Mirë se erdhët në botën e mrekullueshme të LDR (në anglisht: Love distance relationship-lidhje në distancë).
Duke pritur që lidhja juaj të forcohet, ja ku keni 12 këshilla për t’i mbijetuar largësisë dhe për të hedhur poshtë thënien:
“Larg syve, larg zemrës”…
1. Gjej kohë për lidhjen
Ky është rregulli bazë. Kjo këshillë pragmatike është e vërtetë. Që një lidhje në distancë të funksionojë, duhet t’i dedikosh kohë për t’u parë me njëri-tjetrin. Me një fjalë, kanë marrë fund fundjavat e kaluara me shoqet në fshat. Gjithashtu, përgatituni të bëni dy vajtje-ardhje në muaj për t’u takuar, nëse jetoni brenda vendit, kurse të tjerëve u urojmë të fitojnë llotarinë që të shihen sa më shpesh, të paktën një herë në muaj.
Fraza që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin tuaj: “Më vjen keq, nuk mund të vij për të të parë para tre muajsh, kam mbetur pa lekë qëkur shkova me shoqet për pushime në Vlorë!”.
2. Tregoji rregullisht të rejat e jetës tënde
Duket si çudi, por distanca shton ankthin dhe shqetësimet e tjera. Nëse dy të dashuruar janë në të njëjtin qytet, mund t’i lejojnë vetes të flirtojnë dhe të luajnë kukafshehti me njëri-tjetrin, por të qëndrosh pa folur kur ju ndajnë 200 km është një ruletë ruse e vërtetë për lidhjen dhe nervat. Kijeni parasysh para se të guxoni të rrini një periudhë “pa lajme”…
Fraza që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin tuaj: “Po, i kam parë 15 e-mailet e tua të fundit, vetëm se nuk kisha kohë që t’u përgjigjesha”.
3. Duhet të jesh i/e sigurtë për atë që ndjen
Po të kishte rrugëzgjidhje, asnjë person i mençur nuk do të donte një lidhje në distancë. Ajo kushton shumë, kërkon shumë energji dhe, siç e tregon edhe artikulli, ka nevojë për një minimum përpjekjesh delikate që të mbijetojë. Atëherë, duhet të jeni të sigurtë për atë që doni. Ndjenjat e vakëta, dyshimet ekzistenciale, etj. janë tregues të pagabueshëm se duhet të evitoni çdo lidhje me të, edhe në distancë, madje… sidomos në distancë!
Fraza që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin tuaj: “Do të shkoj një javë në Romë tek X-i, por nuk e di ç’plane kemi, në fakt…”
4. Fol më pak në skype
Skype është miku fallco i çifteve në distancë. Themi se është një progres i shkëlqyer teknologjik, që lejon të shohësh, të flasësh, të afrohesh… por gënjejmë veten. Në fakt, ato më të nxehtat ndërmjet nesh do ta ndjejnë shpejt anën e tij zhgënjyese, sepse shihemi dhe dëgjohemi, pa mundur të prekemi. Më pragmatiket do ta kuptojnë sa kohë u kushton, pasi do t’u duhet të kthehen më shpejt nga një festë, takim pune, etj., për të folur me të dashurin që sapo është zgjuar në Nju Jork. Kështu, pra, ruajeni Skype-in vetëm për raste, përndryshe do të krijohet imazhi i lidhjeve iluzion dhe zhgënjyese.
Fraza që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin tuaj: “Nuk mund të vij me ju sot (shoqeve), pasi kam një takim në Skype me të dashurin, pas një ore”.
5. Duhet të dish të çatosh
Le ta pranojmë më në fund: Çati që bëhet në Facebook është më praktiku për ne qeniet njerëzore që prej shpikjes së faksit, por kujdes: Çati mund të shkaktojë ndonjë ngatërresë në të folur dhe, sado të forta të jenë ndjenjat, nuk jemi kurrë të mbrojtur para një ironie të interpretuar keq, ose një shakaje të keqe që futet mes linjave të dialogut. Më mirë parandaloni sesa shëroni dhe më mirë përdorni një emoticon, sesa t’i thoni ndonjë fjalë të keqe… Kështu, gjithçka shkon vaj!
Fraza që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin tuaj: “Nuk mund të vij të rri me ty për 4 ditë. Është një kohë shumë e gjatë”.
6. Do të përfitosh nga reduksionet e telefonit celular
Nëse keni mundësi të flisni sa të doni me të dashurin që ndodhet në qytet tjetër, t’i dërgoni SMS dhe MMS, pa paguar shumë ose fare, atëhere, bëjeni. Ju do ta përdorni në çdo moment telefonin për të dërguar një mendim që ju ka lindur në çast, një shaka, ose një foto tuajën, veshur me fustanin e ri.
Fraza që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin tuaj: “Problemi është se kam akoma Nokian tim të vjetër… Po pres IPhone 5-n”.
7. Mëso adresën e tij
Së pari, adresën e tij të e-mailit sepse e-maili personal është një mjet komunikimi pak më “fisnik” për LDR-në sesa Facebooku ose çati. Me një fjalë, një email është i dobishëm për të dërguar një këngë të youtube-it, biletat e avionit, një vjershë, një artikull gazete, etj., por më e rëndësishmja është të dish adresën postale, për një letër surprizë, për një pako apo kartolinë. Romantizmi duhet të ekzistojë akoma dhe të mos reduktohet në disa rreshta çati.
Fraza që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin tuaj: “Cili më the se është numri i rrugës?”
8. Evito xhelozinë
Le të jetë e qartë: Xhelozia në një LDR është e nda-lu-ar, sepse krizat e xhelozisë e transformojnë brenda një minute një takim prekës në një marrëdhënie-kalvar. Pyetjet e tipit të “Gestapos” për të marrë vesh se ç‘ka bërë të shtunën në darkë apo nëse janë të bukura vajzat atje ku ka vajtur janë porta e hapur për të shpërthyer në kriza histerie. Kini parasysh këshillën numër 3: Nëse jeni bashkë, kjo do të thotë se ka një arsye të fortë, bile është një zgjedhje e shenjtë, sepse ju luftoni kundër largësisë. Atëhere, ose kini besim tek ai, ose vendosni së bashku të keni një lidhje të lirë, pa harruar respektin dhe humorin e mirë (sidomos këtë të fundit!)…
Fraza që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin tuaj: “Ah, po, paske dalë me shokët të premten dhe të shtunën…?”
9. Ruaj pak misterin
Kjo këshillë vlen për të gjitha lidhjet, por në një LDR, është e domosdoshme. Duhet të ruani ca gjëra për t’i thënë kur të takoheni dhe nuk ia vlen ta lodhni dy orë në skype duke i treguar se çfarë ka bërë sot kolegia e zyrës. Ju nuk e kaloni ditën bashkë! Atëhere, kursejani atij detajet jodomethënëse që e theksojnë këtë. Keni blerë këpucë të reja shumë të bukura? Aq më mirë për ju, por ai nuk do t’ia dijë për këtë…
Fraza që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin tuaj: “Këtë mëngjes u ngrita vonë dhe nuk pata kohë të haja mëngjes. Pastaj, kur mbërrita në zyrë, nuk më kishte dalë akoma gjumi dhe ishte për të qeshur sepse një koleg më tha…”
10. Dërgoji foto seksi
Nuk është fjala këtu t’i dërgosh foto pornografike. Mund t’i dërgosh herë pas here disa detaje; një dekolte, një shikim, një sugjerim të të brendshmeve, sepse një fjalë e urtë, thotë: “Nuk kapen mizat me uthull”…
Fraza që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin tuaj: “Sapo të kam dërguar një e-mail… por të paralajmëroj që nuk duhet ta shohin të tjerët…”
11. Shprehja ndjenjat
Lajmërim për fillestarët e një LDR: Nuk ju nxisim të thoni “të dua” të parakohshme orë e minutë… Kur jetoni bashkë, mbase nuk është aq e nevojshme ta thoni shpesh (të flesh me të shtatë ditë të javës tregon në njëfarë mënyre ndjenjat tuaja), por largësia kërkon pak karburant, me qëllim që t’i kujtosh vetes pse blen kaq shpesh bileta treni dhe avioni, në vend që të blesh këpucë të reja dhe çantë lëkure.
Fraza që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin tuaj: “Nuk rri dot pa të menduar në këtë moment, kam shumë dëshirë të të shoh”.
2. Evito sa të mundësh lamtumirat e trishtuara
Stacioni i autobusit i mbushur plot e përplot, aeroporti ku gjithë udhëtarët nxitojnë për diku… Është e bukur si ide ta shoqërosh deri në fund, vetëm se kjo nuk bën gjë tjetër, veçse thekson ndarjen dhe është akoma më stresuese për të dy. Preferoni pra ndarjet e lehta dhe romantike në fund të rrugës, sikur nuk po ndodh ndonjë gjë e madhe, që janë më inkurajuese sesa të qarat në stacion…
Fraza që nuk duhet të bëjë pjesë në fjalorin tuaj: “Po rri edhe pak sa të ta bëj me dorë kur të kalosh kontrollin e check-in-it”.