Personazhet televizivë janë të ndryshëm, ashtu si janë të ndryshëm njerëzit në përgjithësi… Ka nga ata që fama u zgjat fare pak, ka nga ata që bëjnë gjithçka për t’u kapur pas famës, siç ka edhe nga ata që fama i ndjek nga pas… Ku do ta klasifikonit ju Xhensilën? Unë them se fakti që ajo vazhdon të jetë pjesë e mediave, tashmë jo thjesht si “Xhesi e Bigut”, flet vetë. Por, ka ca gjëra që nuk flasin vetë, siç ishte videoja erotike me mashkullin misterioz, që ajo publikoi së fundi, ndaj, tani i takon Xhensilën të na rrëfejë çfarë na fsheh…

 

Blerina Çizmja: – Xhensila, të vjen keq që emri yt do të lidhet gjithmonë me Big Brother-in? Vjen një pikë, kur njeriu lodhet nga kjo gjë?

Xhensila Pere: – Jo, sepse qëkur bëhesh pjesë e atij formati, e ke marrë parasysh këtë, kështu që dua apo s’dua, unë do të ngelem gjithmonë Xhensila e Big Brotherit. Është i vetmi format në të cilin je 24 orë non stop në televizion, ndaj na pëlqen apo s’na pëlqen, do ta kemi gjithë kohës atë mbiemër. Mua më vjen keq vetëm kur bëhem pjesë e ndonjë kompeticioni, siç kam qenë te Miss Vvorld apo Miss Exclusive dhe thonë se “na përfaqësoi Xhensila e Big Brotherit”, ndërkohë që unë e kam një titull tjetër…

– Pas kaq kohësh, të vjen keq që u prezantove në një mënyrë të tillë për publikun?

– Kur u bëra pjesë e atij formati, e doja atë famë, kështu që i kisha idetë e qarta dhe nuk më vjen keq për asnjë gjë. Jam e sigurt dhe e përgjegjshme për hapat që bëj, kështu që nuk jam bërë pishman për asgjë dhe me bindje e them se do ta ribëja!

– Tani që je rrahur me vaj e me uthull me realitetet televizive, kur të bëhesh nuse, do të marrësh pjesë në një reality shovv si “Lufta e nuseve”?

– (Qesh) Nuk di të them, kjo duhet menduar… Ngaqë jeta ime private u bë shumë publike, në këtë moment të jetës sime, e ndiej nevojën ta kem vërtet private atë.

– Për këtë arsye nuk na e tregon identitetin e të dashurit tënd?

– Po! U lodha duke folur gjithmonë për jetën private. Mendoj se është e mjaftueshme gjithë çfarë u pa nga Xhensila në “Big Brother” dhe tani ka ardhur koha të kem pak privatësi, të paktën në marrëdhënie me të dashurin tim.

– Si mund ta besojmë ne se mashkulli me fytyrën e fshehur në videon tënde erotike është vërtet i dashuri yt dhe jo thjesht një mënyrë për të tërhequr vëmendjen?

– Koha do ta vërtetojë, besoj.

– A nuk është e vështirë të mbash të fshehtë një lidhje në realitetin tonë?

– Po, është pak e vështirë, por jo e pamundur. Jo më kot ekzistojnë darkat romantike në shtëpi! (Buzëqesh) Pastaj, ne nuk frekuentojmë klabet më të njohura, preferojmë të takohemi ose jashtë shtetit ose në periferi, ku ka më pak njerëz.

– Po ai, është i gatshëm ta bëjë këtë “sakrificë” për ty?

– Po, sepse edhe ai është një person i njohur, jo në televizion, por në biznes, kështu që nëse unë dua ta mbaj të fshehtë këtë lidhje 100 herë, ai do 200 herë.

– Nuk është Fatjoni ai?

– Cila ishte pyetja e radhës?… (Qesh) Jo, nuk është Fatjoni!

– E pra, fansat këmbëngulin se është ai…

– …dhe është gjë e bukur sepse kjo tregon që ne kemi transmetuar vërtet një dashuri të pastër, kemi përcjellë ndjenja njerëzore dhe jo thjesht një shou. Për këtë më vjen vërtet mirë. Ata e kanë parë se sa reale ishte ajo lidhje dhe se si vazhdoi pas daljes nga Big Brother, por për ne nuk ka më kthim prapa. Unë vazhdoj jetën time me të dashurin dhe, me sa kam dëgjuar e lexuar, edhe ai vazhdon jetën e tij me të dashurën e vet. Nuk jemi nga ata ish-et që kur përballen ndërrojnë rrugë. Në rast se shihemi, takohemi përshëndetemi dhe pse jo, konsumojmë edhe një kafe. Domethënë, ashtu si u lidhëm, ashtu edhe u zgjidhëm… (Qesh)

– Pas ndarjes, Fatjoni deklaroi se ti ke qenë një e dashur shumë e mirë.

– Kush është ai që nuk i mirëpret fjalët pozitive?!

– Po ti, çfarë do të thoshe për të?

– Përderisa e zgjodha dhe përderisa lidhja vazhdoi edhe pas daljes nga shtëpia, do të thotë që edhe unë e kam vlerësuar.

– Supozojmë se në atë video është Fatjoni… Për ç’arsye mund ta bënit një gjë të tillë?

– Për famë, nuk kemi nevojë, sepse vazhdojmë të kemi ende të njëjtën jehonë, qoftë ai, qoftë unë me projektet e mia. Do të ishte Fatjoni vetëm nëse nuk do të ishim ndarë, por për sa kohë kemi deklaruar që të dy ndarjen…

– Ty, Xhensila, të pëlqen një model i caktuar meshkujsh?

– Për fatin tonë të mirë, në kulturën tonë ka hyrë palestra dhe njerëzit po kujdesen shumë për anën e tyre estetike. Duke marrë parasysh si jam, kam tendencën të gjej një më të mirë se vetja. Pastaj, kush është ajo vajzë që nuk e do një çun të gjatë, të palestruar dhe që kujdeset për veten?!

– Ti je shfaqur gjithmonë duke bërë diçka përtej asaj që është, të themi “e lejueshme”. Pse?

– Gjatë të gjithë jetës sime më ka pëlqyer të eci kundravajtje. Nuk më kanë pëlqyer asnjëherë rregullat e shkruara, gjithë kohës kam luajtur me zjarrin dhe kam jetuar atë që dua unë dhe jo atë që duan të tjerët. Këtë ndoshta sepse e kam aftësinë për të mbajtur përgjegjësitë e  mia dhe jam e aftë të përballoj çdo lloj situate, qofshin të gabuara për një pjesë dhe jo për mua. Më pëlqen rreziku dhe gjërat e thjeshta nuk më japin ndonjë kënaqësi të madhe. Kjo ka lidhje edhe me karakterin e njeriut dhe themelet e mia janë krijuar tashmë, duke qenë se jam thuajse 27 vjeçe… Edhe me makinë eci gjithmonë shpejt; më pëlqen shpejtësia…

– Shpresoj të mos e lexojë ndonjë polic rrugor këtë…

– Shpresoj që policët të mos kenë snapchat se përndryshe nuk e di ç’do bëja…

– Deri kur mendon të ecësh kundravajtje?

– Ndoshta deri kur të bëhem nënë… sepse atëherë do të kem një motiv për të menduar më tej.

– Ke ndonjë plan për t’u bërë nënë?

– Për momentin jo, por në një të ardhme të afërt, po.

– E kam ndjekur faqen tënde në Facebook, ku fansat vazhdojnë të jenë “të fiksuar” pas teje… Ka ndonjë moment kur bëhet e lodhshme e gjithë kjo?

– Jo, për mua është vlerësim! Më bëhet qejfi që ata e kanë kuptuar Xhensilën dhe vazhdojnë të më mbështesin si të jem në ditën e parë në Big Brother. Nuk e kam absolutisht bezdi, madje përpos impenjimeve që kam gjatë ditës, gjithmonë përpiqem, qoftë edhe me një orë më pak gjumë, që të jem në kontakt me ta dhe t’i respektoj.

– Me çfarë po merresh aktualisht?

– Vazhdoj punën te revista “Vip” si PR dhe menaxhere marketingu, ndërkohë që për të dytin vit radhazi jam bashkëproducente e Miss Universe Albania, ku këtë vit pretendojmë të sjellim një format krejt ndryshe. Gjithashtu, po hapim një biznes familjar që është në rrugën e duhur dhe produkti shumë shpejt del në treg.

– Çfarë biznesi?

– Mund të them vetëm se produkti ynë do të quhet me mbiemrin tonë, Pere.

– Si do t’i bindje ti skeptikët që mendojnë se ofertat për të luajtur në një serial turk dhe ato në Itali nuk ishin reale?

– Unë kam qenë shumë e qartë se ofertë e quaj në momentin që kam një kontratë të shkruar dhe hedh firmën në të. Gjatë pjesëmarrjes në Miss Exclusive, në juri ishin disa producentë, njëri ndër të cilët, producenti i “Sulejmani i madhërishëm” që ka qenë shumë i famshëm dhe u rashë në sy, nuk e di për çfarë. Kam pasur një takim me ta, janë bërë bisedime dhe e kam lënë me aq, gjë që e kam nënvizuar gjithmonë sepse nuk më pëlqen të shtie në ajër kot, pa patur një bazë. Ndërsa në Itali, vetë mediat italiane dhe drejtori i panairit të modeleve të nuseve, e kanë deklaruar ofertën për të marrë pjesë në atë event. Ata folën për sfilatën dhe për pagesën që ka qenë rreth 10000 euro për katër ditë.

 

Nëse tani, në jetën tënde vjen…

– …një fëmijë.

– Është i mirëpritur!

– …një film. Shqiptar apo i huaj?

– Shqiptar.

– …Fatjoni.

– “It’s too late to apologise”… (Është shumë vonë për të kërkuar të falur)

– Është e vërtetë se kishte tradhti mes jush?

– Jo, jo, nuk është e vërtetë.

– …Garko, jo si i ftuar në spektakël, por si i ftuar në jetën tënde?

– Të shkojë andej nga ka ardhur sepse më zhgënjeu. (Buzëqesh) Ndoshta e kisha idealizuar shumë…

– Çfarë pret ti që të vijë në jetën tënde?

– Suksesi në këto projekte që kam, sidomos te biznesi familjar. Dua të kem sukses me këmbë në tokë, jo thjesht për një bum televiziv një javor. Domethënë, sukses në kuptimin e plotë të fjalës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *