Djaloshi 23 vjeçar nga Mirdita të befason me qetësinë, thjeshtësinë e ndoshta edhe pak ndrojtjen e tij. “Unë i kam provuar të gjitha; jetën e natës e sherret e rrugëve”, thotë, por veten e ka gjetur te sporti dhe ndihet me fat…

 

– Kristi, duhet të jesh kaq i gjatë sa ti, që të merresh me kikboks?

– (Qesh) Jo, s’është e thënë, ka edhe të shkurtër që mund të bëjnë kikboks.

– Çfarë të bën ty fitimtar?

– Në radhë të parë, besoj se forca, pasi i fortë nuk bëhesh; i fortë lind! Pastaj sedra dhe zemra, mbi të gjitha. Edhe teknika, sigurisht, duke punuar me trajnerin…

– Sa kohë ke që merresh me kikboks?

– Dy vjet e gjysëm. Me thënë të drejtën, si me shaka e nisa, me ra nga pesha se isha shëndosh pak, nuk është se kisha një vullnet të madh apo fiksim për kikboksin, por trajneri e kuptoi që kisha talent dhe më tha se mund të ecja përpara. Që nga ajo kohë, nuk u shkëputa më, ika edhe në Gjermani dhe ka një vit e ca që ushtroj stërvitje dhe jetoj atje.

– Është arritje e madhe që pas dy vitesh në këtë sport, të bëhesh kampion evrope…

– Po, është arritje shumë e madhe dhe rast i rrallë. Pas testimeve të bëra në Gjermani unë dola më i miri në këtë sport dhe ma dhanë të drejtën për të luftuar për titullin kampion evrope. Por, në peshat super të rënda, ku futem unë, është më e lehtë të bëhesh kampion, sesa në peshat e mesme, siç është Gjetani, sepse këta kanë shumë kundërshtarë. Në pesha të rënda, ka më pak…

– Para se të merreshe me kikboks, me çfarë je marrë?

– Me shumë gjëra jam përplas… Pasi mbarova gjimnazin, kam punuar në shtëpi, pastaj shkova në kurbet në Itali, si gjithë të rinjtë… Pak kohë kam punuar në shtet me gardën, po as aty nuk më pëlqente dhe pastaj iu futa sportit.

– Çfarë kërkon kikboksi?

– Kikboksi do përkushtim të madh dhe shumë disiplinë. Për shembull, nuk bëhet fjalë të vijë një shok e të lësh stërvitjen për të pirë kafe me të sepse po e le stërvitjen një ditë, ajo të lë një muaj. Duhet të jesh shumë i përkushtuar, të mos konsumosh alkool, të mos dalësh natën…

– Sa orë në ditë stërvitesh?

– Atje në Gjermani, 4-5-6 orë, kurse këtu pak më pak.

– Çfarë synimesh ke tani?

– Nëse më jepet e drejta, dua të ndeshem për titullin kampion bote.

– Aktualisht, ti po merresh vetëm me këtë sport. Ia vlen?

– Po, ia vlen!

– Pse?

– Dëgjo, unë i kam provuar të gjitha; jetën e natës e sherret e rrugëve, por ndiej shumë ndryshime te vetja qëkur kam filluar të merrem me sport. Më përpara s’duroja njeri dhe zihesha për pak gjë, kurse tani bëj sikur nuk e dëgjova, bllokoj njërin vesh dhe them me vete se “ai atë punë ka”… mund të jetë pijanec, ordiner, pse duhet ta ul nivelin me të?

– Ti je shumë i ri. Je i vendosur të vazhdosh në këtë rrugë?

– Po.

– Nuk e ke menduar të kesh një profesion tjetër?

– Po, në fakt, edhe trajneri ma ka thënë disa herë se duhet të kem planin B, po me thënë të drejtën nuk e kam menduar. Ndonëse mund të ndodhë diçka, se edhe dëmtimet pjesë e sportit janë, nuk e kam menduar akoma planin B.

– A jeton një sportist me frikën e dëmtimit, ashtu siç mund të ketë një këngëtar për shembull frikën se humbet zërin?

– Jo, këtë s’e kam menduar asnjëherë, nuk i fus vetes strese të tilla. Edhe ndonjëherë kur jam i stresuar, vij bëj stërvitje dhe kur dal nga këtu, jam shumë i qetë.

– A është e kënaqur familja me këtë rrugë që ke zgjedhur?

– Po ja… babi thotë se “burri s’rri duke u rrah përditë!”, kurse mami fik televizorin kur ndeshem unë. (Buzëqesh)

– Po ti, e konsideron veten me fat që iu fute kësaj rruge?

– Shumë! Ky është fat për mua dhe ia di shumë për nder trajnerit tim, Ismailit. Në fakt, unë ia uroj gjithkujt ta ushtrojë kikboksin, boksin apo çdo lloj sporti dhe shpresoj që të gjithë të rinjtë në Shqipëri ta marrin rrugën time. U them se e kam provuar edhe unë jetën e natës, emigracionin dhe gjithçka, por asgjë nuk ia vlen para sportit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *