Nga Fabjola Kuburi
-Znj Lami përshëndetje! Le ta nisim me një pyetje të ngrohtë në këtë dimër të ftohtë dhe kohë të vështira që po jetojme, çfarë ka ndryshuar nga hera e fundit që keni qenë pjesë e Intervista.al profesionalisht dhe personalisht?
Ja kjo mënyra se si kam dëshirë t’i përgjigjem një interviste psh, duke e konsideruar atë një aktivitet të ngrohtë në këto kohë jo edhe aq të ngrohta. Eh, edhe kjo është e lidhur me dëshirën e njeriut për të deshifruar kujtimet në një kohë, kur e ardhmja është pa ngjyra të qarta. Një dëshirë për të qenë fëmijë. Pak a shumë.I jam ngjitur një mali. Kam provuar shijen e ngjitjes e jo fiksimin për të qenë në majë. Por profesionalisht jam rritur dhe personalisht kam pësuar ndryshime pozitive.
Mendoj që jemi të fokusuar fort të gjithë tek e sotmja, tek rëndësia e jetës, Unë personalisht përpiqem që të shmang gjërat e panevojshme dhe pas punës t’i kthehem fort gjërave të mia të shenjta.Prioriteti është familja, dashuria. Aty rri mbështetur e afër, ndryshe nga njerëzit jashtë të cilëve u mban distancë.
Profesioni ka kaluar në dimensione të tjera. Puna në arsim tashmë e konsoliduar në mësimdhënie dhe drejtim, ka patur degëzime si; autore e teksteve shkollore, rritje profesionale në fushën e psikologjisë shkollore, dhe në fushën e shkrimeve funksionale.
Përpiqem të përzgjedh në morinë e gjërave të përditshme. Lexoj çdo gjë që ka të bëjë me jetën.Mesazhet plot shpresë janë mesazhet e mëdha dhe ato mezi i pres, për vete, për familjen dhe njerëzit e tjerë.
Po jetojmë kohë të vështirë, aq sa të gjithë jemi bërë nga pak individualistë, derisa provon diçka të njerëzit e afërm, ose je ti që ke nevojë për ta. Kjo të ndryshon atë që është më e rëndësishme te njeriu; humanizmin. Dhe dëshirën që jeta e dashuria njerëzore të triumfojë.I jam rikthyer leximit dhe të shkruarit. Dua të shkruaj gjëra që as i kam menduar më parë.Ndërsa në jetën personale dua thjesht të jem dashuri, pranë njeriut që dua.
–Si po i jetoni këto kohë pandemie ne sistemin arsimor, çfarë ka ndryshuar rrënjësisht?
Shkolla dhe mësuesi janë përpara një sfide globale, asaj të rritjes së aftësisë dixhitale shumë shpejt. Gjithashtu ne dhe unë. Në shkollë sot duhet ti kushtosh më shumë kohë e vëmendje gjërave dytësore, merr vlerë aftësia praktike, përmbledhëse etj. Duhet të marrësh shumë info për çdonjërin që ke përballë, që të dish të reagosh.Pavarësisht kurikulës bazë në mënyrë të menjëhershme kanë marrë vlerë gjëra të tjera në kurikul e mësimdhënie .
Ka ankth, ka “rrëmujë”,por shkolla ecën.
Mendo tu kërkosh nxënësve të tu të ndryshojnë rutinën, për gjëra që vetëm një vit më parë ua ke mësuar ndryshe; si distanca fizike, përqafimi, kompjuteri, celulari,,, etj.
Është një lloj përmbysje e sjelljes në veprimtaritë shkollore.E di çfarë; fëmijët kanë një lloj frike, të cilën as e shpjegojnë dhe as duan ta shpjegojnë.Shkolla duhet tu mësojë së pari ta rrëfejnë. Braktisja e fshehtë po troket në forma të tjera, të panjohura. Gjithçka do të ndihet më vonë.
-Është edhe një konstatim nga të huajt, sipas të cilit Shqipëria është një vend i cili nuk i vlerëson të rinjtë përparimtarë, ndaj në këtë mënyrë këta përgatisin të ardhmen e vendeve të tjera. Sa e vërtetë është kjo, sipas jush?
-Ka shumë ikje nga vendi e ata që ikin janë të rinjtë. Dhe im bir. Shqipëria momentalisht është një vend që ata e duan, por që për ata nuk bën. Ky është perceptimi dhe këndvështrimi. Kjo është shumë e dhimbshme.Për patriotizëm mund të themi të kundërtën, por patriotizmi i vërtetë është e vërteta. Në Shqipëri mungon modeli më i mirë, që udhëheq fiton. Që demokracia drejtohet, që përparimi është i rremë. Që të drejtat e njeriut janë shkelje e tjetrit, që humanizmi është qesharak dhe shpresa është timon që drejtohet nga të tjerë. Njeriu i lirë nuk duron këtë, njeriu përparimtar jo e jo. Ndaj ikin…
–Duke qenë se shkolla “Willson” ku ju jeni drejtuese është një ndër më të mëdhatë dhe më të mirat në Tiranë, cilat janë faktorët që e kanë sjellë në këtë nivel?
-Një kombinim i traditës, konsekuencës dhe risive. Stafit dhe mbi të gjitha i mënyrës se si e shohim një nxënës; Nuk e fillojmë nga tema mësimore, por nga mjedisi që e rrethon fëmijën, nxënësin. Ofrojmë mjedis fantastik dhe mënyrë të shkëlqyer të progresit individual në gjërat që ka pasion nxënësi. Performancë të shtrirë në kohë, hap pas hapi, pa drama emocionale dhe psikologjike. Përshatje të programit me natyrën dhe aftësinë e fëmijës, prej nga ka ardhur gjithashtu. Shumë informacion për të zgjidhur një situatë dhe shumë lidhje për ta zhvilluar atë.
–Ju keni treguar që jeni një drejtuese shumë e mirë, ka ndonjë mundësi t’ju shohim edhe në politikë në të ardhmen?
-Më pëlqen politika, sepse pëlqej ndryshimin, larminë, vrullin dhe zhvillimin. Dua të bëj punë dhe vepra të mira. Kështu që pse jo. Kurrë nuk them kurrë. Janë disa fusha brenda saj, ku unë mund të jap kontribute të jashtëzakonshme.
-Krijimtaria juaj letrare këto kohë ka qenë më produktive apo pandemia ka ndikuar edhe tek kjo fushë krijuese?
-E thashë edhe më lart; jam në fazën që dua të shkruaj gjëra që si kam prekur më parë, kam mbajtur shumë shënime kësaj kohe, kam menduar shumë. Kam lexuar gjithashtu, kam dëgjuar shumë histori. Besoj që do kem prurje në fusha të tjera, përkundrejt poezisë dhe librave metodikë, të cilat tashmë janë të njohura.
–Po aktivitet jashtë shkollore përtej mësimit, si janë zhvilluar? A ka pasur larmi kulturore?
Ka kufizime në këtë fushë, por ajo që kemi bërë ne janë aktivitet të cilat i ndihmon natyra si;
– Mësime në natyrë.
– Danc me distancë në natyrë.
– Dramatizime me pak personazhe.
– Lexime librash.
– Video muzikore, etj
–Cili është mesazhi juaj në fund të kësaj interviste, një urim, një merak…
-Një nga mësimet e kësaj kohe është të mos jap mësime që merren si ultimatum; njeriu është qënie që ndryshon e unë them që ai duhet të luftojë për të ndryshuar pozitivisht. Të shtojmë vlerat humane, ti largohemi sa më parë mjediseve që të bëjnë keq. Asnjë moment nuk duhet të shkojë dëm. Jo gjithmonë duhet të të shqetësojë bota; e vërteta jote është më e sakta. Ndiq modelet që vlejnë, që të tregojnë jetën e vërtetë dhe plot vlera. Duhet kujdes për shëndetin, kujdes për njerëzit që na rrethojnë, ndiqni ëndrrat dhe ndaluni te dashuria. Jo gjithmonë duhet të vrapojmë.