– Përshëndetje instruktor! Kohët e fundit, ndjej shumë dobësi në fizik, s’kam fare energji, edhe pse ushtrohem rregullisht. Mos vallë e kam nga e pangrëna, sepse më ka ikur goxha oreksi? Çfarë ushqimesh apo lëngjesh na sugjeroni që të ndihemi mirë kur të ushtrohemi në palestër? Faleminderit.
Mario Instruktori: – Sigurisht që nëse nuk ushqeheni si duhet dhe ndërkohë, stërviteni, do të keni patjetër këto shqetësime që paraqisni sepse nuk keni energjinë e mjaftueshme për të përballuar si stërvitjen, ashtu edhe vapën që është tani në këtë periudhë. Humbja e lëngjeve e përkeqëson stërvitjen, por edhe dobëson fizikun në përgjithësi. Gjatë gjithë ditës, të paktën në këtë periudhë, duhet të pini nga 2 litra gjer në 3 litra ujë në ditë. Uji është i përshtatshëm për çdo lloj situate apo stërvitjeje. Duhet të konsumoni të paktën 3 vakte të rregullta dhe një vakt të ndërmjetëm që ndryshe quhet zemra. Merrini të gjitha llojet e ushqimeve nga pak, duke filluar nga proteinat, karbohidratet, kalciumi, vitaminat, etj. Prandaj, unë sugjeroj gjithmonë që duhen konsumuar të gjitha llojet e ushqimeve në masen e duhur, pasi trupi ynë ka nevojë për të gjitha. Kufizimet duhet t’i keni vetëm tek yndyrnat e larta, kripërat e larta dhe sheqernat.
– Ky rregull vlen edhe pas kryerjes së ushtrimeve, është e rëndësishme që të rivendosen në trup nivelet e dëshiruara të energjisë. Rivendosja e sasisë së lëngjeve të humbura gjatë ushtrimeve është në varësi të sasisë së humbjes së tyre. Kjo mund të llogaritet, duke krahasuar peshën para dhe pas ushtrimeve. Sasia e lëngjeve që duhet të merrni është në varësi të djersitjes dhe temperaturës së mjedisit. Në ditë të nxehta, pas ushtrimeve të rënda, duhet të pini disa litra lëngje. Duke vepruar në këtë mënyrë, duhet treguar kujdes në konsumin e lëngjeve me përmbajtje sheqeri, sepse mund të merrni më shumë kalori sesa duhet dhe më shumë sesa digjni gjatë ushtrimeve. Ky mund të mos jetë problem nëse jeni i trajnuar mirë dhe keni një trup të formuar, por mund të sjellë rezultate të ndryshme, nëse jeni duke u përpjekur që të humbisni peshë.