Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Cilët nuk intervistuam dot këtë javë? Nga Artan Kristo

E lexuat gazeten Intervista sot? Kishte shume intervista interesante apo jo? Por e dini se kishte edhe shume personazhe qe nuk i intervistuam dot? Ja, disa nga ata…

EDI RAMA
Nuk e takuam dot as këtë javë kryeministrin tonë, Edi Rama. Deshëm të na sqaronte pak këtë problemin e punësimit sepse nga fjala e tij 21 minutëshe në Parlament të enjten, nuk morëm vesh pothuajse asgjë. Dha shumë shifra, që, sipas tij, tregonin hapjen e fronteve të reja të punës, por për çudinë tonë, të gjitha ato ishin shifra relative, në përqindje, që tregonin rritjen në krahasim me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Pse nuk dha asnjë shifër të saktë kryeministri se sa vende pune ishin hapur dhe në ç‘sektorë ishin hapur ato?! Pse nuk përmendi ndonjë investim që kishte punësuar, të zëmë 500, 1000 a 2000 punëtorë?! E vetmja shifër absolute, pa përqindje, që artikuloi zoti Rama gjatë fjalimit, ishte ajo e të papunëve të moshës 15 -64 vjeç, që ishte gjithsej 219528 persona. Të gjitha shifrat e tjera ishin përqindje. Pse vallë? Mos vallë janë “përzier” pak shifrat? Mos vallë bashkë me të punësuarit, janë edhe ata që më parë punonin në “të zezë” e tani, pas kërcënimit së kryeministrit se do burgoseshin të gjithë ata që punësonin të pasiguruar, punojnë normalisht?! Mos vallë te shifra e të punësuarve që fshihet pas përqindjeve janë shtuar edhe punonjësit e fshatit që më parë nuk futeshin në skemat e sigurimeve shoqërore, si dhe të siguruarit vullnetarë në emigracion? Po të jetë kështu, atëhere të punësuarit dalin pak, shumë pak. Dhe kështu duhet të jetë, se ende nuk po dëgjojmë për asnjë investim të kompanive të mëdha e serioze ndërkombëtare, për asnjë fabrikë apo kantier të madh të hapur. Me katër call center e 2 kapanone fasoni nuk shtohet punësimi… Apo jo, zoti kryeministër?

ATIFETE JAHJAGA
Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, të enjten ka anulluar vizitën e saj në Shqipëri, e cila ishte parashikuar të bëhej më 18 dhjetor. Pse ndodhi kështu vallë? Kishte lidhje ky anullim me vendimin e PD-së që, nën këtë pretekst, të hynte në Parlament vetëm për një seancë dhe të shpëtonte “djegien” e mandateve?! Mos e ka ndjerë vetën “të përdorur” nga politika shqiptare zonja Jahjaga, prandaj vendosi ta shtyjë vizitën? Ja, për këtë deshëm ta pyesnim presidenten kosovare….

Advertisement

ERION VELIAJ
Ministrin e Rinisë dhe të Përkrahjes Sociale, Erion Veliaj, nuk mundëm ta takonim dot këtë javë. Zotin Erion deshëm ta pyesnim nëse ajo që tha në takimin ndërkombëtar të të rinjve këtë javë në Tiranë ishte një “lapsus”, e kishte me gjithë mend apo gënjeu për t’i bërë qejfin Ramës që po e dëgjonte? Ai, hapur, para qindra të rinjve, deklaroi se “unë e kam njohur Edi Ramën, jo si kryeministrin e Shqipërisë, por si një artist, si një profesor që organizoi 8 dhjetorin dhe që kishte vizionin për të kuptuar se ai organizim mund ta transformonte Shqipërinë shumë më shumë sesa politikanët e asaj kohe”. E shtrojmë këtë pyetje sepse, e para, në dhjetor të ’90-s Erioni ka qenë vetëm 11 vjeç dhe Edi Ramën jemi të sigurtë se nuk e ka njohur, as personalisht e as nga mediat, sepse në atë kohë orët që i mbeteshin pas mësimeve i harxhonte duke luajtur me top ose me cingla (këtë lojë duhet ta dijë, meqë pretendon se është i kohës së vjetër). Arsyeja e dytë është se, të gjithë e dimë faktin se më 8 dhjetor 2000, Edi Rama nuk ishte në Tiranë, por jashtë Shqipërie dhe ai nuk është marrë me organizimin e demonstratave të studentëve, edhe pse ka qenë shumë i njohur për disidencën e tij, në Institutin e Lartë të Arteve, siç quhej në atë kohë. (Madje, e vërteta është se shumë të rinj tiranas në atë kohë e dëshironin dhe e mendonin Edi Ramën në krye të lëvizjeve)… E, pra, nëse ka qenë një “lapsus”, mirë është ta përgënjeshtrojë e ia falim, por nëse e ka patur me të vërtetë atë që ka thënë, atëhere nuk mund të rrimë pa i thënë se është shumë shpejt për të imituar Pilo Peristerin që i vishte Enver Hoxhës të gjitha meritat që mundte… (Nëse nuk e di kush është Pilo Peristeri, le të pyesë pleqtë që takon nëpër azile se nga stafi i tij i ministrisë që e ka mbushur plot me rini, nuk besoj ta njohë njeri)…

RAMIZ ALIA
Sikur të na jepej mundësia, Ramiz Alia do të ishte personi që do t’i vinte pikën mbi “i” shumë thashethemeve, dyshimeve e mëdyshjeve të kësaj jave teksa u përkujtua lëvizja studentore e 8 dhjetorit që solli pluralizmin politik në Shqipëri. Shumë shkruan e thanë se Berishën e çoi të studentët Ramiz Alia, të tjerë thanë se gjithçka e kishte organizuar Sigurimi bashkë me Ramizin etj. Por, ç‘do të thoshte vallë vetë ish-udhëheqësi komunist po të ishte gjallë? Na ndihmuan për të imagjinuar përgjigjen e tij, kujtimet e njërit prej bashkëkohësve e bashkëpunëtorëve të tij, Muharrem Xhafës, që, kur e kishte pyetur disa muaj para ikjes nga kjo jetë, pikërisht për këtë, i kishte thënë: “Udhëheqësit, disa sekrete, i marrin me vete…”

LINDITA NIKOLLA
As Ministren e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, nuk e takuam dot këtë javë. Me zonjën Nikolla deshëm të zhvillonim një intervistë në lidhje me peshëngritësit tanë të cilët na dolën që të tre me doping. Zonjën ministre deshëm ta pyesnim nëse është e vërtetë që përpara aktiviteteve të rëndësishme si kampionati evropian, apo botëror, agjencia e dopingut në Shqipëri është e detyruar të kryejë analiza me nismën e saj, por kjo gjë nuk ka ndodhur për shkak mosmarrëveshjesh dhe mungesë fondesh, duke qenë se një analizë kushton rreth 500 euro? Kaq keq qenka ministria për 1500 apo 2000 euro?! Vetëm çanta, ose më saktë, një nga çantat që ministrja mban në dorë, kushton sa dyfishi i kësaj shume… Apo për sportin e për sportistët qeveritarët tanë kujtohen vetëm kur ata marrin medalje e u japin shkas për të dalë krah tyre nëpër skena, aeroporte e televizione?!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Jozefina Topalli: Basha ka me dalë i humbun!

Next Post

Çfarë marrëdhënieje ke me vëllanë?

Advertisement