Urime Geart Florian Celibashit me rastin e 1 vjetorit të lindjes
Gjysh Përparimi, gjysh Aliu, gjyshe Thëllëza, gjyshe Fiqeretja, prindërit e tu, Floriani e Aurora, të gjithë njerëzit e tu kudo, në Tiranë, Korçë, Skrapar, të urojnë ngrohtësisht, përzemërsisht, 1 vjetorin e lindjes. 20 Marsi, lita e lindjes tënde, është e do të mbetet dite e shënuar në mendjet, në shpirtin e në të gjithë qenien tonë. Të urojmë të rritesh i shëndetshëm, të bëhesh i mbarë, të bëhesh më i bukur, i zgjuar e me të gjitha cilësitë e familjes tënde të madhe. Muaji Mars, muaji juaj i lindjes dhe muaji i pranveres, sjelltë për ju dhe njerëzit tuaj të nderuar e të respektuar gëzime, lumturi e pranvera të përhershme. Bukuroshi Geart, u bëfsh mbi 100 vjeç!

Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– Tavolinë e bukur! E bukur nga njerëzit: Ishin bashkë tre artistë me tituj: Ilia Terrini, Osman Mula, Rexhep Çeliku, një gazetar shkrimtar (Flamur Bërdëllima) dhe një punonjës i Telesportit. Data? 6 mars 2016. Dhe… kush e ka atë fuqi shpirtërore (dhe jo vetëm) t’i bëjë bashkë ata? Kush, përveç Dr. Muhamet Malos? Ky njeri, që sfidon kohërat dhe kornizat rutinare, me një zemër perfekte, që ia ka dhuruar Zoti i madh. U bëfsh 100 vjeç, njeri i mrekullueshëm, Muhamet Malo, që vetëm mirësi sjell me praninë tënde. Aferim.
– Të pashë me burrin, e dashur Liri Todi (Hila). Ishte pragu i festës së mësuesit, profesionit tënd të nderuar. Doja të të uroja, po seç më pengoi. Ti po zgjidhje deodorante, a ku di unë, njeriu i mirë i mrekullueshëm dhe shumë i çiltër, që del çdo pasdite andej nga liqeni. Të ka rënë një nur i ri, sa je kthyer nga Amerika, ku ke djalin, më duket. Se ç‘ndjej një lëmsh në fyt, sa herë të takoj, ty pensionisten e paplakshme Liri. Të uroj, të bëhesh gjyshe sa më shpejt! Të fala Mondës dhe Bujanës!
– I saktë deri në detajin më të parëndësishëm! Kështu je ti Fatos Pecani, që ke zënë një vend të veçantë në zemrën time. Më vjen mirë që ke një respekt të veçantë për Stefan Vuçanin, se edhe ai ka për ty. Jo thjesht për fizioterapinë. Është personaliteti yt me një transparencë të kulluar, që i bën për vete njerëzit. Kështu mbetsh ti, o “burri me pantallona të shkurtra”, dimër-verë, andej nga liqeni. Të përqafoj miqësisht, Tosi!
– Rovena Ibrahimi quhet. Për mua, është një nga këngëtaret më “bio” të kohës aktuale. Kur them “bio”, kam parasysh që këndon me zë dhe jo me shalë. Dhe bukur këndon! Dhe i këndon nënës, babait. Ç’të them më: të lumtë, moj vajzë (grua) me emrin Rovena Ibrahimi. Urime.
– Kam një shok fëmijërie, Fatos Morina quhet. Dikur realizonte apo lexonte tekste dokumentarësh në një stacion televiziv. Po jeta ka një dinamikë, nganjëherë (ose shumë herë) të paparashikuar. Tani unë blej te Tosi deodorante ose shampo. Të shkëlqyera dhe me çmim të mirë. Dhe Tosi, po ai, aq i sjellshëm sa dikur. Lumturia mund të gjendet kudo ku ka një punë, i dashur Tosi! Të uroj të mos e provosh ndonjëherë ç’do të thotë: “I papunë”. Të përqafoj fort miku im. Të fala vëllezërve!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *