– Doja të dija sa kohë zgjat bashkimi familjar me një grua amerikane, e cila është bashkëshortja ime? Ne kemi aplikuar në janar të këtij viti dhe akoma s’na ka ardhur një përgjigje. Presim një përgjigje nga ju.
– I nderuar zotëri, në lidhje me pyetjen tuaj, Konsullata Amerikane ka dhënë këtë përgjigje për ju: Së pari është e vështirë të parashikohet se sa kohë do të duhet për intervistën tuaj për vizë emigrimi, pra, për t’u planifikuar në ambasadën këtu në Shqipëri. Kohëzgjatja zakonisht ndryshon nga rasti në rast dhe nuk mund të parashikohet për ndonjë rast, me saktësi. Disa rasteve u është vonuar përgjigjja sepse aplikantët nuk i ndjekin udhëzimet me kujdes. Ndonjëherë, sponsori apo peticioneri në SHBA, nuk mund të plotësojnë kërkesat e Affidavit of Support. Disa aplikime të tjera për vizë kërkojnë përpunim të mëtejshëm administrativ, i cili merr kohë shtesë pas intervistës së aplikantit nga një zyrtar konsullor. Pra, janë një sërë procedurash dhe rregullash për të cilat ju duhet të keni durim, por sigurisht që do të merrni përgjigjen, nëse e keni bërë saktë aplikimin.