Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Na ndau largësia!


Njohja me Fredin ishte gjëja më e bukur që më kishte ndodhur në jetë. Ishte shpirti im binjak dhe isha shumë e lumtur që e kisha njohur. Ai ishte dashuria dhe gëzimi im. Jemi njohur një verë në plazh dhe që atë ditë e kuptuam se ishim bërë për njëri-tjetrin. Ishte tepër simpatik dhe në fillim, i druhesha një lidhjeje me të pasi vajzat e pëlqenin shumë dhe shpesh ndodhte që, kur ishim bashkë, vajzat e tjera i hidhnin shikime të shumta. Por ai ma shprehte gjatë gjithë kohës se më dashuronte, ndoshta edhe më shumë nga sa e doja unë. Fredi punonte si menaxher në një firmë private, ndërsa unë sapo kisha mbaruar shkollën dhe fillova punë si sekretare. “Do të më pëlqente të bashkëjetonim sepse të dua dhe mendoj se duhet ta hedhim këtë hap në lidhjen tonë”, më tha, por prindërit e mi ishin tepër tradicionalë dhe nuk e mirëpritën atë që u thamë. Atëhere, që të bashkëjetonim, nuk na kishte mbetur zgjidhje tjetër veçse të fejoheshim më parë dhe Fredi e donte shumë këtë. Bashkëjetesa ishte një eksperiencë e re të cilën po e përjetonim çdo ditë me mjaft dëshirë. Ishte diçka e re e cila po na pëlqente të dyve dhe na vuri përballë situatave të ndryshme. Ndodhte që kishte edhe zënka mes nesh dhe kjo ishte normale për çdo çift, por diskutimi më i madh ndodhi ditën kur Fredi tha se kishte një ofertë shumë të mirë pune në Itali. “Si do të qëndrojmë të ndarë? Unë nuk e lë dot familjen e punën që të vij në Itali me ty”, i thashë.

“Nuk jemi ne çifti i vetëm që qëndrojmë larg njëri-tjetrit. Mund t’ia dalim sepse duhemi dhe dashuria mund gjithçka”, më tha ai.

Advertisement

Unë nuk isha aspak dakord me të, por me sa dukej, Fredi e kishte pranuar këtë ofertë sapo ia kishin propozuar, pa folur më parë me mua. Edhe pse për këtë diskutuam gjatë, ramë dakord që ta provonim dhe, nëse lidhja jonë do të ishte në krizë, Fredi do të kthehej. E kisha tepër të vështirë dhe nuk e dija nëse do të mësohesha dot të jetoja pa të. E përcolla në aeroport ditën që do të nisej dhe isha shumë e mërzitur.

“Zemër, mos u trishto se do të flasim çdo ditë dhe do ta shohim njëri-tjetrin shumë shpesh. Këtë po e bëj për të ardhmen tonë”, më tha.

Në ato momente nuk më dukej justifikuese asgjë nga ato që thoshte, por mundohesha ta mbaja veten. Muajt e parë ishin tepër të vështirë për mua; më merrte shumë malli për Fredin. Edhe pse flisnim me orë të tëra në telefon, vazhdoja të ndjeja mall për të. Mundohesha të fokusohesha sa më shumë në punë, por kur kthehesha në shtëpi, ajo më dukej tepër bosh pa praninë e tij, ndaj vendosa të kthehesha te prindërit. Ata më mirëpritën, madje mamaja u gëzua shumë se tani do të më kishte pranë. Flisja me Fredin, por kjo nuk mjaftonte, doja ta shihja dhe të ndjeja përsëri ledhatimet e tij që më mungonin shumë. Që ditën që u nis, nuk kishte ardhur asnjëherë dhe justifikohej se nuk i jepnin leje te puna. Ditëlindja ime po afrohej dhe unë isha mërzitur se do ta kaloja vetëm, por nuk ndodhi kështu!

“Të kam siguruar biletën që të vish këtu për ta festuar bashkë ditëlindjen tënde, zemër”, më tha Fredi një natë teksa po flisnim. U lumturova shumë dhe e falënderova për surprizën e bukur që më bëri. Atë natë nuk fjeta fare, po mendoja se si do të ishte takimi ynë, sa do të kishte ndryshuar Fredi… Isha shumë e emocionuar! Mezi prisja ditën kur do të nisesha, e cila erdhi shumë shpejt. Prindërit më shoqëruan në aeroport dhe ndenjën aty derisa u ngrit avioni. Sapo zbrita, pashë Fredin që po më priste në makinë. E përqafova fort dhe ai më puthi.

“Duhet të jesh e lodhur! Shkojmë në apartament. Më pas darkojmë dhe bisedojmë”, më tha duke buzëqeshur. Rrugës mbaj mend që i kam bërë dhjetëra pyetje sepse doja të dija gjithçka që kishte ndodhur me të gjatë kohës që kishim qenë larg njëri-tjetrit. Kur unë u shtriva në krevat, Fredi vajti në punë që të mbaronte më shpejt. Kur u kthye, unë isha gati dhe, sapo hapa derën, pashë një buqetë të madhe me trëndafila të kuq. Më pas u shfaq Fredi. Ai më uroi ditëlindjen, më puthi dhe më pyeti nëse isha gati të festoja. “Mjafton që jam me ty, kjo më bën të lumtur”, i thashë.

Në restorant biseduam për shumë gjëra nga të cilat mësova edhe që Fredi ishte mësuar shumë shpejt me jetën që bënte atje dhe kjo më trembte. Mendoja se edhe mua mund të më harronte shpejt sepse largësia ishte një element mjaft negativ për marrëdhënien tonë. “Më trego si ia ke kaluar ti tani”, më tha ndërkohë që unë nuk kisha një jetë aq të larmishme dhe energjike si ai. “Mundohem të përqendrohem në punë tani që ti nuk je atje dhe tani po jetoj me prindërit. Nuk jetoj dot vetëm”, i thashë. Më pa disa minuta dhe më përqafoi. “Edhe mua më merr malli shumë dhe ashtu si ti, mundohem ta kaloj kohën në punë sepse të mendoj çdo minutë”, tha.

Ato momente ishin mjaft prekëse, por Fredi tha se atë natë duhej vetëm të gëzoheshim sepse ishte një ditë tepër e veçantë për mua. “Kjo është një ditë e veçantë për të dy dhe jo vetëm për mua”, i thashë. Më pas vajtëm në një ambient tjetër për të kërcyer, ku ia kaluam mjaft bukur. Ishte nata më e bukur që kisha kaluar dhe më vinte keq që ditët po kalonin dhe unë duhet të kthehesha, ndaj përpiqesha t’i shijoja në maksimum. Gjatë asaj kohe, vizitova shumë vende që nuk i kisha parë asnjëherë dhe përjetova momente të paharrueshme. Kur e pyeta nëse do të vazhdonim kështu, ai më tha se për momentin, nuk mund të bënte asgjë. Nuk doja të diskutonim, ndaj nuk e vazhdova më bisedën. Kthimi ishte tepër i vështirë, por mendova se kujtimet do të më bënin më të fortë. Në fakt, fillova ta kisha edhe më të vështirë tani që kisha kaluar disa ditë pranë Fredit, ndaj i thashë se duhet të gjenim patjetër një zgjidhje sepse e ndjeja që lidhja jonë ishte ftohur.

“Nuk mund të qëndroj larg personave që dua”, i thashë. Ai nuk dinte çfarë përgjigjeje të më jepte, por më premtoi se do të zgjidhej gjithçka dhe më kërkoi që të qetësohesha. Kishin kaluar 6 muaj dhe akoma asnjë zgjidhje. Fredi erdhi një herë të vetme, qëndroi disa ditë dhe iku përsëri. Më premtonte se gjërat do të rregulloheshin dhe ne do të ishim shumë shpejt bashkë, por ky mbeti vetëm një premtim të cilin ai nuk e mbajti kurrë. Kur më telefononte, nuk doja t’i përgjigjesha ose edhe kur ndodhte, përgjigjesha shumë ftohtë. Ai e kuptoi këtë, ndaj më tha se më kishte rezervuar një tjetër udhëtim për në Itali, kësaj here, 2 mujor. Edhe pse kjo nuk ishte zgjidhja që unë doja, përsëri u gëzova që do ta shihja shumë shpejt dhe këtë herë, do të qëndronim më shumë me njëri-tjetrin. Mora me vete më shumë veshje se herën e parë dhe u nisa. Avioni nisej në 13.30 dhe unë kisha vajtur më herët. Nisja e avionit u vonua 30 minuta pasi na njoftuan se kishte një problem të cilin po e riparonin. Pas njoftimit që lajmëronte nisjen e avionit, u ula e lodhur në vendin tim. Pashë që afër meje ishte ulur edhe një djalë rreth të 35-ve i cili me shumë mirësjellje më tha që të ulesha nga ana e dritares nëse dëshiroja. Atë moment më dukej sikur po përjetoja një déjà vu, më dukej sikur e kisha parë diku. “Quhem Bruno”, u prezantua ai. Ishte mjaft i këndshëm edhe në bisedë. Quhej Bruno, ishte 34 vjeç dhe beqar. Shkonte në Itali për arsye shëndetësore pasi prej disa muajsh e shqetësonte kyçi i këmbës të cilin e kishte vrarë teksa luante futboll.

“Futbolli i ka këto”, më tha duke qeshur.

“Ah, qenke e dashuruar”, tha pasi i tregova për arsyen e udhëtimit tim. Në atë moment, njëra nga stjuardesat na lajmëroi se duhej të bënim ulje të detyruar për shkak të një problemi në avion. Në fillim u trembëm, madje kishte nga ata të cilët u acaruan sepse vonesa u prishte planet që kishin. Brunoja më ftoi të pinim diçka, ndërkohë që prisnim nisjen e avionit, por nisja nuk u bë atë natë, ndaj edhe ndenjëm në të njëjtin hotel. Ndihesha mirë që isha me Brunon, i cili në atë moment, njëra nga stjuardesat na lajmëroi se duhet të bënim ulje të detyruar për shkak të një problemi në avion. Në fillim u trembëm, madje kishte nga ata që u acaruan sepse vonesa u prishte planet që kishin. Brunoja më ftoi të pinim diçka, ndërkohë që prisnim nisjen e avionit, por nisja nuk u bë atë natë, ndaj edhe ndenjëm në të njëjtin hotel. Ndihesha mirë që isha me Brunon, i cili edhe më ndihmoi shumë sepse vetëm nuk do të mund të orientohesha dot. Por, tersi vazhdonte të na ndiqte sepse na thanë se avioni nuk mund të nisej më për shkak të defektit që nuk kishin mundur ta rregullonin dhe fluturimi ynë nuk do të ishte i sigurtë.

“Ta dija, do të kisha udhëtuar me makinë”, tha ai.

E pa që u mërzita shumë dhe po mundohesha t’i telefonoja Fredit e ta vija në dijeni për çdo gjë.

“Do t’i telefonosh të fejuarit? Ja merre!”, tha ai dhe më zgjati telefonin e tij. E pashë dhe po mendoja se sa i mirë dhe i sjellshëm ishte, kuptova se po më tërhiqte shumë. Fola me Fredin dhe i thashë se nuk nisesha dot.

“Mua nuk më japin leje të vij, do mundohem të të dërgoj një makinë të të marrë”, u përgjigj ai i acaruar a thua se e kisha fajin unë që avioni ishte prishur.

“Nuk ka problem, mos u mundo”, i thashë dhe i shpjegova se isha me Brunon të cilin e kisha njohur në avion dhe ai do të më ndihmonte. Më tepër ia thashë këtë sepse nuk më pëlqeu mënyra se si m’u përgjigj. Fredi u bë shumë xheloz dhe u acarua.

“Kush është ai? Si e njohe? Nuk mund të qëndrosh me dikë që nuk e njeh…” e të tjera si këto.

“Nuk jam fëmijë të më mësosh gjëra që m’i kanë mësuar prindërit kur kam qenë e vogël”, i thashë dhe i mbylla telefonin. Brunoja e kuptoi që u mërzita dhe, për të më qetësuar, më tha se kishte lajmëruar mikun e tij t’i sillte makinën dhe më pas do të më çonte te Fredi. E falënderova dhe e pyeta pse po sillej aq mirë me mua.

“E di që ti mendon se po mundohem të të bëj për vete, por më beso, nuk jam i tillë”. Më pëlqente që ishte i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. Kaluam dy ditë në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe u lidhëm shumë bashkë. Çuditërisht, ai më bënte ta ndjeja më pak mungesën e Fredit. Ashtu siç më premtoi, më çoi në qytetin ku jetonte Fredi dhe ndërkohë, unë kisha pritur që ai të më kërkonte numrin e telefonit, por nuk e bëri dhe kjo më pëlqeu shumë, edhe pse më erdhi pak keq!

“Shpresoj të shihemi përsëri”, më tha dhe iku. E ndoqa me sy derisa makina e tij nuk dukej më. Ndjeva një boshllëk pas ndarjes me të, por u ktheva, përqafova Fredin dhe më pas sqaruam edhe zënkën që patëm. Ai, pjesën më të madhe të kohës e kalonte në punë, ishte i fiksuar pas punës dhe kjo nuk më pëlqente. Kishte ndryshuar shumë! Diskutuam edhe herë të tjera për atë çka do të bënim ne të dy dhe e kuptova se ai nuk donte ta linte punën, por as unë nuk mund të jetoja atje sepse ishte e pamundur të ndodhte kjo. Gjërat mes nesh kishin ndryshuar dhe ne nuk ndjenim më për njëri-tjetrin, si më parë.

Një ditë, teksa po shihja nëpër dyqane, dëgjova dikë që më thirri. Ishte Brunoja! “Fati na takoi përsëri”, tha duke qeshur teksa vinte përballë meje. U ulëm të pinim diçka dhe folëm për shumë gjëra, ndër të cilat edhe për problemet që kisha me Fredin.

“Nuk çuditem, më tha. Ditën që ti bisedove me të dhe u mërzite, e kuptova që lidhja juaj ishte paska e ftohtë”.

Ditën që u largua, Brunoja nuk më kishte lënë ndonjë përshtypje sikur i interesoja sadopak, por isha gabuar. Më tha se i kisha pëlqyer që ditën e parë që u takuam, por nuk kishte guxuar të më thoshte asgjë sepse isha e fejuar. Ndjeva zemrën të më rrihte fort…

Fati, jo vetëm që na takoi, por bëri që të ishim bashkë sepse u ndava me Fredin. Të dy vendosëm t’i jepnim fund lidhjes sepse edhe ai nuk mendonte të largohej prej andej. Tashmë kishte nisur një jetë të re, ndërkohë që unë kisha pritur… asgjë. Megjithatë, ajo pritje më shërbeu që të takoja Brunon, pas të cilit jam e dashuruar marrëzisht.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

DJ Jony Doctor: Të bëjmë pak zhurmë me muzikën time...!

Next Post

Djemtë kërkojnë vajza!

Advertisement