Zonjën Jozefina Topalli e gjetëm duke vrapuar mes gjelbërimit në Velipojë, ku ka edhe njërën nga vilat e saj. E veshur me tuta sportive e me atlete të bardha të firmës Adidas, dukej si sportiste e “Vllaznisë”…

Kaso Kosa: – Përshëndetje, zonja Topalli! Urime për lukun e ri dhe formën e shkëlqyer që paskeni arritur. Nga larg, ju mendova si ndonjë atlete…
Jozefina Topalli: – Kuku, ku paskam ken mar Kaso! Për mbi pesmbdhet vjet ia paskam dhanë shpirtin dreqit! Jam lodh e sterlodh tu punu natë e ditë për demokracinë. Jam strapacu dhe tash që jam thjesht nji deputete, po ja nij lezetin të qenit në opozitë! Sidomos këto gjashtë muajt e fundit qysh prej kur kanë rrah atë Strazimirin, i kam shfrytzu me u shlodh e me ba pak fizkulture për me fitu atë që kam humb prej viteve ku jam kenë e detyru me u mbyll në parlament.
– Vërtet jeni lodhur shumë?
– Mos e pyt mar! Së parit, kisha të bajsha me nji opozit që nuk donte me më kuptu që unë luftojsha për me ja ba qëndrimin në parlament sa më komod, siç pata deklaru se do të bahem avokate e opozitës. Të mos lodheshin me diskutu, të mos futeshin nëpër komisione dhe të mos torturoheshin nëpër aerodromet e Evrops e të botës tu shku me delegacione siç isha e detyru me ba unë që edhe sot…
– Si dhe pse ndodhi eleminimi juaj dhe i miqve apo, mbështetësve tuaj nga kryesia e re e partisë?
– Nuk kishte si me ndodh ndryshe. Unë kam qenë kundër vendosjes së këtij Bashës në krye të partisë, sepse nuk e kam ndgju kurrë të thotë një fjali të plotë nga ana e vet, por vetëm citon apo kopjon ato të zotit Bërisha! Për asnjë punë apo detyrë në kryesi, apo në forumet e tjera, nuk ka kontribu. Por, ma e keqja asht se edhe në biseda të lira ai nuk din me mendu apo me fol, por vetëm qesh e qesh, thu se i mungojnë buzët si atij Guplenit, apo Guinplenit të atij shkrimtarit anglez, Hygoit. Edhe shumë nga të vjetrit e partisë kështu menojnë, ndaj Basha nuk i futi në asnji forum partie…
– Në fakt, si kryetar, është në të drejtën e tij të zgjedhë një ekip që do ta çojë partinë në fitore të sigurtë që në zgjedhjet e vitit 2015 për pushtetin vendor.
– A vërtet mendoni se ai dhe Partia Demokratike ka me fitu në zgjedhjet lokale? Jo, mor burr, mos t’ju rrej mendja! Basha ka planizu të mos futet fare në zgjedhje lokale, sepse ka frikë që jo vetëm nuk do të jetë fitues, por mund të dalë pa asnjë bashki të fituar. Në Tiranë, as punonjësit e pastrim- gjelbërimit nuk kanë për ta votu se ua ka nxi jetën me detyrimin për të marrë pjesë në çdo takim apo përurim të ndonjë kopshti apo rrugice që ka bërë si kryetar bashkie.
– Është e vërtetë që Basha, kur ju ka parë te zyrat e SHQUP- it, ju ka thënë: “Çne ti këtu? Iku koha jote!”
– Asht e vërtetë që njikshtu më ka thanë dhe unë i jam përgjegjun: “Unë të paktën e kam patur një kohë, po ti as ke patur e as do të kesh kurrë, sepse je thjesht një kopje e shëmtueme e dikuj tjetër”. Që nga ajo ditë, jemi armiqsu ma tepër.
– Keni mbi gjashtë muaj që nuk po futeni në Parlament. Do të pranoni të humbisni mandatet?
– Unë dhe shumë nga deputetët e vjetër, jemi të regjur në pulitikë, Kaso, dhe nuk i humbasim aq lehtë mandatet, sepse nuk jemi shkëputur nga parlamenti për shumë kohë. Unë kam qenë nëpër delegacione dhe nëpër komisione. Si unë, edhe shumë të tjerë, jena kenë të angazhu, kështu që vetëm ata që e kanë zbatu me fanatizëm urdhërin e Bashës mos me shku në Parlament, vetëm ata rrezikojnë të humbasin mandatin. Së dyti, nëse Basha nuk lejon me shku në Parlament edhe javën tjetër, ne grupi që Basha nuk na do, jo vetëm do futemi në Parlament, por kemi çuar Mesilën si negociatore për të na pranuar në partinë e çamëve të Shpëtim Idrizit, duke qenë se ajo e ka burrin çam.
– Mendoni se PDIU do të jetë e hapur për ju?
– E kemi menduar edhe këtë variant. Atëhere, ne do t’i bëjmë kërkesë partisë së Bamir Topit, që në fund të fundit, është pjesë e Partisë Demokratike. Një sinjal na e dha këto ditë Gazmend Oketa kur tha se Partia Fryma e Re Demokratike i ka dyert e hapura për demokratët e zhgënjyer. Nga përplasja mes ne, gardës së vjetër dhe Bashës, ky ka me dalë i humbur!
– Ju, personalisht, jeni pro hapjes së dosjeve të ish- bashkëpunëtorëve të ish- sigurimit famëkeq të diktaturës?
– Sa po më bani me qesh me këtë thanie se duan me hap dosjet. Si mor u hapkan dosjet kështu, sa hap e mbyll sytë? Së pari, duhen përpunuar strategjitë e hapjes së dosjeve dhe kjo kërkon nja katër apo pesë vjet punë. Së dyti, duhet me pa se a ka me të vërtetë dosje që duhen hapur apo bahet lojë fjalësh. Më sa di unë, dosjet e vërteta të sigurimit të famshëm janë terun e zhdukun që brenda vitit 1997 e në vend të tyne ka vetëm gënjeshtra e falsifikime.
– Nafiz Bezhani ka vërtetuar se jo para 20 vjetësh, por edhe sot ka mbi 5 deputetë të Partise Demokratike që kanë qenë spiunë…
– Unë për vedi nuk e kam besu Bezhanin sepse e kam ditë se si asht përpunu ai. Në shqyrtimin e dosjeve të pulitikanëve ai asht kenë selektues. Ka hetu vetëm ata që ka dasht pulitika e pulitikanët që e kanë vu në at detyrë e të tjerët i ka eleminu. Tash, secili prej nesh mund t’i vesh tjetrit një pseudonim si bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit dhe askush nuk ja vërteton dot, por as nuk ka fakte me e hedh poshtë. I bije që të themi atë fjalinë e madhe të zotit Bërisha: “Të gjithë jemi bashkëvujtës e të gjithë bashkëfajtorë”.

Bisedoi me shaka KASO KOSA

Blerta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *