Jam një vajzë 26 vjeçare, nga qyteti i Tiranës. Përgjithësisht, kam lexuar historitë që botohen këtu, por gjithmonë kam qenë skeptike nëse kanë qenë të vërteta apo të trilluara nga profesionistët që punojnë për këtë faqe. Sot, e ndjeva të domosdoshme të shprehesha diku, për të marrë një mendim pasi nuk mund të flas me askënd për këtë që më ka ndodhur. Qëkur kam qenë e vogël, unë jam ndjerë shumë e distancuar nga mamaja ime, pasi ajo kishte sy dhe dashuri vetëm për vëllain tim dhe gjithmonë, si në formë shakaje a nuk e di se si, më thoshte: “Unë dua më shumë djalin”. Unë qaja në dhomë dhe ata qeshnin së bashku në kuzhinë. Mbase është diçka e bërë pa logjikë, por për një fëmijë, dashuria e nënës është shumë e rëndësishme për rritjen, si nga ana fizike, ashtu edhe morale e psikologjike. Gjithsesi, unë kam pasur gjithmonë pranë meje, tezen time…
Kur vajta në moshën 17 vjeçare, u dashurova me një djalë nga Korça, që jetonte në Tiranë. Sapo e mori vesh familja ime (mamaja, më saktë) u alarmua dhe donte të më shkëpuste edhe nga gjimnazi, por me forcë arrita të shkoja në shkollë, duke u thënë se isha ndarë. Ia thashë këto të dashurit tim, i cili absolutisht nuk e pranoi ndarjen. Kështu, vazhduam së bashku dhe në moshën 20 vjeçare u fejuam, edhe pse familja ime nuk e kishte shumë me qejf. I fejuari im i afronte i mbante më shumë se familjen e vet.
Në moshën 22 vjeçare u martova dhe linda djalin. Prindërit e mi janë kujdesur shumë për të, e kanë mbajtur edhe kur ne shkonim me pushime, kur dilnim (do t’u jem gjithnjë mirënjohëse për këtë), derisa ndodhi ngjarja e mëposhtme:
Para disa ditësh, u kthyem të lodhur nga puna dhe te shtëpia e prindërve të mi, ku qëndronim gjithnjë pas pune, u shtrimë për 1 orë, pasi unë duhet të shkoja përsëri në punë. Në kuzhinë ishte im vëlla i cili e acaronte tim bir duke u tallur. Unë i bërtita nga dhoma që të pushonte djali, por ata vazhdonin njësoj. Atëhere im shoq u ngrit, i bërtiti djalit, i ra me çokë (sikur troket në derë) dhe erdhi sërish në dhomë, kur vëllai im doli tërë nerva dhe bërtiti në korridor “legen”. Unë dola dhe e pyeta se kujt i thoshte kështu. “Atij, tha, që ke për burrë ti!”. Mua sikur më ra tavani mbi kokë e i thashë: “Mos i jep shumë gojës, s’të vjen turp?”, por ai nuk ngurroi fare dhe më goditi. Unë iu ktheva pasi nuk mund të lejoj dikë që të ngrejë dorë mbi mua, kur në atë moment del im shoq nga dhoma. Vëllai i kthehet atij dhe i bie poshtë nofullës me forcë. Më pas, ata kapen me njëri-tjetrin. Si përfundim del vëllai më i goditur dhe me sy të nxirë dhe e gjithë familja mban anën e atij, se na i qenka nxirë syri. Ditën tjetër vazhdova marrëdhënien normale me prindërit e mi, duke u thënë se nuk doja të flisja më për çështjen në fjalë. Të nesërmen tjetër, im shoq i dërgon tim vëllai një mesazh, për të cilin as mua s’më erdhi mirë: “Kemi ndonjë gjë të hapur bashkë?”.
Im vëlla, 35 vjeç, ankohet te mamaja dhe ata sërish më ulërasin mua se ne s’jemi ashtu familjeje dhe për më tepër, thoshin për tim shoq “kemi mbajtur gjarpërin në shtëpi, qeni” etj. etj., kur ai i ka resepektuar për çdo gjë, madje edhe më shumë se unë. Tani, nuk di si të veproj. Jam shumë keq nga ana psikologjike e po ashtu edhe im shoq, por më duket shumë e vështirë të jenë gjërat si më parë, pasi fjala “gjarpër” dhe “qen” është mjaft e rëndë për dikë që të ka respektuar edhe më shumë se prindërit e vet. Ah, ime më thotë se unë jam shkaktarja e të gjithave… Ajo më përmend se i biri më ka liruar krevatin, pra, me pak fjalë, ajo shtëpi është e tija dhe jo e imja. Kemi blerë së bashku një apartament në plazh ku për gjysmën time ua kam marrë borxh atyre lekët dhe ua paguaj çdo muaj, ndërsa ata gjysmën e vet e kanë vënë në emër të vëllait. Kanë edhe një apartament tjetër të cilin donin ta vinin në emër të vëllait, por pasi bëra fjalë unë, se mbeta shumë keq (se vetëm shqiptarët janë të fiksuar pas djemve në këtë mënyrë) prindërit e vendosën në emër të vet, por kur flasin për të, thonë “shtëpia e vëllait”… Kam nevojë për mendimin tuaj, për një zgjidhje, si duhet të veproj?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *