– Përshëndetje Doktor Agroni! Jam një djalë 35 vjeç, që kam probleme me kujtesën e momentit. Shumë herë kthehem dhe shoh disa herë në moment makinën a e kam mbyllur, ose kur largohem nga puna, ka raste që marr në telefon e pyes të shohin a e kam mbyllur kompjuterin, ose kur dua të marr diçka, marr diçka tjetër, atë që dua e harroj dhe sapo largohem, kujtohem. Kur jam me makinë, ka raste të rralla, më ngjan me punë sekondash, sikur jam diku tjetër. Punën e kam po ulur, duhanin e pi, alkool pi shumë pak. Më ndihmoni ju lutem, pse më ndodh kjo gjë? Faleminderit.
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Sipas të dhënave që më jepni në letrën tuaj, unë mendoj se ju nuk vuani nga turbullime të kujtesës, por keni një lodhje të sistemit psikik, që ne mjekët e quajmë “psikosteni”. Ky çrregullim haset në persona me sistem nervor e psikik të ndjeshëm, të cilëve traumat apo situatat e vështira u kanë krijuar një lodhje të këtij sistemi (pra, atij neuropsikik). Një nga veçantitë e kësaj dukurie është edhe mossiguria në veprime, krahas shqetësimeve të tjera, si për shembull, çrregullimet e gjumit e ndonjëherë edhe shkëputjet me realitetin ose ambientin përreth, siç ndodh edhe me ju.
– Për këtë qëllim, do t’ju këshilloja që të konsultoheshit me një mjek neuropsikiatër, qoftë në rrethin ku ju banoni, qoftë këtu në Tiranë, duke bërë edhe një EEG, për të parë aktivitetin elektrik të trurit. Vetëm pas këtyre konsultave e EEG-së, mund të merrni mjekim. Krahas këshillave mbi regjimin ditor, si dhe kombinimin e mirë të aktivitetit mendor me çlodhjen, apo me regjimin ushqimor, si dhe mospërdorimin e duhanit, apo pijeve alkolike, apo nxitëse të sistemit nervor qendror (si psh. kafeja, kakaoja, çaji i malit, ose europës, apo pijet energjike etj.), zakonisht, përdoren barna që rregullojnë këtë raport (pra, punë e çlodhje të sistemit nervor) si për shembull laroxyli, aponoofeni, si dhe komplekse vitaminike etj. Së fundi, jam i bindur se vetëm kështu do të ktheheni në normalitet e shqetësimi që na shkruani, do të zhduket.
Advertisement