Për më shumë se dy dekada në skenë, përballë publikut që e ka ndjekur gjithnjë me dëshirë, ajo e ka marrë sakaq sadisfaksionin që shumëkush prej artistëve do ta dëshironte. Gili e ka provuar përkëdheljen në sedër duke ecur rrugës nën posterat me figurën e saj që pritet të këndojë në këtë apo atë club, salla të tejmbushura me njerëz që ngrihen në këmbë dhe këndojnë bashkë me të, thirrjen për një autograf ,apo kthimin e kokës me pëshpërimën: “E patë, ishte Gili”. Është duarktrokitur kaq shumë duke qenë kaq produktive në këngë, sa me të drejtë nuk mund të kërkonte më shumë se kaq nga fati që duket se ka qenë gjithnjë me të, në çdo hap.
– Sapo keni sjellë në treg projektin tuaj më të ri titulluar “Për bajram” që në fakt të krijon idenë e një kënge fetare ndërkohë që teksti trajton një histori dashurie. Çfarë i lidh këto të dyja me njëra-tjetrën?
– Është një këngë dashurie. Dashuria nënkupton të falësh dhe të kërkosh falje. Festat i bashkojnë njerëzit dhe janë shumë të dhimbshme kur na mungojnë ata që duam. Sa u përket këngëve fetare, mendoj se ato e kanë brenda mirësinë dhe besimin, faljen dhe dashurinë. Si të tilla mendoj që gjithmonë do të jenë frymëzuese për krijimtarinë artistike.
– Çfarë kërkoni t’i thoni publikut nëpërmjet asaj që bëni?
– Mendoj të përcjellë mirësinë që është detyrë e artistit. Unë kam kënduar këngë si “Le të puthen” “Mos gjykoni dashurinë” , ” Ditët e fundit” e shumë të tjera. Të gjitha ato përcjellin mesazhin e pajtimit, dashurisë dhe vlerave të moralit. Kënga e fundit është vetëm vazhdimësi e asaj që kam filluar para dy dekadave.
– Dhe vërtet, si ia dilni të vini e freskët cdo herë si të ishte hera e parë? Cili është sekreti?
– E dua jetën, familjen, shoqërinë dhe muzikën.
– Një ndër pengesat në jetën e shqiptarëve është mentaliteti. Ka patur një rast kur ju është dashur të përballeni me të?
– Unë jam mjaft tradicionale dhe i përqafoj të gjitha të mirat që ka ky mentalitet. Të metat e mentalitetit korrigjohen vetëm me arsimim. Kryesisht rrethi ku unë jetoj dhe punoj, ka mentalitet të përafërt me mua ndaj nuk kam problem
– Bashkëpunimi në çift i bën më të thjeshta apo më të komplikuara gjërat?
– Të thjeshta dhe të komplikuara në të njëjtën kohë.
– Në ç’fazë do ta konsideronit karrierën tuaj në këtë moment?
– Në fazën e qëndrueshme, kur punoj vetëm atë çka mendoj se është vlerë dhe që më nderon si artiste.
– Projekti i një kolegut, koleges tuaj, i cili ka pëlqimin tuaj këto kohë?
– Kënga dhe videoklipi i Elita 5.
– Lidhur me fansat, si e përjetoni marrëdhënien me ta, si është interaktiviteti mes jush?
– Më në fund e kam përfunduar ueb faqen time Gilimusic.com dhe funpage Gilizyrtare. Tani kontakti është më profesional dhe do t’ju informoj në vazhdimësi për projektet e mia po edhe do të përkujtoj diçka nga e kaluara. U bëj thirrje të gjithë të interesuarve që ta vizitojnë faqen time sidomos të dërgojnë fotot që i kemi realizuar bashkë.
– Të tjerët e shohin Gilin si një grua të bukur, të fortë, të suksesshme e inteligjente. Po ju, si e shihni veten?
– Unë mendoj se jam e urtë, por shumë rigoroze në punë.
– Një recetë të shëndetshme për trupin dhe një tjetër të shëndetshme për mendjen?
– Natyra dhe libri. Mos ju ndani atyre.
– Kur ndodh të mos ndiheni në formën tuaj më të mirë, çfarë bëni për ta ndryshuar këtë? Cila është terapia më e mirë?
– Kafeja dhe një film i mirë.
– Në çfarë jeni fanatike e pashëruar?
– Në përkushtimin ndaj familjes. Jam për ruajtjen e martesës deri në sakrificën e fundit.
– Cila është stolia më e bukur që një femër mund të ketë?
– Varësja.
– Çfarë konsideron magjik? Një çast, një objekt, një premtim?
– Çasti është magjik. Peshon sa një jetë.
– Cfarë di Gili rreth dhimbjes?
– Mundohem ta mund me humor.
– Është dhimbja, apo gëzimi ajo që na prek më shumë?
– Dhimbja.
– Cilat janë frikërat tuaja?
– Humbja e njerëzve të dashur.
– Ajo që ju përsërisni vazhdimisht fëmijëve?
– Ndershmëria është virtyti i parë që garanton lumturinë. Mundohuni gjithmonë t’i lumturoni të tjerët që jeta të ketë vlerë.
– Çfarë keni humbur ju nga koha juaj e kaluar dhe çfarë po humbasin fëmijët tuaj në kohën në të cilën jetojnë?
– Kam humbur mundësinë e shoqërimit më të shpeshtë me familjarët. Fëmijët po e humbin përjetimin e madhështisë që e ka natyra. Kompjuteri është konkurenca më e madhe e prindit në raport me fëmijën.
– Një këshillë pa të cilën nuk bën dot ndryshe:
– Nuk mund të ndryshosh njerëzit. Pranoji ashtu si janë, ose mos u shoqëro fare me ta.
– Shoqja, mikesha juaj më e mirë?
– Është mjeke dhe nuk ka të bëjë fare me muzikën, edhe pse kam edhe shumë shoqe të mira që janë këngëtare.
– Në çfarë jeni e përqëndruar aktualisht?
– Po pushoj me fëmijët.
– I keni të rritur?
– Roberti është diplomuar në Universitetin Amerikan, kurse Redoni mbaroi 9-vjeçaren. Po bëjmë plane si të vazhdojnë më tutje.
– Sot, për çfarë mund të rrini deri në orët e vona, përvçse në koncerte, apo mbrëmje muzikore?
– Për çdo ftesë të miqve apo familjarëve.
– Historia më e bukur që keni në jetë dhe që do të donit ta ndanit me ne?
– Kthimi në Kosovën e lirë. Ishim shtuar në numër ngaqë linda djalin e dytë, Redonin, në Francë. Isha gruaja më e lumtur në botë. Kur dola në koncert, më vërshuan lotët dhe nuk munda ta vazhdoj këngën. Publiku më duartrokiti si asnjëherë më parë. U ndjeva sikur të ishim një familje. Këtë ndjenjë e kam edhe sot.
– Më mirë të marrësh duartrokitje apo çmime?
– Duartrokitje.
– Është akoma herët, apo po mendoni që tani për këngën e radhës?
– Prej kohësh nuk më kanë uruar kaq shumë fansat, kolegët e gazetarët.. Mbase kjo është shenjë që të vazhdoj me këngë të reja.
– Ftesa që nuk do të mund t’i thonit dot “jo” tani?
– Të këndoj në një koncert humanitar.