
Nga Bullgaria në Mbretërinë e Bashkuar, e më pas mes tingujve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Greqisë dhe Ballkanit, Bozhidara Bozhinova-Bozhi ka ndërtuar një identitet artistik që nuk njeh kufij gjuhësorë apo kulturorë.
Ajo e nisi rrugëtimin e saj në YouTube me cover-a të thjeshtë, por shumë shpejt kuptoi se një këngë mund të marrë një jetë krejt tjetër kur ndryshon aranzhimi, ritmi dhe, mbi të gjitha, gjuha. Nga cover-at akustikë te versionet me aranzhime të reja dhe tekstet e saj në bullgarisht, Bozhi ka nisur të krijojë një repertor që është një mozaik i vërtetë i muzikës ballkanike.
Prej rreth tre vitesh ajo këndon në Mbretërinë e Bashkuar, ku përballja me një diasporë shumëngjyrëshe e shtyu të zgjerojë repertorin e saj. Në një publik ku takohen bullgarë, shqiptarë, rumunë, grekë, serbë dhe komunitete të tjera, Bozhi zgjodhi të mos kufizohej në një gjuhë apo një kulturë të vetme. Përkundrazi, ajo filloi t’i bashkonte ato përmes muzikës.
Një vend të veçantë në këtë rrugëtim ka zënë muzika shqiptare. Bozhi ka marrë këngë shqiptare dhe i ka sjellë në një formë të re, duke i përshtatur në bullgarisht dhe duke eksperimentuar me aranzhime që i japin këngëve një tjetër ngjyrim. Ajo ka realizuar edhe versione në bullgarisht të këngëve maqedonase dhe serbe, duke e kthyer gjuhën në një urë dhe jo në një pengesë.
Por ndoshta pjesa më interesante e eksperiencës së saj është pikërisht mashup-i. Për Bozhi-n, të bashkosh këngë nga kultura të ndryshme nuk është thjesht një mënyrë për të krijuar një performancë argëtuese. Është një mënyrë për të treguar se sa shumë të përbashkëta kanë ritmet, meloditë dhe emocionet e popujve të Ballkanit.
Eksperienca me komunitetin shqiptar në Britani erdhi natyrshëm. Pasi mësoi një numër të konsiderueshëm këngësh shqiptare, Bozhi nisi të kontaktonte restorante shqiptare dhe u prit me shumë ngrohtësi. Nga një performancë te tjetra, nga një lokal te tjetri, muzika shqiptare u bë një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e repertorit dhe identitetit të saj artistik.
Sot, Bozhi nuk është thjesht një këngëtare që interpreton cover-a. Ajo po krijon një mënyrë të sajën për t’i bashkuar kulturat ballkanike përmes zërit, gjuhës, ritmit dhe meshup-eve. Dhe pikërisht këtu qëndron veçantia e saj: një këngë shqiptare mund të nisë në një gjuhë, të vazhdojë në një tjetër dhe të përfundojë duke bashkuar njerëz që ndoshta nuk do të ishin takuar kurrë përmes një kënge të vetme.
Meshup-in e Bozhi-t mund ta dëgjoni edhe në linkun më poshtë, ndërsa muzikën e saj mund ta gjeni në të gjitha platformat muzikore.






