– Përshëndetje doktor Dashamiri! Jam një lexuese e rregullt e kësaj rubrike dhe kam një pyetje: Çfarë është FNA? Ju uroj gjithë të mirat dhe shpresoj në një përgjigje të shpejtë…

Dr. Dashamir Gjergji, Doktor i Shkencave Mjekësore, Endokrinolog-Diabetolog, Spitali Amavita, Rruga Pjetër Budi, 75/3, Tiranë:- Ju faleminderit për pyetjen tuaj shumë të shkurtër dhe konçize.

Megjithëse pyetja është me shkurtime, besoj se ju i jeni referuar një akronimi në anglisht që shkruhet FNA dhe lexohet fine needle aspiration. Siç mund ta merrni me mend nga përkthimi i këtyre fjalëve, kemi të bëjmë me një procedurë diagnostike në sëmundjet e tiroides.

– FNA apo shpimi me citopunksion është rutinë sot në botë dhe në vendin tonë, kryesisht, për të përcaktuar natyrën e nodujve të tiroides, domethënë, është ekzaminimi që ndan nëse nodujt apo kokrrat e tiroides janë me natyrë të mirë (beninje) apo të keqe (malinje). Kjo procedurë nuk është shumë e dhimbshme dhe realizohet nga mjeku specialist endokrinolog apo morfolog. Rezultatet më të mira përftohen kur kjo procedurë kryhet nën drejtimin e ekografisë, ku specialisti shpon nodulin dhe merr material që nga aty për ta “mbjellë” dhe për ta vlerësuar në mikroskop. Duke u orientuar nga ekografia, kjo procedurë është më e lehtë dhe më e saktë sepse jemi të sigurtë që materiali është marrë pikërisht te noduli apo nodujt dhe jo në pjesë të shëndoshë të tiroides apo strukturave përreth. Kjo procedurë diagnostike ka rreth 50 vjet që realizohet, por me zhvillimin e teknologjisë së mikroskopeve si dhe përdorimin e substancave shumë të ndjeshme në fiksimin e materialit të marrë, ashtu si dhe me rritjen e kualifikimit të specialistëve anatomo-morfologë, siguria e saj t’i afrohet 100 %, sigurisë së plotë.

– Kjo procedurë ka rëndësi shumë të madhe pasi në vartësi të rezultateve që vijnë prej saj, do të varet skema e mjekimit të mëvonshëm e po ashtu edhe kirurgjia, tipi i operacionit, rrezeve etj. Siç e shpjeguam më lart, kjo procedurë është shumë e dobishme dhe e vlefshme në diagnostikimin e kancerit të tiroides dhe sa më shpejt të përcaktohet diagnoza, aq më të mira do të jenë rezultatet e mjekimeve. Nëpërmjet FNA përcaktohet jo vetëm që është sëmundje malinje e tiroides, por edhe tipi histologjik i saj. Kjo ndihmon shumë edhe për faktin që tipe të ndryshme kanceri të tiroides kërkojnë mjekime të ndryshme. Së fundmi, shpresoj të më keni kuptuar dhe të më shkruani sërish; vetëm kujdes, jo me shkurtime apo akronime sepse fjalori mjekësor është i mbushur me të tilla dhe nuk e di nëse realisht pyetja bëhet për këtë apo atë shkurtim fjalësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *