Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Humba burrin, por fitova fëmijën e tij!

Para 25 vjetësh u dashurova me një njeri të mrekullueshëm që për mua ishte gjithçka. Familja ime nuk ishte dakord që ne të martoheshim, por unë e doja dhe kisha vendosur të lidhja jetën me të. Më pas mora vesh se edhe familja e tij nuk ishte dakord me këtë lidhje, por pavarësisht të gjithave, unë arrita të martohesha me të. Gjetëm një dhomë të vogël për të jetuar, e cila i ngjante më shumë një bodrumi sesa një dhome. Aty krijuam folenë tonë të dashurisë. Edhe pse me shumë vështirësi dhe në kulmin e varfërisë, ne mbijetonim dhe ishim shumë të lumtur me dashurinë tonë. Mora vesh se isha shtatzënë. Nuk kishte gjë më të bukur se sa të merrje vesh se po prisje një fëmijë, sidomos nga njeri që dashuron. Kohët kalonin dhe unë linda një djalë që ngjante tërësisht me të atin. Ishim shumë të lumtur, por njëkohësisht ndiheshim edhe vetëm, pasi as familja ime dhe as e tija nuk vinin të na shihnin. Tani që lindi djali, filloi të na ndihmonte disi familja e tij, që vinin për të parë edhe djalin. Koha kalonte dhe jeta sa vinte e vështirësohej. Më vonë, sikur të mos mjaftonte varfëria në të cilën jetonim, im shoq filloi të ndjehej shumë keq me shëndetin. Shkoi të vizitohej, por duke qenë se mjekësia nuk ishte kaq e përparuar sa sot, nuk arrinin ta diagnostikonin çfarë sëmundjeje kishte. Ai ndjehej i pafuqishëm që të punonte, kështu që do të më duhej të punoja vetëm unë dhe ai rrinte me djalin e vogël. Për mua, ishte një lodhje e vërtetë, se përveç punës me tre turne që bëja, duhet të vija në shtëpi të merresha me djalin e vogël, me tim shoq që tashmë ishte shumë i sëmurë dhe njëkohësisht, duhet të merresha edhe me punët e shtëpisë, por prapë nuk qahesha, doja vetëm që atë të dy të ishin mirë, pavarësisht se lodhesha shumë dhe ndonjëherë nuk kisha as fuqi. E gjeja forcën brenda vetes dhe vazhdoja përpara. Burri im bënte vazhdimisht analiza, por doktorët i thoshin se e shihnin të vështirë që të shërohej. Merrte vazhdimisht ilaçe dhe kur i pinte, ndjehej mirë, por më pas, sërish kishte dhimbje në trup. Gjendja e tij sa vinte e vështirësohej. Kaluan disa muaj dhe ai ishte përkeqësuar edhe më tepër. Doktorët thanë se ai kishte disa hematoma që nuk kishin shërim. Nuk mund ta imagjinoni se si u ndjeva kur më dhanë këtë lajm. Fillova të humbisja shpresat dhe të ndjehesha e pafuqishme, por kjo nuk më ndihmonte aspak, pasi duhet të bëhesha e fortë për djalin e vogël. Nuk kisha askënd që të më ndihmonte, edhe vjehrra që vinte ndonjëherë, merrej me të birin. Nuk e kuptova kurrë se çfarë kishte kundër meje, kur në të vërtetë nuk më kishte njohur kurrë. Gjithsesi, unë e respektoja sa herë që vinte dhe mundohesha të sillesha sa më mirë me të, edhe pse nuk e meritonte, sepse gjithmonë më ofendonte. Koha kalonte dhe gjërat sa vinin e vështirësoheshin, burrit tim tashmë i kishte ardhur fundi. Kishte zënë shtratin dhe nuk lëvizte më, madje as për të shkuar në banjë. Nuk doja ta besoja atë që po ndodhte, qaja gjatë gjithë kohës, shumë e dëshpëruar. Një ditë iu afrova dhe ai më kërkoi që të kujtonim të gjitha momentet që kishim kaluar bashkë. I ishin mbushur sytë me lot teksa shihte djalin pranë vetes. Thoshte se dëshironte të jetonte për të parë djalin se si rritej. Mezi po e mbaja veten para tij, por duhet të bëhesha e fortë. Nuk kaluan as pesë minuta dhe ai mbylli sytë duke kapur dorën time dhe të djalit. Qaja e dëshpëruar, edhe pse e dija që kështu do të ndodhte, por kur ndodh në të vërtetë akush nuk e beson. Shtrëngoja djalin fort, edhe pse ai nuk kuptonte, se ishte shumë i vogël.

Përveç dhimbjes që ndjeja, ishim edhe në kulmin e varfërisë dhe nuk dija kujt t’i kërkoja para për të bërë varrimin. Vjehrra erdhi vetëm ditën e varrimit dhe që nga ajo ditë, nuk e pashë më të vinte në shtëpi, madje as për të parë nipin e saj. Në varrim nuk kishte shumë njerëz, pasi ne nuk kishim shumë të afërt. Atë ditë në varrim pashë edhe prindërit e mi. Isha e mbushur me urrejtje për ata. Nuk më kishin parë gjatë gjithë jetës që unë u martova me të. Nipin nuk e njihnin vetëm për shkak të fjalëve që kishin dëgjuar nga njerëzit për tim shoq. Nuk arritën ta njihnin kurrë dhe denjuan të vinin në varrimin e tij. Edhe pse isha shumë e lënduar, shkova tek ata dhe u thashë se nuk doja t’i shihja më në jetën time. Më kërkuan që t’i kuptoja tashmë që isha bërë prind vetë, por unë nuk doja t’i falja. Më ksihin mohuar pa e njohur më parë burrin tim, njeriun me të cilin unë u dashurova. Për mua, kjo situatë ishte shumë e vështirë. Edhe pse vuajta shumë pasi mbeta vetëm me djalin, koha më bëri të shëroja çdo plagë dhe të kaloja çdo vështirësi. Fillova një punë shumë të mirë. Arrita të blija një shtëpi të vogël, arsimova djalin dhe e futa në një universitet me shumë emër, që ai të bëhej dikushi. Tashmë kisha shumë miq edhe shoqe. Nuk kisha nevojë për askënd që në momentet e vështira më ktheu krahët, tashmë isha e zonja e vetes dhe arrita të ecja përpara falë forcës dhe durimit tim. Djali u diplomua si arkitekt dhe gjeti një punë shumë të mirë. Ai kishte njohur edhe një vajzë shumë të mirë, që unë sapo e mora vesh, kisha shumë dëshirë ta njihja. Ajo do të ishte vajza ime, njëlloj si djali im. Kaluan disa kohë dhe martova djalin. Edhe pse pas shumë vjetësh denjoi që të vinte vjehrra ime për të parë nipin e saj, kësaj here nuk ishte nevoja që ta prishja unë gjakun për t’u marrë me të; u mor vetë djali. I tha se nuk e njihte sepse nuk e kishte parë kurrë. “Të respektoj vetëm si nënën e babait tim, por ti nuk je gjyshja ime, sepse nuk je kujdesur kurrë për mua”, i tha ai. Ndihesha shumë e lehtësuar që më në fund kisha dikë që më mbronte e më qëndronte pranë. Pas gjithë atyre vështirësive që kalova, më në fund, për mua jeta po më lehtësohej. Mora edhe lajmin që më lumturoi pa masë: Do të bëhesha gjyshe! Isha gruaja më e lumtur në botë! Kurrë nuk e kisha menduar që jeta do të ishte kaq bujare me mua. Isha shumë e lumtur me djalin, nusen dhe me fëmijën që prisnin. Jetojmë bashkë dhe jemi një familje që të gjithë e kanë zili, por askush nuk i di ato që unë kam kaluar në jetën time dhe se sa të vështirë e kam pasur për të arritur deri këtu. Me forcë, durim dhe me shumë dashuri, njeriu arrin kudo…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Kam një pyetje për tiroidet...

Next Post

Astrologia shpjegon..!

Advertisement