ka edhe kështu, edhe ashtu.
– Çfarë ke hedhur nga gjërat e tua kohët e fundit?
– Kam seleksionuar shumë gjëra që nuk kishin më vend në garderobën time.
– Përveç alarmit, çfarë të zgjon në mëngjes për të filluar një ditë të re?
– Kafja.
– Ajo që ndjen të thuash tani?
– Më duhet të çohem se u bëra vonë. (Qesh) Shaka. Je shumë e mirë dhe faleminderit për këtë intervistë interesante. (Qesh)